Paradoksi/ 2.2 miliardë lekë për të numëruar shqiptarët

313
Sigal

Qeveria në kohë krize, hap thesin e miliardave për blerjen e ipad-eve që të numërohet popullsia, ndërkohë që qytetarët numërojnë qindarkat për bukën e gojën. Sikur të mos mjaftonin taksat e përfituara nga gjendja civile dhe e-Albania, një tjetër tender me vlerë 2.2 mld. lekë i jepet oligarkut të radhës, me një çmim 450 mln. lekë më të shtrenjtë se fituesi real. Ja skema e plotë e skandalit

Rritja e mundshme e kostos së tenderit, në rast se pranohen ankimet e “Infosoft” dhe ‘Ligus”, do të jenë thjesht dhe vetëm një shpenzim shumë i tepërt dhe luksoz për financat e dobësuara ndjeshëm të Shtetit

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka administruar ankesa për një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë të vjetra për blerje tabletash për Institutin e Statistikave, të cilat, nëse pranohen, do t’i rëndojnë qytetarëve shqiptarë rreth 450 milionë lekë më shtrenjtë. Në një kohë krize të rëndë ekonomike, shpenzimet të kësaj natyre do të jenë jo vetëm lukzose, por edhe shumë të dëmshme për interesat publikë. E gjithë historia po zhvillohet mes disa kompanive që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit. Kompania “Infosoft”, e cila ka paraqitur ofertën më të lartë në këtë tender, po synon të eleminojë nga gara konkurentët me ofertën më të ulët.

Këtë qëllim po synon ta realizojnë nëpërmjet Komisionit të Prokurimit Publik, i cili tashmë gjendet në provë integriteti, jo thjesht për respektimin e procedurave, por edhe për mbrojtjen e shpenzimeve të tepërta publike.

Tenderi për Censusin

Në mesin e muajit Mars 2022, Instituti i Statistikave shpalli tenderin për “Blerje pajisje Tableta për CENS”, me fond limit rreth 225 milionë lekë të reja. Qëllimi i këtij tenderi është blerja e rreth 8 mijë tabletave elektronike, të cilat do të përdoren nga përpunuesit e të dhënave mbi Censusin e ri që pritet të zhvillohet.

Rezultatet e tenderit u shpallën në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 30 Maj 2022. Sipas të dhënave të konsultuara nga Boldnews, rezultoi se në tender morën pjesë 6 operatorë ekonomikë. Dy prej tyre u skualifikuan, pasi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Kontraktor, INSTAT, konstatoi se nuk plotësonin kriteret e përcaktuara në dokumentat standarte.

INSTAT renditi të parën kompaninë “PC Store” shpk, e cila ka paraqitur ofertën më të ulët, me vlerë 169.680.000 lekë të reja, duke vlerësuar se plotësonte të gjithë kërkesat teknike dhe ligjore të parashikuara në dokumentat e tenderit.

Pas saj renditeshin me oferta shumë më të larta, kompanitë “Ligus” dhe “Infosoft”, përkatësisht me 194.7 milionë lekë të reja dhe 197.8 milionë lekë të reja.

Bazuar në llogaritë e thjeshta matematikore, “Ligus” dhe “Infosoft” kanë paraqitur oferta me vlerë 430-450 milionë lekë të vjetra më shumë se sa kompania “PC Store” e renditur e para.

Ankesat

Kompania “Ligus”, e cila përfshin interesa të familjes së zyrtarit të rëndësishëm socialist dhe njëkohësisht Prefekt i Tiranës, Afrim Qendro, si edhe “Infosoft” që ka vendosur “hegjemoninë” në tenderat publikë të pajisjeve teknologjike, kanë ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) rezultatin e tenderit të zhvilluar nga INSTAT-i për blerjen e tabeletave për censusin.

Në ankesën e bërë publike në faqen zyrtare të KPP-së, konstatohet se dy kompanitë ankimuese kanë ngritur pretendime thuajse të njëjta kundër shoqërisë fituese, duke krijuar dyshimet për një koordinim mes tyre.

Redaksia konsultoi ekspertë të fushës së Teknologjisë së Informacionit, të cilët morën në analizë pretendimet e kompanive ankimuese.

Opinioni ishte i njëjtë; ankimet nuk lidhen as me thelbin dhe as me aspektet ligjore të procedurës, por krijojnë përshtypjen se është një formë “presioni” ndaj Komisionit të Prokurimit Publik.

Megjithatë, është ky i fundit organi përgjegjës që do të shqyrtojë dhe vlerësojë procedurën në tërësi, e më pas të dalë në konkluzionet konkrete.

Në nëntor të vitit 2020, Parlamenti miratoi ligjin “Mbi Censusin e Popullsisë dhe Banesave”.

Në bazë të këtij ligji, ngarkohet Instituti i Statistikave (INSTAT) për të kryer procedurat në terren, përfshirë intervistimin e qytetarëve.

Për realizimin e Cens-usit, INSTAT ka vlerësuar se duhet të pajiset me 8 mijë tableta, të cilat do të jenë në dispozicion të operatorëve të terrenit. Këto tableta do të përdoren vetëm një herë, pra vetëm për një qëllim të vetëm.

Më tej, ashtu siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, pajisjet teknologjike mund të dhurohen për shkolla apo institucione të tjera të arsimit profesional.

Ndaj, rritja e mundshme e kostos së tenderit, në rast se pranohen ankimet e “Infosoft” dhe ‘Ligus”, do të jenë thjesht dhe vetëm një shpenzim shumë i tepërt dhe luksoz për financat e dobësuara ndjeshëm të Shtetit.