Korça në dimrin e mjerimit/ Drogë, vjedhje, kontrabandë, të rinj të papunë dhe sirianë, që shkojnë drejt vendeve të BE-së

953
Sigal

Korçë, mjeran ky dimri i sivjetshëm: Drogë, vjedhje, kontrabandë dhe të rinj të pashpresë

Vëzhgim nga Vali BERI

Mjeran ky dimër i sivjetshëm. Njerëz të trishtuar sheh nëpër rrugët e ftohta. Ata që ende nuk kanë marrë drutë e dimrit, nuk kanë për t’i marrë dot as më vonë. E kanë të pamundur. Makinat e ngarkuara me dru, bredhin rrugëve të Korçës, por askush nuk i ndalon. Njerëz me sëpata në dorë thërresin pa pushim “Kush ka dru për të prerë”, por askush s’i dëgjon. Për shumë familje, i vetmi mjet ngrohës është kuverta. Puna është mbyllur. Që nga fillimi i dhjetorit, nuk bëhen më ndërtime. Ustallarët, punëtorët e llaçit, ndërtuesit e skelave, transportuesit e materialeve, nuk shkojnë më në punë. Tashmë presin të vijë muaji maj, por deri atëherë është shumë larg, duhen edhe disa muaj, por dritat, uji dhe taksat e tjera duhen paguar, askush nuk ta qan hallin ke lekë ose jo. Dëshpërimi ndihet ngado. Endacakët shfaqen herë pas herë në kërkim të ndonjë banese të vjetër ku mund të fusin kokën. Një vit më parë u gjetën të vdekur mes godinave ku futej bora dhe frynte era. Dëshpërimi është i madh. Mjerimi ndihet gjithandej; edhe ata që prodhuan perime, fruta etj., nuk mundën t’i shisnin prodhimet e tyre. Në vend të fitimit morën humbjen. Njerëz të dëshpëruar që gjejnë ngushëllimin te alkooli lëkundën nëpër rrugë si fantazma. Shpesh ata krijojnë probleme, jo më kot thuhet: “Qëndro jo më pak se 7 hapa nga elefanti, 10 nga budallai, 30 nga i dehuri”. Ka të rinj që që nuk i binden policisë: Kristi Kula, 18 vjeç, banues në Vloçisht, Maliq, u arrestua duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, me targë AA076UF, pa leje drejtimi, si dhe nuk iu bind punonjësve të policisë; ka të tjerë që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur: Për këtë arsye u arrestua Mikel Thanasi, 54 vjeç, banues në Korçë. Lypsarët qëndrojnë mes të ftohtit si statuja me dorën shtrirë e lutjen, “më jep 100 lekë”. Të paktë janë ata që dhurojnë ndonjë monedhë, sepse nuk kanë as për vete: “Ah moj zemër, – i thotë dikush, – ta dish ti, edhe unë jam më keq se ty”. Jeta e shumë të rinjve mbetet pa perspektivë. Situata është e ngjashme në të pesë qytetet e qarkut: Korçë, Pogradec, Devoll, Ersekë e Leskovik. Të rinjtë sakrifikojnë të ardhmen e tyre me trafik lëndësh narkotike, kurse të moshuarit me vjedhje. Të gjitha rastet e përmendura të përmendim i përkasin muajit që sapo lamë pas.

