KE: Shqiptarët nuk kanë para të blejnë as te “Gabi”

664
Sigal

Biznesi i tregtimit të veshjeve të përdorura në prag falimentimi. Anketa e Cilësisë së jetës së Jetës nga Komisioni Evropian tregon që 62% e shqiptarëve kanë deklaruar, se kanë deklaruar, se nuk kanë mundësi të blejnë rroba të reja dhe kjo përbën përqindjen më të lartë në Evropë. Importet e mallrave të përdorura u ulën me 18%, çka tregon se kriza po falimenton Shqipërinë

Biznesi i tregtimit të veshjeve të përdorura në prag të likuidimit, 62% e shqiptarëve kanë deklaruar se nuk kanë lekë për të marrë rroba të reja. Importet e mallrave të përdorura u ulën me 18% në 2018-n

Kriza falimenton Shqipërinë – Qytetarët nuk kanë para të blejnë as tek “Gabi”

Luljeta është një tregtare e re në tregun e rrobave të përdorura. Ajo e nisi këtë biznes vetëm një vit e gjysmë më parë, megjithatë thotë se nuk ka ndër mend ta vazhdojë. Muajin e ardhshëm, ajo do të lirojë ambientin dhe aktualisht po kërkon një blerës potencial për të shitur mallin në dyqan. Pas viteve me rritje dhe në zgjerim të vazhdueshëm, tregtia e rrobave të përdorura u tkurr me gati 20% në vitin 2018. Luljeta thotë për “Monitor” se vendosi që ta hapte këtë biznes, nisur nga përvoja e dyqaneve të tjera të të njëjtit lloj, në një zonë të rrahur nga kalimtarët, pranë kryqëzimit të Komunës së Parisit. Në këtë zonë numërohen disa dyqane, të cilat tregtojnë mallra të përdorura, veshje dhe këpucë, në një distancë të afërt me njëri-tjetrin. Shumë pranë Luljetës, një tjetër zonjë, Sonila, 35 vjeçe, zhvillon të njëjtin aktivitet. E pyetur për ecurinë e biznesit, ajo thotë: “Në tre muajt e fundit, shitjet kanë qenë më të ulëtat që kur ka hapur dyqanin për herë të parë. Arsyeja kryesore për rënien e shitjeve, sipas saj, është mungesa e kërkesës. “Njerëzit që vijnë për të blerë këtu kërkojnë ulje të mëdha, që nuk ma leverdis t’i bëj, pasi nuk arrij të nxjerr kostot” Në dyqanin e saj, klientët janë të pakët. Një kliente tha se kushtet ekonomike e kanë detyruar që të jetë frekuentuese e rregullt e mallrave të përdorura. Familja e saj përbëhet nga katër anëtarë, ku vetëm njëri prej tyre është në marrëdhënie pune, për pasojë, ajo nuk ka mundësi të blerë rroba të reja. Megjithatë ajo shton se edhe te mallrat e përdorura e ka të vështirë që të blejë rroba apo këpucë. Sipas saj, çmimet janë shtrenjtuar shumë. Tregtarët e vegjël shprehen se çmimi i mallrave të përdorura është rritur prej grosistëve të mëdhenj.

Operatorët në tregun e rrobave të përdorura e blejnë mallin me kilogramë dhe e shesin me copë, duke gjeneruar marzhe të larta fitimi. Çmimi për kilogramë për veshje të përdorura varion nga 400 deri në 2000 lekë. Krahas qendrave tregtare, që po marrin një pjesë të konsiderueshme të klientëve, dyqanet e rrugëve kryesore po ndiejnë konkurrencën edhe të Gabit. Konsumatorët janë gjithnjë në kërkim të çmimeve të lira.

Në 2018-n, importi shënoi rënie me gati 20%

Nga të dhënat e Doganës për mallrat e përdorura të importuara për konsum të brendshëm, në 2018-n hynë rreth 9 mijë tonë mallra të përdorura, me vlerë 1.1 miliardë lekë (rreth 8.9 milionë euro). Në krahasim me një vit më parë, importet e mallrave të përdorura për konsum të brendshëm janë rreth 15% më pak në peshë dhe 18% më pak në vlerë. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi mesatar për mallrat e përdorura për konsum të brendshëm është rreth 123.6 lekë. Në krahasim me një vit më parë, kur çmimi mesatar për një kilogram mall të përdorur ishte 128.9 lekë, ka qenë më i ulët, çka do të thotë që edhe cilësia e mallrave të importuara ka rënë përgjatë 2018-s. Në harkun kohor të 2008-2018, importi më i lartë i mallrave të përdorura, duke iu referuar të dhënave nga Dogana, ishte në vitin 2010, ku janë importuar rreth 13,400 ton mallra të përdorura. Bazuar te tregtarët e shitjeve me pakicë, tregtia e mallrave të përdorura ka marzhe të larta fitimi, duke qenë se malli zakonisht blihet me kilogramë dhe shitet me copë. Çmimi për kilogram nis nga 50 lekë dhe shkon deri në 1,700 lekë, në varësi të kategorisë që zgjedh. Çmimet më të larta aplikohen kryesisht tek ato thasë rrobash, të cilat janë të paveshura që vijnë kryesisht nga Anglia. Duke marrë parasysh deklarimet e tregtarëve të vegjël, deri te konsumatori final, vlera e mallit është rritur me 3 deri në 4 herë. Për vitin 2018, në total, tregu i rrobave të përdorura ka qarkulluar rreth 36 milionë euro.

