Inceneratorët po “ djegin” vetëm fondet, zhduken 120 mln euro për plehrat

50

Qytetet kryesore të vendit përballen njëherazi me kosto të larta të trajtimit të mbetjeve dhe ndodhen para një emergjence mjedisore, pasi mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Tiranë po grumbullohen në landfillet pranë inceneratorëve që nuk punojnë.

Sigal

Projektet e inceneratorëve për djegien e mbetjeve hyjnë në investimet më të mëdha të qeverisë për nga vlera në gjashtë vitet e fundit, por ato nuk kanë pasur asnjë rol në trajtimin e mbetjeve edhe pse dy nga tre objektet tashmë janë ndërtuar.

Të dhënat e Eurostat mbi trajtimin e mbetjeve në Europë tregojnë se në vitin 2022, në Shqipëri u gjeneruan 295 kilogramë mbetje për banorë, por vetëm 13 kilogramë për frymë ose 4.4% e totalit të tyre u eliminuan me djegie në inceneratorë ose në fushë të hapur.

Inceneratorët janë kthyer në objekte të “djegies” së fondeve publike. Që nga viti 2017- janar 2024, ato kanë marrë nga buxheti i shtetit rreth 122 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, teksa miliona të tjera prokurohen ditë pas dite me qëllim për rikthimin e tyre në pune.

Vetëm në janar të vitit 2024, kompania Integrated Energy BV SPV, përgjegjëse për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, është paguar nga thesari i shtetit me rreth 2.1 milionë euro, nga të cilat mbi 600 mijë ishin pagesa të Bashkisë së Durrësit dhe 1,5 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.

Për shkak të investimeve joefektive dhe korruptive kostot e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin e mbetjeve, në vitin 2024 janë më shumë së dyfishi, në krahasim me vitin 2017, përpara se të fillonte projekti i inceneratorëve, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti afatmesëm 2024-2026 i Bashkisë së Tiranës për periudhën 2021-2024 dhe 2017 nga Kontrolli i Kartë i Shtetit (KLSH).

Përpunimi i mbetjeve i kushton më shumë Bashkisë së Durrësit. Kjo Bashki përbën një rast unik se si mbi gjysmën e të ardhurave që ajo mbledh vetë e shpenzon vetëm për një zë, për mbrojtjen e mjedisit (kryesisht pastrimi mbeturinave).

Në vitin 2022, të ardhurat e veta të Bashkisë (nga taksat e tarifat e taksat e ndara) ishin 1.53 miliardë lekë, me rënie 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Co-Plan.

Qytetet kryesore të vendit përballen njëherazi me kosto të larta të trajtimit të mbetjeve dhe ndodhen para një emergjence mjedisore, pasi mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Tiranë po grumbullohen në landfillet pranë inceneratorëve që nuk punojnë.

Trajtimi i mbetjeve në Shqipëri vijon të jetë një “patate e nxehtë” në dorën e qeverisë, teksa vendi po përjeton bum turistik.

Vitin e kaluar, vendi u vizitua nga 10 milionë turistë, dhe ky sezon pritet të jetë edhe më i mbarë nga prenotimet. Nga ana tjetër, pirgjet me plehra gjenden kudo në vend.