Veprimet e magjistratës B. S. në kundërshtim me Standardet e Etikës janë sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia në marrëdhënie me drejtuesin dhe personel të administratës gjyqësore.
Sjellje të pahijshme dhe të papërshtatshme, ILD kërkon masë për magjistraten e Sarandës
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor në bazë ankese nga drejtuesi i Prokurorisë, ndaj magjistrates B. S., me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për shkeljen disiplinore të parashikuar si “Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet… me kryetarin…si dhe me personelin e administratës gjyqësore.”, gjatë vitit 2024.
Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj prokurores rezulton se:
– Veprimet e magjistratës B. S. në kundërshtim me Standardet e Etikës janë sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia në marrëdhënie me drejtuesin dhe personel të administratës gjyqësore. Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e saj profesionale, e mund të jenë të rëndësishme vetëm me qëllim vlerësimin etik dhe profesional të saj, por janë të natyrës, që magjistratja duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.
– Sjellja dhe veprimet e prokurores, kryer me dashje direkte kanë sjellë si pasojë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, si dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia. Fakti se kjo sjellje është kryer në zyrën e drejtuesit të prokurorisë, si dhe në zyrat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre oficerë të policisë gjyqësore, pra brenda ambientit ku prokurorja ushtron funksionin, ekziston rreziku që të ndiqet edhe nga magjistratë të tjerë të së njëjtës zyrë prokurorie apo dhe më gjerë, pasi brenda së njëjtës godinë ndodhet edhe gjykata, çfarë nënkupton rëndësinë thelbësore që ka sjellja e magjistratit jo vetëm në ambientet e prokurorisë, por dhe jashtë saj.
– Duke pasur parasysh natyrën e shkeljes disiplinore dhe ekzistencën e rrethanës lehtësuese, si shkelje për herë të parë, përvojën e pakët 2 vjeçare të magjistrates në funksionin e prokurores, ILD konkludon se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates B. S., përbëjnë “Shkelje të lehtë disiplinore”.
– Qëllimi thelbësor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrja e masave aktive për edukimin e magjistratit, nëse një gjë e tillë është e mundur. Masa disiplinore përmbush edhe dy qëllime parandaluese: 1- parandalimin e posaçëm, pra që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe 2- parandalimin e përgjithshëm, d.m.th. që magjistratët e tjerë të kuptojnë, se një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë të Prokurorisë pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratës B.S., me detyrë prokurore e Prokurorisë e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për shkeljen disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 2 shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dh prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Vërejtje publike”.



















