KESH, 3 ditë para stuhisë bleu me nxitim 12 mln euro energji për gjithë nëntorin. Pas shirave, bëri tender për shitjen

58
Sigal

 

Pas stuhisë Ciaran, KESH ka shitur rreth 38 mijë megavat orë energji elektrike,  çka tregon se vendi ndodhet në situatë optimal të rezervës hidrike. Por, vetëm tre ditë para se stuhia të përfshinte Shqipërinë, KESH bleu me nxitim rreth 12 milionë euro energji elektrike për të gjithë muajin nëntor, në një kohë që vendi pritej të përfshihej nga reshje të dendura shiu.

 Hije dyshimi për shpërdorim të financave publike nga Korporata Elektroenergjitike janë ngritur për shkak të tenderave të zhvilluar nga enti i energjisë gjatë ditëve të fundit. Pas stuhisë Ciaran, KESH ka shitur rreth 38 mijë megavat orë energji elektrike,  çka tregon se vendi ndodhet në situatë optimal të rezervës hidrike. Por, vetëm tre ditë para se stuhia të përfshinte Shqipërinë, KESH bleu me nxitim rreth 12 milionë euro energji elektrike për të gjithë muajin nëntor, në një kohë që vendi pritej të përfshihej nga reshje të dendura shiu.

Stuhia “Ciaran” që përfshiu territorin e vendit tonë për disa ditë, duket se ka sjellë përmirësim të situatës hidrike në tre hidrocentralet e lumit Drin. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare për nivelin e ujit në tre basenet e hidrocentraleve që ndodhen në lumin Drin, duket se situata është optimale, aq sa Korporata eleketroenergjitike ka nisur të shesë energji elektrike.

Fill pas stuhisë, KESH ka zhvilluar dy tendera për shitje të energjisë elektrike, për datat 6-7 nëntor dhe datat 8-12 nëntor. Në të dy tenderat, KESH ka shitur rreth 37 mijë megavat orë energji elektrike, duke arkëtuar rreth 4 milionë euro. Mirëpo, shitja e energjisë nga KESH vetëm një ditë pasi vendi u përfshi nga stuhia Ciaran, ngre pikëpyetje të mëdha, për dy tendera që korporata zhvilloi në fund të muajit tetor kur doli në tregjet ndërkombëtare për të blerë energji elektrike pikërisht për të gjithë muajin nëntor. konkretisht, në datën 27 dhe 29 tetor, KESH bleu rreth 12 milionë euro energji elektrike për plotësimin e nevojave të vendit  nga data 1 deri në datën 30 nëntor.

Këto dy tendera të KESH u zhvilluan vetëm tre ditë përpara se stuhia “Ciaran” të mbërrinte në Shqipëri dhe në një kohë që ishte parashikuar që në vendin tonë do të kishte rrebeshe shiu, në rajonin verilindor, të cilat për pasojë do të ndikonin në situatën hidrike në kaskadën e Drinit. Mbetet për t`u sqaruar nga KESH arsyet pse bleu energji elektrike për të gjithë muajin nëntor, në një kohë që faktet tregojnë që situata e rezervës hidrike në vend nuk ka qenë në kushte kritike, dhe në të njëjtën kohë priteshin edhe reshjet që kanë ndikuar në shtimin e rezervës hidrike në vend.