Në 9 muaj mbi 7 mijë biznese ulin qepenin

244
Sigal

Pandemia, mungesa e ndihmave nga shteti, si dhe taksat e larta të bashkive po falimentojnë bizneset. Pandemia që nisi në 2020 u shoqërua me mbylljen e 9584 bizneseve dhe 43 mijë të papunë. Klientelizmi me paketat 1 dhe 2, bëri që situata e rëndë të transferohet edhe në 2021 ku deri tani janë mbyllur 7 mijë biznese. Palët e treta të kenë kujdes me subjektet e kaluara në regjistrin pasiv

Pandemia , mungesa e ndihmave nga shteti dhe taksat e larta falimentojnë bizneset

Në 9 muaj mbi 7 mijë biznese ‘ulin qepenin’ në Shqipëri

 Bizneset ishin në kushtet e mbijetesës para Covid, teksa sfida e pandemisë çoi në mbyllje të aktivitetit për shkak të rënies së xhiros nga COVID-19, taksave të larta vendore, gjobat, anulim kontratash dhe monopolet. Shumë subjekte, të cilat pranuan se kishin përfituar ndihmën me Paketat Financiare 1 dhe 2, thanë se ndihma e shtetit ishte e pamjaftueshme për të mbijetuar.

Mbi 7 mijë biznese kanë ulur zyrtarisht qepenët në 9 muajt e parë të këtij, ku një ndikim kryesor ka pasur pandemia e COVID-19.Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përditësuara më 7 Shtator, rezultojnë 7097 biznese të cilat janë transferuar në Regjistrin Pasiv.  Duket se edhe ky vit po pason 2020-ën në këtë drejtim, ku  në total 9584 subjekte u transferuan nga administrate tatimore nga Regjistri Aktiv në Regjistrin Pasiv.Sipas legjislacionit në fuqi, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore. Në regjistër janë të pasqyruara të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej, që kanë marrë status pasiv.

Numri total i subjekteve të listuara aktualisht arrin në rreth 133 mijë, ku kryeson Tirana, e ndjekur nga Durrësi, e më pas Vlora.  Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv sipas scan.

‘Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj’, thekson Administrata Tatimore.

43 mijë të papunë më 2020, sipas INSTAT

Kriza pandemike nxori të papunë 43, 00 persona në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Sipas INSTAT, në fundit të vitit kishte gjithsej 1.23 milionë të punësuar në vend, nga 1.27 mln në fund të 2019-s.Të dhënat e INSTAT nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se numri i të punësuarve ra ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit (me rreth 50 mijë persona), teksa karantina bllokoi aktivitetin ekonomik për gati tre muaj.