Krijohet Sindikata e Infermierëve: Sabri Skënderi, do të mbrojmë të drejtat e tyre

2082
Sigal

Krijohet Sindikata e Infermierëve, kryetari Sabri Skënderi: Do të mbrojmë të drejtat e tyre!

Biora Vojka

Ngrihet një institucion i ri sindikalist për të mbështetur infermierët në rang vendi, të cilët vazhdojnë ende të përballen me probleme të shumta dhe diskriminime nga më të ndryshmet gjatë ushtrimit të profesionit të tyre

OBSH e ka shpallur vitin 2020 si “Vitin e Infermierëve”

“USHTARËT E PARAROJËS TË LUFTËRAVE TË ARDHSHME QË PO KËRCËNOJNË SOT BOTËN JANË INFERMIERËT!”

Ata vazhdojnë që të punojnë dhe të lodhen shumë, por mbeten ende më të diskriminuarit dhe të keqtrajtuarit e shërbimit shëndetësor të këtij vendi. Infermierët, këta “heronj të heshtur” siç janë mësuar t’i cilësojnë shpesh, edhe pse janë të parët që përballen me rreziqet e punës, ankthin e pacientëve, por edhe të familjarëve të tyre, mbeten realisht të fundit në mënyrën e trajtimit dhe të përfitimeve nga ushtrimi i profesionit. Pikërisht, janë të gjitha këto arsye që i kanë detyruar shumë prej tyre që të bashkohen në një organizëm të ri sindikalist, tek i cili do të gjejnë me siguri mbështetjen për zgjidhje të problematikave të mbartura ndër vite, nga njëra qeveri në tjetrën. Flet rreth saj kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Shqipërisë, z. Sabri Skënderi. Sipas tij, OBSH e ka shpallur vitin 2020 si “Vitin e Infermierëve”.Mes të tjerash ai u drejtohet me një kërkesë publike qeverisë, ministrisë së Shëndetësisë, politikë-bërësve, mjekëve, gjithë drejtuesve të sektorit shëndetësor, por në të njëjtën kohë edhe të gjithë qytetarëve se “infemierët janë ushtarët e pararojës së luftërave që kërcënojnë sot globin”. “Prandaj ktheheni vëmendjen tek ata, vlerësojini dhe trajnojini që t’i keni të përgatitur për çdo të papritur dhe sfidë globale”, apelon ai.

3.000 Infermierë në rang vendi mund të kenë ikur jashtë për të punuar në vende të tjera, që nga viti 2015 kur ka filluar kjo lëvizje

  1. Skënderi. Ju keni lajmëruar ditët e fundit krijimin e Sindikatës së Infermierëve. Përse lindi nevoja për të ngritur një të tillë në vendin tonë dhe a mund të na thoni se cili do të jetë funksioni i saj?

Krijimi i kësaj sindikate lindi si nevojë e një grupimi infermierësh që nuk po e gjenin veten dot në të ashtuquajurat “sindikata të vjetra”, të cilat asnjëherë ndër vite nuk ngritën dhe nuk i mbrojtën infermierët; nuk u morën me problemet e tyre dhe nuk i zgjidhën ato. Pikërisht, kjo kategori e punonjësve të kujdesit shëndetësor në vend, u grumbulluan që në shtator të vitit të kaluar dhe vendosën të largoheshin prej këtyre sindikatave dhe të krijonin një sindikatë të përbashkët për të gjithë infermierët e Shqipërisë.

Po ndonjë shkak tjetër a pati për të krijuar një strukturë të re sindikaliste në mbrojtje të kategorisë së infermierëve të këtij vendi?

Po. Shkak u bë edhe diskriminimi që u bëhet infermierëve në shumë institucione, siç është ai i rastit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ata detyroheshin deri edhe të paguanin për parkimin e makinave në mjediset e saj. Kurse mjekët dhe administrata nuk duhet të paguanin. Për këtë, ata u ngritën dhe e kërkuan zgjidhjen e të drejtës së tyre në rrugë administrative e thanë se vetëm pjesëmarrja në këtë sindikatë mund t’i jepte zë kërkesës së tyre. Dhe ata kanë besim se ajo patjetër që do të bëjë diçka…

Z .Skënderi. Cila është situata aktuale në të cilën gjendet kategoria e infermierëve të këtij vendi? Me çfarë problemesh reale përballen ata nga dita në ditë? Dhe bazuar tek to, në cilat shtylla bazohet programi i sindikatës së drejtuar prej jush?

Janë katër shtylla në të cilat bazohet programi i sindikatës sonë.

E para, është që t’i grumbullojë infermierët, t’i mbrojë ata dhe të kërkojë kushte të denja pune sipas ligjit ekzistues për ta, të cilat mungojnë.