Nga hyjnë mallrat e përdorura

Edhe për vitin 2018, Italia kryeson për sa u përket mallrave të përdorura sipas vendit të origjinës. Sipas të dhënave të INSTAT për kodin doganor 63, importi i mallrave të përdorura nga Italia zinte 41% e mallrave të importuar. 20% e mallrave të përdorura vijnë nga Kina, ndjekur nga Turqia me rreth 15% të totalit të tregut të rrobave të përdorura. Rrobat nga Gjermania për 2018-n i përgjigjeshin vetëm 6% të totalit. Në 2017-n, pesha mallrave të përdorura të importuara nga Italia ishte më e lartë, me rreth 45% të totalit, ndërsa pesha e rrobave të importuara nga Kina, më e ulët se në 2018-n, me rreth 15%. Në vitin 2017 importet u përllogaritën në rreth 13%, ndërsa nga Gjermania, 8%.

Konkurrenca nga firmat ekonomike

Një ndër arsyet kryesore që japin tregtarët e vegjël që shesin rroba të përdorura është konkurrenca nga dyqanet e lira në qendrat tregtare. Disa nga brand-et që kanë hyrë në Shqipëri po konkurrojnë tregun e veshjeve të përdorura me çmimin e lirë. Mund të thuhet se gabi nuk është i preferuari i vetëm i shqiptarëve. Janë dy marka veshjesh të reja, për të cilat shqiptarët kanë shpenzuar jo pak, por 46 milionë euro në vitin 2017, me një rritje prej 30% në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo shumë është ndarë përgjysmë mes veshjeve të Zara-s e markave të tjera të ITX Albania si dhe LC Waikiki, që janë dy dyqanet më të mëdha të veshjeve në Shqipëri dhe po shohin rritje të fortë vit pas viti. Të ardhurat e ITX Albania, në pronësi të kompanisë Zara Holding B.V, që tregton markat Zara, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius etj., arritën në 3.07 miliardë lekë në 2017-n (rreth 23 milionë euro), me një rritje prej gati 20% në raport me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga tatimet. Që kur ka hyrë në Shqipëri në vitin 2013, ITX Albania ka parë rritje dyshifrore të të ardhurave vit pas viti, i ndihmuar dhe nga preferenca e shqiptarëve për këtë markë të njohur, që përpara se ajo të hynte në Shqipëri. Një tjetër markë me rritje të shpejtë është LC Waikiki Retail AL, me origjinë nga Turqia, që hyri në Shqipëri në vitin 2010. Të ardhurat e saj ishin 3.06 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro), në vitin 2017, me një zgjerim të fortë 43% në krahasim me një vit më parë. E përqendruar në segmentin e tregtimit të veshjeve me çmime të lira, LC Waikiki ka rezultuar e suksesshme dhe është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Rritja LC Waikiki po konkurron tregun e veshjeve të përdorura, ndërsa zgjerimi i ITX Albania dhe ka goditur dyqanet e vogla (të veshjeve të reja), të cilat tregtojnë veshje relativisht të lira. Ledina LogaB