Kontrabandë mallrash

Për të dalë nga situata e vështirë edhe njerëzit me shkollë, që kanë diku një vend pune tentojnë të kryejnë punë të paligjshme, duke rrezikuar edhe humbjen e vendit të punës. I tillë ishte rasti i doganierit me inicialet L. K., 59 vjeç, në doganën e Kapshticës, i cili në bashkëpunim me 4 persona të tjerë u arrestuan nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë; tre prej tyre nuk i kishin kaluar as të 30-at, ishim mjaft të rinj; një nisje e keqe e jetës së tyre. Gjithkujt i vjen keq, por ligji është ligj. Punët e paligjshme janë të dënueshme, megjithatë provojnë të nxjerrin ndonjë lek. Personat e mësipërm, tentuan të fusnin mallra kontrabandë, fruta të thata, nëpërmjet doganës së Kapshticës. U kapën. Vetëm njëri prej tyre mund të ikte, por jeta në arrati është shumë më e vështirë, nuk të jep asnjë shpresë se një ditë nuk do të kapesh. Njoftimi i policisë bënte të ditur: Kapshticë, 30.11.2018, arrestohet një doganier për “shpërdorim detyre”, pasi lejoi kalimin e 4 mjeteve me mall të dyshuar kontrabandë, pa ushtruar kontrollin përkatës. Arrestohen dhe 3 shtetas të tjerë si dhe 1 shpallet në kërkim, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale bazuar në nenet 248 e 174 të Kodit Penal. Për ilustrim po sjellim edhe një rast tjetër: SHÇBA në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, finalizuan operacionin për goditjen e një linje të kontrabandimit të mallrave të ndaluara (goma të përdorura) që kryhej në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës. U arrestuan 9 persona, 5 prej të cilëve ishin doganierë, u sekuestruan 2.1000 goma të përdorura. Nga sa shihet më sipër, shumica janë të rinj. Ëndrra për të gjetur një punë të ligjshme mbetet e vështirë. Njerëzit kanë vetëm dy gjëra të sigurta: vdekjen dhe taksat, por jo punën. Gjithashtu Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar, finalizoi operacionin e koduar “Pritja” për shpërdorim detyre, duke i shmangur masën administrative një subjekti tregtar, në këmbim të ryshfetit. U arrestuan në flagrancë tre punonjës të Hetimit Tatimor. Ndërkohë u shënuan edhe dy raste të tjera.

Drogë, vjedhje dhe sirianë që shkojnë drejt vendeve të BE-së

Droga është ajo që mashtron të rinjtë për t’u pasuruar sa më shpejt. Aty ku ka lëndë narkotike ka edhe armë. Njoftimet e policisë nuk mungojnë: Pogradec, 28 11. 2018: Policia e Pogradecit, arrestoi në flagrancë 1 shtetas dhe shpall në kërkim 1 tjetër, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. U sekuestrohet 394 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë si dhe municion, në posedim të tyre. Edhe në këtë rast personat ishin mjaft të rinjë, njëri 24 vjeç dhe tjetri 26. Pak ditë më parë u ndalua edhe Mariol Kolonjari, 30 vjeç, banues në Korçë, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, e kishte dënuar këtë shtetas me 6 vjet burg, nga të cilat i kishin mbetur për të vuajtur edhe 3 vjet e 4 ditë burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Tashmë ka nisur edhe një aktivitet i paligjshëm. Ndihmohen refugjatët që vinë nga Siria për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Më 23.11.2018, specialistët e Seksionit për Trafikun e Paligjshëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: E. B, 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi në banesën e tij në fshatin Trestenik të Devollit, u gjetën tre shtetas të huaj të cilët kishin kaluar kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme dhe dyshohet se do të ndihmoheshin nga E. B, për t’u transportuar drejt vendeve të BE.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298/1 të Kodit Penal. Pra për shumë njerëz, në mungesë të një vendi pune, sigurimin e të ardhurave e shikojnë te droga, kontrabanda dhe vjedhjet, madje duke vjedhur gjithçka munden: Shtetasi P. F., 52 vjeç, banues në Korçë, u arrestua pasi, pranë kryqëzimit të fshatit Floq, pasi u në mjetin e tij iu gjet një sasi prej 80 litra naftë, ndërsa në banesën e tij iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 350 litra naftë të tjera, sasi e cila dyshohej se ishte vjedhur nga mjetet e një firme që kryen punime pranë gazsjellësit TAP. Dhe e vërteta është se TAP-i ka qenë gjithnjë i sulmuar për vjedhje karburanti. Veç rastit të mësipërm u arrestua edhe shtetasi me inicialet S.Sh, 37 vjeç nga Korça i cili u kap me një sasi nafte prej 360 litrash të vjedhur te TAP-i Varfëria dhe mungesa e punës, po nxit njerëzit, të moshuar dhe të rinj, drejt kryerjes së veprave penale, të vjedhjes, kontrabandë, drogës etj.

Megjithatë varfëria ndihet ngado dhe dëshpërimi është i madh. Në rrugët e Korçës bën shumë ftohtë.