Ndryshojnë rregullat për shitjen e shtetësisë në Qipro

514
Sigal

Qeveria e Qipros ka përcaktuar kushte të reja në lidhje me skemën e shitjes së shtetësisë në këmbim të investimeve në vendin ishullor. Ndryshimet e reja kanë si qëllim, rritjen e masave të sigurisë, duke e bërë këtë skemë më të besueshme. Sipas kritereve të reja, një pasaportë nga Qipro do të jepet në këmbim të një investimi prej 2.5 milionë eurosh. Për të marrë një pasaportë, aplikantët duhet të paguajnë 650,000 euro dhe të sigurojnë një investim 150,000 euro në aksione ose obligacione qeveritare, si dhe të plotësojnë kërkesat e pronësisë dhe të kalojnë procedurat e caktuara. Ministri qipriot i Financave, Harris Georgiades u shpreh se vendosja e kritereve të reja më të ashpra do t’i bënin procedurat më të besueshme. Shqyrtimi i dosjes së çdo aplikanti do të bëhet nga një agjenci ndërkombëtare, investitorët duhet të marrin një vizë Schengen dhe aplikuesit do të përjashtohen, nëse janë refuzuar nga shtetet e tjera anëtare të BE-së, sa i takon aplikimit për skema të ngjashme. Sipas ministrit, në Qipro, aplikimi i një skeme të tillë për shitjen e shtetësisë ka filluar pas krizës ekonomike të vitit 2013 dhe, që prej asaj periudhe janë shitur rreth 1,864 shtetësi dhe janë gjeneruar rreth 6,6 miliardë euro. Gjatë periudhës 2016-2019, kjo skemë përbënte rreth 10% të rritjes së përgjithshme të PBB-së së Qipros. Ndryshimet e fundit janë bërë menjëherë pas një raporti të BE-së muajin e kaluar, ku thuhej se Qiproja nuk po bënte mjaftueshëm në drejtim të transparencës dhe të luftës kundër veprimtarive të paligjshme kriminale. Qipro, Malta dhe Bullgaria janë të vetmit anëtarë të bllokut prej 28 anëtarësh që zbatojnë skema të tilla për shitjen e shtetësisë, ndërsa 20 vende të tjera shesin lejet e qëndrimit.