Këshilli drejtues i RTSH/ Kuvendi fut në krizë KDRTSH, 6 anëtarëve u ka mbaruar mandati, por ende nuk po votohen nga parlamenti

772
Sigal

Kuvendi mban peng pikën pesë të kritereve për integrimin e vendit në BE, që ka të bëjë me lirinë e shtypit dhe medias

 Danja Zere

Një nga kriteret bazë të BE-se si pjesë e 5 kushteve të integrimit të vendit në strukturat evropiane është edhe liria e medias, transparenca dhe paanësia e saj. Në Shqipëri televizioni publik kombëtar funksionin mbi bazën e disa kritereve dhe në krye të tij ka një organ vendimmarrës sikurse është Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar.

  • Po si po funksionon ky institucion?
  • A është i pavarur?
  • Cilat janë arsyet që ai mbahet “peng” në konstituivin e tij, dhe a po tentohet të kapet edhe ky institucion i pavarur që mbahet nga taksa shtesë e taksapaguesve shqiptar?

Sipas orientimeve të OSBE-së, e cila ka ndjekur në vazhdimësi zgjedhjen e anëtarëve të KDRTSH  si dhe orientimet e kohëve të fundit të agjencive dhe organizatave për të drejtat e njeriut dhe lirisë së shtypit dhe medias për mos ndikimin e politikës në media etj., parlamenti ynë duhej të kishte mbyllur emërimet e reja dhe zëvendësimin e anëtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati. Sipas vendimeve të parlamentit çdo anëtar ka një mandat pesëvjeçar në KDRTSH  dhe, në mbarimin e afatit ligjor,  Kuvendi i Shqipërisë shpall konkursin e vendeve vakante në afatin kohor 30 ditor për paraqitjen e kandidaturave  dhe plotësimin e dokumenteve sipas kërkesave të Kuvendit. Në muajin shtator 2018 u bë njoftimi për 3 vende vakante që mbushnin mandatin në këshillin e KDRTSH si Pashk Pervathi, Artan Peqini dhe Helidon Haliti. Sipas ligjit për mediat audivizive, për çdo vend duhet të kandidojnë 4 kandidatë . Realisht kandiduan 12 subjekte dhe pas verifikimit të dokumenteve nga komisioni i Medias të Kuvendit të të gjithë anëtarëve që kandidojnë rezultoi, se një nga anëtarët, kishte probleme me pastërtinë e figurës ose, e thënë më troç, rezultoi si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kandidatët e tjerë u paraqitën para komisionit të medias dhe u shpallën fituesit me votim konsensual nga anëtarët e komisionit. Tre fituesit, në 4 shkurt 2019, edhe sipas rregullores së Kuvendit kalojnë për votim në seancën e parë plenare, por çuditërisht deputetë të Partisë Socialiste kanë kërkuar shtyrjen e votimit, duke e nxjerrë nga rendi i ditës këtë emërimin e anëtarëve të rinj të KDRTSH, duke e futur edhe këtë institucion në krizë të plotë, ashtu sikurse janë futur edhe institucionet e tjera të gjyqësorit, drejtësisë, KLSH etj.

 Kriza për KDRTSH

Sikur të mos mjaftonte mungesa e tre anëtarëve, të cilët u certifikuan nga komisioni parlamentar, por që nuk po marrin dritën jeshile prej muajsh nga Kuvendi, edhe tre anëtarëve të tjerë të KDRTSH, u ka mbaruar mandati. Në këtë mënyrë ky institucion është futur në qorrsokak, duke vulosur me të drejtë konstatimin e institucioneve evropiane dhe atyre të të mbrojtjes së lirive të gazetarëve, se shtypi dhe media në Shqipëri është marrë peng nga qeveria. Jo rastësisht, sondazhi për lirinë e medias në vendin tonë kishte pësuar rënie në 8 shkallë. Sipas njoftimit të Kuvendit, të datës 19 mars 2019,  Saimir Kumbaros, Xhelil Aliut, Xhamal Matos, u ka mbaruar mandati. Në kohën kur Kuvendi akoma nuk ka përfunduar zëvendësimin e tre vendeve që presin që nga shtatori i vitit 2018 dhe shkurti i vitit 2019 shpall vendet e tjera vakante për kandidim në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se tre anëtarët prej disa muajsh të aprovuar nga komisioni i Medias janë në pritje. Kjo është një krizë totale e KDRTSH  për emërimin e anëtarët e saj, mirëfunksionimin e këtij institucioni dhe prerjen e rrugës së abuzivizmit. Pra, pika 5 e kritereve të BE për integrimin e vendit, nuk është e realizuar dhe, kjo është një arsye më shumë që mbrojtësit e lirisë, shtypit dhe medias pranë strukturave euro-atlantike të reagojnë për këtë “harresë” të qëllimshme që i shërben kapjes së të vetmit institucion publik nga qeveria socialiste.