Ilmi S.Qazimi: ‘Shashkat’ e kryetarit, për t’i shpëtuar’litarit’

100
Sigal

“Ideologjia ra që kur  ra Muri i Berlinit”- tha para ca ditësh kryetari ynë i qeverisë me solemnitet sikur të kishte zbuluar ndonjë planet të ri. Po vallë kush i ha këto dy fjali kontraverse dhe tautologjike? Jam i detyruar që në këtë ‘bisedë’ me kryetarin e nderuar të qeverisë të flas jo vetëm me ‘ju’, por edhe me përemrin vetor’ti’, duke  u ndjerë i keqardhur. Vallë a nuk e di i shumëdituri ynë Edi Rama se ideologjia, së toku me psikologjinë shoqërore, moralin, etikën, estetikën, filozofinë, fenë dhe jurispudencën janë pjesë e ndërgjegjes shoqërore? Dhe shoqëri njerëzore pa ndërgjegje shoqërore nuk ka e nuk mund të ketë, sepse pastaj do të quhej kafshëri? Vallë a e di drejtuesi ynë, që e ka dënuar historia për të qenë kryetar qeverie shumë vite(?!) në këtë truall tashmë me banorë të  goditur rëndë psikologjikisht, se ideologjinë e përbëjnë idetë dhe pikpamjet e përgjithësuara teorikisht të çliruara nga ndjenjat dhe  përfytyrimet e trubullta të individëve kushdo qofshin ata? Që përpunimi teorik i atyre ideve, pikpamjeve shprehin qartazi  gjendjen reale të klasave shoqërore, qofshin ato antagoniste-siç janë në  sistemin e sotëm të egër kapitalist, apo miqësore siç ishin në sistemim socialist? Po pse Edi Rama ynë, vallë,!ishte duke menduar e vepruar jashtë ideologjisë kur nuk la gur e mur që ta kthente, dhe e ktheu Shqipërinë nga vend industrial-bujqësor-blegtoral në një vend vetëm turistik. Kush mund ta pranojë këtë, përveçse  njerëz pa tru, pa ideale, të shitur dhe të blerë si plaçka të rëndomta?! Si paska jetuar shoqëria borgjeze, për këto pesë shekuj pa ideologji? Le të bëjmë një parantezë: me fjalën ‘ideologji’. Mos ju z.kryetar, nënkuptoni vetëm ideologjinë marksiste? Po qe kështu, atëherë  kot sa flasim! Por nuk është kjo e vërteta. E vërteta e madhe dhe fare e thjeshtë është se ju kini frikë nga ideologjia. Sepse ideologjia marksiste-leniniste  është e vetmja armë shpirtërore që dritëson mendjet e njerëzve për të parë jetën me objektivitet dhe perspektivë zhvillimi. Ju kini frikë nga bëmat tuaja të mbrapshta ndaj hidhni shashka me tym. Madje guxoni që të bëni edhe shaka me popullin rreth këtyre shashkave, idève e midève tuaja.

Nuk pranohet dhe është injorancë e keqdashje e kamufluar, të cilën fatkeqësisht e tradhton tymi, që të thuhet se tani nuk ka më ideologji. Jo vetëm që ka e do të ketë ideologji përsa kohë ekziston shoqëria njerëzore, por ajo do të lozë ashtu si deri tani rolin kryesor në përpunimin, riformatimin, e mendimeve e pikpamjeve për jetën, zhvillimin dhe ecurinë njerëzore. Qëllimi i saj fare i kthjellët: për të edukuar (lexo: injektuar) “domosdoshmërinë e jetëgjatësisë së kapitalizmit” tek mendja e njerëzve të globit. Këtë, oligarkia e lartë financiare dhe bosët e dollarit e bëjnë me të gjitha marifetet, mënyrat dhe mjetet tejet të sofistikuara që ka arritur të prodhojë truri i më të zgjuarve midis nesh. Madje duke iu vënë edhe emra të rinj si IA(inteligjencia artificiale), inxhinieri robotike, ndërhyrje nga jashtëtokësorët etj, etj. Pse nuk ka guximin që ta thotë haptazi kryetari ynë se gjendja kaotike e edukimit të sotëm me anë të sistemit shkollor, mediatik dhe pasuror, po bëhet si kudo gjetkë, për të deideologjizuar e demoralizuar rininë, shoqërinë dhe të ardhmen e saj? Se janë idetë e tij të shprehura si personale, por të huajtura nga këshillimet e atyre që paguhen nga imperializmi amerikan që edhe në Shqipërinë, të cilën ai po “drejton”(lexo: fundos në gropën e territ dhe  varfërisë), të atrofizojë mendjet e kthjellta të individëve që e kuptojnë se tërë çka bëhet për të shtyrë vitet e kapitalizmi?

