Kërpaçi në Komisionin e Medias: Ofendimet dhe kërcënimet që bëhen ndaj nesh sot përfaqësojnë kërcënimet dhe ofendimet që bëhen ndaj studentëve dhe të gjithë të rinjve!

475
Sigal

Ka pasur debate të shumta ditën e sotme në Komisionin e Edukimit me praninë e Ministrit të Brenshëm, Sandër Lleshaj, për të dhënë përgjigje mbi dhunën e ushtruar nga ana e policisë ndaj studentëve.

Ministri ka deklaruar se nuk është ushtruar dhunë ndaj studentëve. Mbi këtë fakt ka reaguar edhe deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, duke demonstruar me video plotësisht të kundërtën e asaj që u shpreh ministri.

Kjo ka bërë që ministri t’i kthehet me tone të ashpra Kërpaçit.

Ja reagimi i plotë i Kërpaçit

Fjala e deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi në Komisionin e Edukimit dhe Medias

Është e turpshme kjo që ndodh sot sepse një zgjatim i qeverisë vjen këtu dhe tenton të kërcënojë dhe të ofendojë hapur deputete të reja, përfaqësuese të të rinjve. Dhe kur guxon që këtë kërcënim dhe këtë ofendim ta bëjë ndaj nesh, imagjino se çfarë bëjnë këta ministra ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe ndaj atyre studentëve. Tani jam shumë e qartë kush e ka urdhëruar dhunën ndaj atyre studentëve. Besoj dhe studentët janë shumë të qartë se kush ka urdhëruar që të dhunohen ata studentë. Sepse këtu sot po na dhunojnë ne nëpërmjet kërcënimeve dhe fjalëve të tyre të pa fre, sepse kështu janë urdhëruar nga kryeministri, kjo është logjike.

Por duhet të tërhiqen nga kjo gjë sepse nuk trembemi jo ne, por nuk tremben as studentët të cilët kanë treguar dhe kanë vazhduar përtej dhunës, përveç presionit, kërcënimeve të pafundme, shëmbëlltyrë e kësaj qeverie. Kanë vazhduar protestën e tyre. Kjo që po ndodh sot është një shfaqje e turpshme e qeverisë tuaj dhe këto ofendime që bëhen ndaj një të reje, i drejtohen të gjithë studentëve, të gjithë të rinjve që ne përfaqësojmë. Ofendimet dhe kërcënimet që bëhen ndaj nesh sot përfaqësojnë  kërcënimet dhe ofendimet që bëhen ndaj studentëve dhe të gjithë të rinjve. Turp t’iu vijë ju që e pranoni kolegë të mazhorancës. Turp t’iu vijë ju që nuk keni asnjë reagim ndaj dhunës ndaj studentëve dhe që pranoni ofendimet dhe kërcënimet ndaj kolegëve tuaj.