E dyta, pagat e infermierëve janë më të ulëtat në rajon, por edhe brenda vendit nga të gjitha profesionet. Dhe sindikata jonë e re do të luftojë për ngritjen e tyre.

E treta, siguria e shëndetit në punë. Infermierët janë të përballur në mjediset e punës së tyre me infeksionet, me sëmundjet, me rrezatimet, etj dhe ligji ekzistues “Për sigurinë në punë” për ta nuk zbatohet.

E katërta, diskriminimi profesional i kësaj kategorie të kujdesit shëndetësor. Nga mjekët, nga drejtuesit, nga administrata, por edhe nga politikëbërësit dhe qeveritarët që as i dëgjojnë dhe interesohen për zgjidhjen e problemeve të tyre, duke i konsideruar si inferiorë.

Kohët e fundit, vendi po përballet e një “rrjedhje” të dukshme të infermierëve, falë shirave të larta të largimit të tyre nga vendi ynë, duke synuar vende më të mira pune në institucionet shëndetësore të Perëndimit, kryesisht në Gjermani. Sipas jush, përse po ndodh një dukuri e tillë? Përse po ikin infermierët nga ky vend dhe si do ta mbroni nga “shpopullimi” këtë shtresë të nderuar të shëndetësisë shqiptare?

Të ndodhur në kushtet edhe vështirësitë e lartpërmendura, këtu qëndron pikërisht dhe një nga arsyet kryesore të largimit të infermierëve. Pagat e ulëta, niveli i ulët ekonomik i tyre, mospasja e një të ardhme për të krijuar familje, apo për të jetuar normalisht në këtë vend, situata e trajtimit dhe e diskriminimit të tyre në pozita inferiore, mungesa e kushteve të denja të punës. Por nga ana tjetër, edhe status-kuoja e krijuar në shërbimet shëndetësore këta 15 vitet e fundit duke mos patur asnjë rritje të vendeve të punës apo të efektivitetit të punë, duket se po i detyron këta profesionistë të nderuar të kujdesit shëndetësor të marrin vendimin të largohen dhe ta ushtrojnë diku tjetër, jashtë territorit të Shqipërisë profesionin e tyre.

A dispononi shifra konkrete të infermierëve të larguar nga vendi ynë gjatë viteve të fundit? Apo sa kanë aplikuar për një vend pune jashtë tij?

Sipas shifrave dhe dokumentaconit që ne disponojmë, nga qershori i vitit 2017 deri në fund të 2018-tës kanë ikur 960 infermierë. Kurse vetëm për vitin 2019 janë larguar jashtë vendit 980. Pra, trendi ka ardhur në rritje nga viti në vit. Dhe deri tani, në rang vendi mund të keni ikur deri në 3 mijë infermierë për të punuar në vende të tjera, që nga viti 2015 kur ka filluar kjo lëvizje. Dhe siç shihet, është një trend në rritje e që po shtohet nga viti në vit. Prandaj, ne si sindikatë e re e Infermierëve mbetemi të angazhuar në zbutjen e këtij fenomeni, pikërisht duke luftuar fort për zgjidhjen e problematikave të tyre.

Çfarë apeli do t’u drejtonit institucioneve, por edhe opinionit publik lidhur me kontributin e përbashkët që duhet të japin për përmirësimin e punës së infermierëve?

Unë dua të përmend faktin se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur vitin 2020 si “Vitin e Infermierëve” dhe për këtë ka folur edhe vetë Papa Françesku para tre ditësh në një takim për infermierët, teksa i ka falenderuar ata dhe i ka quajtur “punëtorë të jetës”, “pararoja e jetës”… Dhe tashmë që kudo në botë, ky është shpallur si Viti i Infermierisë, punonjësit e këtij kujdesi duhet që të zgjohen. Sikundër edhe shoqëria nga ana e saj, e cila duhet të rrisë vëmendjen ndaj tyre. Ushtarët e luftërave në botë në pararojë kanë dalë infermierët, sepse bota po mundohet të shmangë luftërat dhe marrëveshjet që po e kërcënojnë atë dhe jetën në tërësi sot. Madje edhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump e ka përmendur këtë fakt. Për luftëra të tilla si ajo me korona-virusin e të ngjashme me të, ne duhet të përgatisim ushtarë, që t’i kemi të gatshëm të përballemi me to dhe të tillë janë vetëm infermierët. Prandaj kthejeni vëmendjen tek ata, vlerësojini dhe trajnojini që t’i keni të përgatitur për çdo të papritur dhe sfidë globale. Sot kërcënim nuk janë më SHBA-të, apo imperializmi, siç thuhej dikur. Dhe duhet ditur se nuk ka luftë pa ushtarë dhe se pararojë e luftërave të ardhshme që po kërcënojnë sot botën janë infermierët. Prandaj ta kthejmë vëmendjen tek ata!