Edhe pak më tej: këto lloj fjalish të kryetarit tonë, janë maskë për t’i dhënë goditje edhe më të forta ideologjisë komuniste, marksiste-leniniste, që ishte mbjellë e kultivuar bukurmirë në Shqipëri për 45 vjet nga sistemi ekonomiko-shoqëror socialist dhe partia e vetme drejtuese Partia e Punës së Shqipërisë, që ishte etaloni i një koncepti dialektik të fjalës ‘parti’? Është pjesë e strategjisë ideologjike amerikane që në Shqipëri posaçërisht të mos mbetet asnjë gjurmë sado e vockël e komunizmit. Ndaj edhe i madhi ynë Edi Rama, i ‘ndëshkuar për të qenë kryetar qeverie’, nën këtë moto, të shprehur me evazivitetet e tij lakonike, humoristike, qokaxhije, dhe tek e fundit tepër fyese e antishqiptare i ka vënë kazmën gjithçkaje kombëtare. E tërë kjo është midea e Ramës. Bëj hesap që, i ka prishur punë shumë edhe ylli i vogël  në kapelen e partizanit në basoreliefin artistik më të madh që ka Shqipëria në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar (që, me urdhër të tij, është mbyllur për katër vjet)!? Prandaj atë yll e hoqën servilët e tij! Pra po mundohet që të zhbëjë historinë. Por nuk ka për t’ia arritur dot kurrë. Midetë e tij janë sa të befta aq të shpejta dhe fantastike (?!).”Jam i çmendur, por vetëm për të bërë gjëra të mira për Shqipërinë”,- tha ai afërsisht para do ditësh. Dhe e mira e Shqipërisë qenka krijimi i një shteti të ri i Urdhërit Bektashi, brenda shtetit shqiptar, duke e krahasuar me Vatikanin! Përse bëhesh kaq hapur vegël qorre në duart e lobeve të huaja, perëndimore e lindore, more i bekuar!? Askush në botë e ca më pak në Shqipëri, nuk e beson se është  çmenduria jote ajo që  të shtyn të krijosh gjëra të mira për Shqipërinë!? Ashtu siç deklarove se Porto Romanon ia ke falur NATO-s!? Apo siç the se kampi italian për afrikanët në Shëngjin është i përkohshëm!? Po e shohim përkohshmërinë edhe të kampit afgan dhe atij iranian në Shqipëri!? Ka shumë mide e orekse kryetari ynë. Ai di të hedhë shumë tollumbace në ajër. Të tëra për t’i shërbyer sa më zellshëm ustait amerikan.Po ka harruar, i gjori po aq edhe i lumturi, se ustai do ta shtrydhë si limon pas ca kohësh duke ia falur historisë për ta mbajtur në koshin e vet të harresës.

