Analizë nga Prof. Dr. Gjergji Foto
Çdo kush, i gjallë në këtë vend që quhet Shqipëri, duhet të mbetet gjallë, deri sa trupi të ketë aftësinë të jetojë, ndryshe çfarë na duhet qeverisja. Për fat të keq, sot zemë vendin e mbi 100 për varfërinë. Keqadministrimi i shtetit dhe keqkuptimi i konceptit “Demokraci”, kërkon zbatimin e mësimeve të Dankuas, i cili ndriçoi rrugën e popullit të vetë që kishte mbetur i humbur në pyllin e errët duke bërë zgjedhjen e duhur të shtetarëve
- Duhet të buçasin topat, festë mbi festat, për herë të parë, ndjej që na dëgjoi Qeveria për pensionet qesharake
- -Qeveria rriti “bazën” nga fillon llogaritja e pensionit, por jo vetëm e pensionistëve, por edhe të papunëve të shumtë!
- -Çdokush, i gjallë në këtë vend që quhet Shqipëri, brenda kufijve ekzistues, duhet të jetë dhe të mbetet gjallë, deri sa trupi të ketë aftësinë të jetojë, por jo të punojë.
- -Çdo qeveri e shtet, e ka për detyrë parësore të mbajë gjallë shtetarët e vet që të ekzistojë nënshtetasi shqiptar, ndryshe çfarë na duhet një qeveri dhe qeverisja?
Prof. Dr. Gjergji Foto
Ju lumtë ju qeverisja aktuale!
Mos vallë ndodhin dhe mrekullira? ! Duhet të buçasin topat ! Kjo, është festë mbi festat ! Për herë të parë, ndjej që na dëgjoi Qeveria. Rriti “bazën” nga fillon llogaritja e pensionit, por jo vetëm e pensionistëve por edhe e të papunëve të shumtë! Kush nuk e kupton po e shpiegoj çfarë është kjo “bazë”; Çdo kush, i gjallë në këtë vend që quhet Shqipëri, brenda kufijve ekzistues, duhet të jetë dhe të mbetet gjallë, deri sa trupi të ketë aftësinë të jetojë, por jo të punojë. Çdo qeveri e shtet, e ka për detyrë parësore të mbajë gjallë shtetarët e vet që të ekzistojë nënshtetasi shqiptar, ndryshe çfarë na duhet një qeveri dhe qeverisja? Kryefamiljari bën përpjekje të mbajë gjallë familjen e vet, paçka se bashkëshorten e ka zgjedhur vetë dhe domosdoshmërisht do t’a mbajë gjallë, ndërsa fëmijët, shpesh të paplanifikuar dhe rrallë me plan, i solli vetë në jetë (Ah ai seksi “i mallkuar” që njerëzit, si thotë Xhorxh Foremani, e pëlqejnë shumë) dhe për ta, ka detyrimin t’i mbajë gjallë. Qeveritarët, zgjidhen nga populli, se janë treguar trima e sypatrembur ndaj sulmeve të armikut, se janë të zgjuar e të zotë, për të administruar dhe shtuar burimet natyrore të vendit, në dobi të rritjes së mirëqenies së popullit të vet, ndaj turma njerëzore, me ose edhe pa ndërgjegje, i sheh, i vlerëson, u bindet shpëtimtarëve të vet dhe i ndjek pas ata. Deri këtu, kuptohet se shteti, që të mbajë gjallë shtetarët e vet, duhet t’u sigurojë ushqimin ditor, gjithmonë e në sasi të mjaftueshme, jo vetëm për të përballuar shtesën natyrore të popullsisë, por në vazhdimësi edhe cilësinë e jetës së tyre, edhe sikur ata të mos bëjnë asgjë tjetër. Kjo është e para detyrë humanitare, e qeverisë, ndryshe çfarë na duhet qeveria dhe qeveritarët?
Dhe tani, shtator 2024
Ne, sidomos brezi i tretë, kemi mësuar në librin e Këndimit, pas Abetares, ndaj nuk e harrojmë, këtë mësim të jetës, se “Dankua, shqeu kraharorin, nxori zemrën dhe me të, ndriçoi rrugën e popullit të vet, që kishte mbetur i humbur në pyllin e errët”. Sidomos ne, të brezit të tretë, e kemi mësuar këtë në shkollën fillore, që në vitet ’50, dhe me këtë mësim jete, kemi matur dhe masim punën e gjithë qeveritarëve tanë. Pikërisht sot, jemi mbi 700 mijë shpirtra të gjallë. Ky numër, rritet, mbetet në vend ose edhe zbret me hope. Rritja, pasqyron punën e qeveritarëve në kohë, e që do të thotë se rritet mosha mesatare e jetëgjatësisë. Besoj se nga vitet para pushtimit fashist dhe deri sot, është rritur afër dy herë jetëgjatësia dhe numri i popullsisë, deri katër herë. Bashkë me to, janë rritur, mbetur në vend, apo edhe zbritur edhe pasuritë natyrore, në tokë, nëntokë, në det dhe nëndet. Ne, të vjetrit, e bëmë vendin, të zerë vendin e dytë në Evropë, për burimet potenciale natyrore për frymë të popullsisë dhe lëmë mbrapa larg Italinë, Francën, Gjermaninë, etj; të paktën kështu na vlerësojnë institucionet e huaja. Për fat të keq, sot zemë vendin mbi njëqind për varfërinë, e kjo, tregon “ashiqare”, keqadministrimin e shtetarëve tanë, të paktën të këtyre tetëdhjetë viteve të fundit. Keqadministrim, për arsye ideologjie ose keqkuptim të konceptit “Demokraci”. Ne, e bëmë punën tonë, por nuk kemi bërë zgjedhjen e duhur të shtetarëve, që jemi në këtë gjendje.