62% e shqiptarëve nuk blejnë dot rroba të reja

62% e shqiptarëve kanë deklaruar se nuk kanë mundësi që të blejnë rroba të reja. Në Anketën e Cilësisë së Jetës, nga Komisioni Evropian, te vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar, jepet një panoramë e cilësisë së jetës së qytetarëve evropianë duke u bazuar në disa indikatorë. Pyetësori është bërë për fusha të caktuara të jetës që nga mirëqenia, shëndeti, kushtet dhe orët e punës në shtëpi, aksesi në shërbimet publike etj. Ndër të tjera, në seksionin e standardeve të jetesës dhe mungesave, qytetarët janë pyetur nëse kanë mundësi që të blejnë rroba të reja në vend të atyre të përdorura. Rreth 62% e shqiptarëve të pyetur deklaruan se nuk mund ta përballojnë blerjen e rrobave të reja. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Evropën. Mesatarja e vendeve evropiane, të cilët janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të blejnë rroba të reja në vend të atyre të përdorura është rreth 15%. Ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian përqindja më e lartë është në Rumani, ku 42% e qytetarëve atje janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të blejnë rroba të reja dhe në Greqi me 41% të të intervistuarve që kanë pohuar të njëjtën gjë. Në vendet e tjera kandidate për t’u anëtarësuar, pas Shqipërisë që mban rekordin, përqindjen më të lartë e ka Maqedonia me rreth 42%. Më pas renditen Turqia dhe Mali i Zi me rreth 34% të të pyeturve që kanë deklaruar se nuk e përballojnë dot blerjen e rrobave të reja.
Arsyeja kryesore që i çon individët drejt mallrave të përdorura është niveli i ulët i të ardhurave. Në këtë anketë, përgjigjet e të anketuarve që i përkisnin nivelit të parë të të ardhurave nga katër që janë gjithsej, të cilët janë personat me të ardhurat më të ulëta, rreth 85% e të anketuarve thanë se nuk mund të përballojnë rroba të reja. Tek individët që i përkisnin nivelit të dytë të ardhurave, 72% deklaruan se nuk kanë mundësi të blejnë rroba të reja. Tek individët që i përkasin nivelit të tretë dhe të katër të të ardhurave, përqindja e personave që thanë se nuk mund të përballojnë blerjen e rrobave të reja është më e ulët. Por edhe pse janë mbi nivelin mesatar të të ardhurave, më shumë se gjysma e individëve që i përkasin nivelit të tretë të të ardhurave janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të blejnë rroba të reja.
Por ka dhe kështu! Ndonëse i përkasin nivelit të katërt të të ardhurave, 29% e të pyeturve deklaruan se nuk e përballojnë dot blerjen e rrobave të reja, në krahasim me 6% të qytetarëve evropianë. Gjithashtu dihet se “pazari” është kryesisht sëmundje e gjinisë femërore. 66% e femrave të anketuara janë përgjigjur se nuk mund ta përballojnë dot blerjen e rrobave të reja, përkundrejt 59% të meshkujve.
Në Anketën e Cilësisë së Jetës 2016 janë mbledhur të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme në të gjithë Evropën, dhe për herë të parë janë përfshirë vendet kandidate si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Anketa në këto vende është zhvilluar në periudhën nëntor 2016 – mars 2017, me një kampion të zgjedhur rastësisht prej 1,000 banorësh për shtetet e vogla dhe 1300 banorësh për shtetet më të mëdha. Në të gjithë Evropën janë zhvilluar në total 36,900 intervista.B

Rrobat e përdorura, pse po bie kërkesa në mbarë botën?

Rritja e së ashtuquajturës “modë e shpejtë” do të thotë që konsumatorët mund të blejnë veshjet e tendencës së fundit sapo ato dizajnohen, shkruan një artikull i BBC, i cili i kushtohet rënies së kërkesës në botë. Shumë prej nesh e kanë si traditë dhurimin e rrobave të përdorura. Tashmë edhe në Tiranë ka vende të posaçme ku mund të lësh rrobat që kërkon t’i dhurosh për bamirësi. Megjithatë, sipas Oxfam, dhurimet në dyqane u rritën me 2% në vitin e shkuar. Në shumë drejtime, ky është një rreth vicioz. Por vetëm 10-20% e rrobave të dhuruara janë shitur nëpërmjet pikave të bamirësisë si Oxfam. Pjesa tjetër e këtyre rrobave shiten te distributorët, të cilët më pas i kategorizojnë rrobat dhe i dërgojnë në vende si Pakistani apo Malajzia, ku shiten në tregjet e mallrave të përdorura ose produktet riciklohen. Problemi, sipas artikullit të BBC, është se këto vende nuk duan më rroba të përdorura. Në total, tregu global i eksporteve të mallrave të përdorura përllogaritet të jetë rreth 4 miliardë dollarë. Analiza e të dhënave e Kombeve të Bashkuara nga BBC tregon se zyrtarisht, bizneset që tregtojnë rroba të përdorura kanë shënuar rënie në këto vitet e fundit, si në sasi, edhe në vlerë. Ruanda, Kenia, Tanzania, Sudani i Jugut dhe Burundi, së fundi deklaruan se kanë për qëllim që të ndalin importin e rrobave të përdorura nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë eksportuesi më i madh i rrobave në botë. Sipas të dhënave të Oxfam, Amerika eksporton rreth 575 milionë dollarë rroba të përdorura në vit. Pas saj renditet Mbretëria e Bashkuar me 477 milionë dollarë, Gjermania me 394 milionë dollarë, Koreja me 270 milionë dollarë, Kina me 218 milionë dollarë. Në listën e top-eksportuesve të rrobave të përdorura renditet edhe Holanda me 197 milionë dollarë, e ndjekur nga Polonia me 162 milionë dhe Belgjika me 139 milionë dollarë. Në fund të klasifikimit qëndrojnë Kanadaja me 126 milionë dhe Italia me 118 milionë dollarë.
Tregtarët që merren me tregtimin e rrobave të përdorura thonë se tashmë biznesi i tyre ka marrë tatëpjetën. Rrobat tashmë janë një biznes ndërkombëtar dhe mund të blihen nga një cep i botës në tjetrin online. Prodhuesit e dinë se konsumatorët janë më të interesuar për produkte me çmime të ulëta sesa për produkte rezistente. Sjellja konsumatore ka ndryshuar së fundmi, pasi ata presin që t’i veshin më pak herë rrobat dhe t’i hedhin.