Por ai, kryetari Edi Rama dhe pasuesit e tij shqiptarë të verbuar nga  thelat e kockat, postet e lajkat, duhet ta mësojë e ta ngulisë mirë në kokë,  se është gjigande edhe ideologjia marksiste-leniniste krahas asaj të borgjezisë, e cila synon të edukojë tek masat e gjera të shtypura e të shfrytëzuara deri në palcë në mbarë globin, idenë e përmbysjes së domosdoshme të këtij sistemi ekonomiko-shoqëror. Aktualisht kjo ideologji nuk është sunduese, por është aspiratë reale madhore e të gjithë njerëzve, pavarësisht nga vendi që zënë dhe roli që luajnë në shoqërinë planetare. Jeta flet vetë: kur dhjetë përqind të popullsisë  zotërojnë 95% të pasurive, si mund të ketë zhvillim njerëzor të barabartë? Kur në shumë shtete, ka miliona që vdesin parakohe nga sëmundjet, uria, pasiguria, lakuriqësia, droga, mungesa e strehimit etj si mund të pranohet që harxhimet për spitalin e shërimit të krokodilëve dhe gjarpërinjve të jenë kolosale? Mora shembullin më të rëndomtë, sepse bota e jonë e sotme karakterizohet vetëm me të tillë shembuj e kontraste që ulërasin për pabarazinë sociale dhe varfërimin absolut të klasës punëtore dhe masës së punonjësve.

Një tjetër ide ‘madhore’, shashkë e kryetarit Edi Rama, shprehur këto ditë vjeshte, është: ”Ne duhet ta lexojmë të shkuarën me sytë e së ardhmes dhe kjo është pika kyçe mbi të cilën ne ngremë marrëdhëniet me vendet e Rajonit”. Nga këto fjalë, së pari, të krijohet përshtypja se ngaqë ka mbiemrin që nismon me shkronjën ‘R’, kryetari ynë duhet të drejtojë edhe ‘R’-ajonin me po atë zgjuarësi që po drejton Republikën e Shqipërisë! Nuk e dimë saktë se cilat shtete përfshin koncepti i tij megalloman dhe shumë antidialektik “shtete të rajonit”, por logjika e ftohtë tregon Sërbinë, Greqinë, Italinë, Maqedoninë e së fundi Shqipërinë. Me këto qeveri ti ke miqësi e vëllazëri ‘model’, ashtu siç je model edhe në qeverisjen e vendit që të ka votuar, me 50% gra e po aq burra! Përqafoju me Aleksandarin, puthu me Xhorxhian, ngjitu, shqitu e prapë ngjitu  me Qirjakon, hidh e prit me maqedonasit, ndërto kampe (deri tani tre, për afganët, iranianët e afrikanët) dhe lejo qytetarë me familje nga tërë bota për banim në Shqipëri! A nuk është kjo një  marrëdhenie shembullore? Ndaj edhe znj.Ursula Von Derlajen të drejtohet me “I dashur Edi!” Ke fituar zemrën e krerëve europianë, gra e burra! Ky fakt është fakt. Vetëm kaq mjafton, pa komente. Sa për Kosovën ti e shikon vetëm me sytë e njerkës. As me sytë e të sotmes, as me atë të ardhmes, as me atë të kaluarës. Është në dëmin tënd, por kështu është. Së dyti, cila qenka kjo ‘e shkuarë’? Thuaje me periudha kohore historike, o i pakuptueshëm (për shumicën dhe i shkëlqyer për pak të tjerë)! Pse e mohon kohën dhe flet vetëm për hapësirën? Thuaje ‘të shkuarën’ që do të thuash të ilustruar me ngjarjet më madhore historike. Pse nuk e thua? Se ke frikë? Si nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i solli Shqipërisë çlirimin  nga nazizmi, fashizmi dhe tradhtarët e vendit, ashtu edhe nga periudha verbuese e socializmit, edhe më keq nga peridha kohore e mbretit A.Zogu që ti po e imiton në shumë drejtime; ndërsa periudha tejet legjendare e Skënderbeut të rrëzon për tokë. Litari po mblidhet zoti kryetar. Atë tashmë nuk e shmang dot sado të të ndihmojnë lobet e ndryshme. Shqipëria ka nevojë për një kryetar qeverie që të jetë shqiptar , nga ana fizike, dhe shpirtërore, të jetë atdhetar me fytyrë, karakter, dituri, zgjuarësi e mençuri.