Qeveria jonë, në vitin 1993, me ligjin Nr. 7703; dt 11/5; na tha se, kishte aq pak para në “xhep” sa për të na mbajtur gjallë, na dha një pension social që është “në themel”, mbi të cilin ngrihen kontributet e punës së secilit dhe nga rezulton shuma e pensionit nga puna dhe pagesa e sigurimit shoqëror për një pensionist, vetëm prej 6850 lekë në muaj, ose rreth 230 lekë në ditë. Sipas qeveritarëve të pas nëntëdhjetës, në vitin 1993, nga gjithë puna e bërë për 45 vjetë, në “thes”, kaq lek ishin dhe kjo, ishte “pasuria” që bëmë ne që gjendemi në moshën e tretë sot. Jam i bindur që te kjo shumë ose pasuria që bëmë ne, nuk mund të ketë qenë kaqë. Unë, nuk e kam mundësinë ta argumentoj, por ka gati një vit, që dhjetëra “ekspertë” që shkruajnë e flasin në media, nuk e kanë përmendur asnjëherë këtë shifër themel të pensionit dhe që del nga thesari i shtetit ose buxheti, si detyrim i qeveritarëve, për të mbajtur gjallë këtë popull. Natyrisht që shtetarët tanë, kanë detyrime të mëdha edhe për pjesën e dytë që vendoset mbi themel, nga që në atë pjesë përfshihet aftësia e qeveritarëve për të siguruar punësimin e popullit të vet, sipas kushtetutës, për të përcaktuar drejtimet më efektive të zhvillimit të vendit dhe rradhën që do të zenë burimet e sigurimit të të ardhurave etj, etj. Por unë, nuk mund të them se drejtimet e sigurimit të të ardhurave më të mëdha janë pikërisht ato që janë zbatuar në këtë vend, pas këtij ligji të pensioneve. Sigurimi i punësimit të popullsisë dhe të ardhurave më të mëdha, nga puna, nuk mund të vijnë me një ekonomi shërbimesh, pa bujqësinë, pa industrinë nxjerrëse etj. Ne, nuk i siguruam të ardhurat e vendit, me turizmin. Varfëria jonë e shpërndarë, e shprehur në pagat tona, erdhi se norma e akumulimit nga Pushteti Popullor, ku punuam ne, ishte tepër e lartë, dhe këtë e pranuam pasi patëm synimin për të arritur vendet e evropës.
Në një artikull timin në gazetën “Dita” të dt 3 Mars 2016, i drejtova një pyetje z. Fadil Kepi, si teoricieni i llogaritjes së pensioneve (mbase jo konceptuesi i proçedurave llogaritëse), nëpërmjet gazetës Telegraf, që kishte marrë përsipër sqarimet për problemet e pensioneve, si më poshtë:
“A mund të më thotë z. Fadil Kepi që trajton teorinë e pensioneve për çdo fushë e punë se ç’përfaqëson pensioni social, pse është pranuar si shumë bazë vlera 6750 lekë?” Por nuk morra përgjigje. Dhe në vazhdim, shkrova;
“Eeeee ?! Pas 23 vitesh nga ligji për pensionet, qeveria, veç shumë korigjimeve të tjera, së fundi u kujtua se pensioni social sot, nuk duhej dhe nuk mund të ishte 6850 lekët, si bazë për të siguruar të qenit gjallë. Që dje, ai pension social u bë 11000 lekë (ose rreth 3500 lekë në ditë), dhe e tregoi veten që i ka merak shtetarët e vet. Por për ne që i kemi dhënë shumë këtij vendi, është përsëri i vogël. Jo vetëm se çmimet janë ngritur mjaftueshëm, se edhe llojet e sëmundjeve janë shtuar, por edhe se arsimi dhe shëndetësia nuk janë më falas, se janë shtuar makinat por karburanti ka çmim tepër të lartë, se “nuk po na lë rehat edhe natyra”, hérë pas hére na i “përlan” dhe përmbyt ato pak pasuri që kemi, se nuk kujdeset kush për mirëmbajtje të veprave në bujqësi, apo ndonjëherë, na i prish shtëpitë (shpesh të ndërtuara pa leje) edhe shteti, apo kur edhe “i zoti” i Bankës së Shtetit, nuk e kupton se është aty për të ruajtur ato pasuri tonat dhe jo për të lejuar hajdutët të “tallen në bixhoz” me pasurinë tonë, apo të vidhen taksat etj etj. Pa lé që nuk na lënë rehat as të huajt dhe fqinjët. Jo vetëm që po “shtrydhin” pasuritë tona minerale dhe naftën dhe gazin për të rritur rrogat dhe të ardhurat në vendin e tyre, por edhe duan të na marrin edhe trojet tona! T’a lëmë me kaq e mos e zgjatim më!