Në 3 vite ikën nga Shqipëria 16 mijë infermierë, kreu i shoqatës: S’vlerësohen, mjekët punojnë në privat, punën ua lenë atyre

234
Sigal

Në 3 vitet e fundit rreth 16 mijë infermierë janë larguar nga Shqipëria duke lënë vakanca të shumta në sistemin shëndetësor. Atyre që shërbejnë aktualisht në sistem i duhet të bëjë dyfishin apo trefishin e shërbimit infermieror për të mbuluar mungesën e kolegëve në mënyrë që pacientëve të mos i humbasë shërbimi.

Në ditën ndërkombëtare të tyre kreu i shoqatës Elson Jaçaj thotë se ende jemi në fazën që figura e infermierit nuk vlerësohet siç duhet edhe pse ngarkesa në jo pak raste është më e madhe sesa e vetë mjekëve.

“Që nga koha e pandemisë deri më sot mund të jenë larguar 16 mijë infermierë, pasi koha e pandemisë ka qenë shfrytëzuar nga të gjithë duke ndjekur kurset e gjuhës online. Ata kanë barrën e punës. Pra, nëse një vend pune lirohet detyrohet personeli, që do t’i zëvendësojë ato. Pjesa e portalit që funksionon në Shqipëri nuk deklaron çdo vend vakant që është në Shqipëri. Mosvlerësim i figurës dhe punës së tyre. Ata ndihen të pavlerësuar jo vetëm nga shteti, por sidomos edhe nga mjekët, të cilët iu lënë një peshë të madhe të punës, të cilën duhet ta bëjnë infermierët. Nëse shikojmë sot jemi i vetmi vend me popullsi kaq të vogël dhe kemi kaq shumë spitale e klinika private dhe mjekët në shtet punojnë në klinika private dhe punën e mjekëve e bëjnë infermierët e specializantët në të gjithë spitalet shtetërore.”

Mes të larguarve nuk mungojnë ata që kanë shumë vite eksperiencë ndërsa Gjermania dhe Italia janë vendet që kanë marrë më shumë nga Shqipëria.

“Infermierët që mund të kenë 10 vite eksperiencë, ndonjëherë zgjedhin të largohen dhe kjo nuk është gjë e mire, por është zgjedhje individuale.

Sonila Himallari është në vitin e pare të infermierisë, por thotë se nuk ka vendosur ende nëse do të punojë në Shqipëri apo do të largohet pas studimeve.

“Kam zgjedhur të studioj këtë degë pasi është një mundësi e mire që pas studimeve të jesh si në Shqipëri , ashtu dhe jashtë. Janë shumë dyer të hapura dhe mund të jepet mundësia kudo që të punosh. Kur të mbaroj studimet ende nuk e kam vendosur çfarë të bëj”? Në kuadër të ditës botërore të infermierëve në sheshin Skëndërbej, 69-vjeçari Fadil Hidri ishte një nga dhjetëra qytetarët që morën shërbim infermierior falas.“Mata tensionin e diabetin. Në shtëpi nuk e mas fare, s’kam aparat.”Kjo ditë synon sensibilizimin e qyetarëve për t’u kuidesur më shumë për shëndetin. Enxhi Musaj