Pezullohen seancat gjyqësore edhe në Gjirokastër e Përmet, avokati: Bojkoti do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat

162
Sigal

Bojkotit të seancave gjyqësore iu janë bashkuar edhe avokatët e Gjirokastrës dhe Përmetit.

Për mediat, ata janë shprehur se nuk do të shkojnë në punë deri ditën e premte.

Sipas përfaqësuesit të Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër Tahir Novi, bojkoti do të vazhdojë pafundësisht derisa të përmbushen kërkesat e avokatëve për të mos hequr nga Gjirokastra Gjykatën e Apelit.

Dhoma e Avokatisë ka nisur bojkotin e seancave gjyqësore për të gjitha shkallët e gjyqësorit deri ditën e premte, 17 qershor. Shkak është bërë Harta e re gjyqësore.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të ketë një gjykatë apeli në Shkodër, një në Durrës ose Elbasan dhe një në Fier ose Vlorë.

Bojkoti ka nisur nga të gjithë avokatët në vend. është paralajmëruar se nëse do të ketë kundërshtime nga ana e tyre, rrezikojnë heqjen e licencës. Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykatë apeli për të gjithë vendin.

Nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.