I mituri rezulton në Greqi, por sistemi TIMS e nxjerr në Shqipëri

1359
Sigal

Fiks Fare/ Babai kërkon fëmijën, 7-vjeçari kaloi në Kakavijë pa u regjistruar

“Fiks Fare” denoncoi me zë dhe figurë se si fëmija 7 vjeçar kalohet në doganën e Kakavisë pa u regjistruar në sistem. Alfred Kote, babai i fëmijës, i drejtohet Fiksit me pretendimin se nuk e di ku është djali i tij. Fredi tregon se është divorcuar nga ish gruaja e sipas të gjitha procedurave dhe vendimeve të gjykatës. Ai kishte mundësinë ta takonte dy herë në muaj djalin, çdo dy javë. Në takimin e fundit sipas vendimit, Fredi nuk kishte mundur të takonte djalin, dhe për këtë iu drejtua komisariatit të policisë në Urën Vajgurore, pikërisht ku jetonte ish-gruaja e tij së bashku me djalin 7-vjeçar. Babai i djalit ngriti pretendimin, se fëmija ndodhej në Greqi së bashku me nënën, por djali nuk është i regjistruar në sistem kur ka kaluar nëpërmjet kontrollit kufitar të Kakavijë.

Këto pretendime ai i ngriti, sepse vetë Komisariati i Policisë Ura Vajgurore ia kishte komunikuar pasi kishte bërë verifikimet. Babai i fëmijës shkoi në Komisariatin e Gjirokastrës, në qytetin e tij për të denoncuar problemin, por ata nuk e pranuan, pasi sipas tyre duhej t’i drejtohej gjykatës. Alfredi Kote kërkon ndihmë nga “Fiks Fare”, pasi nuk e di ku ndodhet fëmija dhe se çfarë mund të bëhet me të. Pas denoncimit “Fiks Fare” udhëtoi drejt Urës Vajgurore, qyteti ku jeton familja e ish-gruas së Alfredit. Gjyshërit e 7-vjeçarit pohuan për “Fiksin” se vajza e tyre kishte kaluar, në datën 13 shtator së bashku me djalin e saj për në Greqi nëpërmjet Kakavijës. Por gjyshja e të miturit u tregoi gazetarëve të “Fiks Fare” se vajza e saj dispononte një vendim gjykate që i lejonte ta nxirrte fëmijën jashtë territorit te vendit pa prokurën dhe miratimin e të atit. Vajza ndodhet me djalin në Zakintho të Greqisë, e i duhet të punojë për të ushqyer djalin. Tashmë fëmija është i regjistruar edhe në shkollë në Greqi. Bashkëpunëtorët e “Fiksit” së bashku me denoncuesin shkuan në pikën kufitare të Kakavijës për të pyetur, nëse fëmija rezulton se ka kaluar kufirin me Greqinë. Përgjegjësi i turnit në doganë kategorikisht nuk dha asnjë informacion, pasi sipas tij është e jashtëligjshme. Këtë informacion qytetarit mund t’ia jepte vetëm Komisariati i Policisë Gjirokastër pas një kërkese të këtij të fundit. Vetëm pas kësaj procedure Alfredi mund të merrte përgjigje zyrtare e të merrte vesh për djalin e tij 7- vjeçar. Bashkëpunëtorët e “Fiksit” së bashku me babain e djalit shkuan në Drejtorinë e Policisë Qarku Gjirokastër. Alfredi u shpjegoi problemin dhe inspektori i zonës së tij në Gjirokastër bëri verifikimet në sistem sipas të dhënave të nënës dhe djalit. Sipas inspektorit, nëna e fëmijës rezulton të ketë kaluar kufirin me Greqinë, ndërsa djali nuk ka asnjë dalje nga Shqipëria. Fëmija 7-vjeçar rezulton të jetë në Shqipëri. Ndërkohë që vetë gjyshja e djalit dhe një telefonatë e zhvilluar midis Alfredit dhe djalit të tij, vërtetojnë se i miturit ndodhet në Greqi pranë nënës së tij. Edhe pse ende është e paqartë se si një i mitur 7-vjeçar ka kaluar në një shtet fqinj pa u regjistruar në sistem.

Bisedë me një punonjës të policisë në Kakavijë.

Qytetari – Kam bërë një divorc, dhe erdha për të parë djalin. Më thonë që gruaja më ka ikur, Unë nuk e di ka ikur me djalin…

Përgjegjësi i turnit – Dhe kërkon që ta shohësh këtu në sistem?

Qytetari – Thjesht të di ka kaluar, s’ka kaluar.

Përgjegjësi i turnit – Nuk lejohet.

Qytetari – Po më ndihmove.

Përgjegjësi i turnit – Nuk lejohet, është e ndaluar.

Qytetari – Ku të vete ta gjej unë?

Përgjegjësi i turnit – Në qoftë se të ka ikur gruaja, atëherë do bësh një padi, që më ka ikur gruaja më fëmijë, edhe ata të prokurorisë japin urdhër që e shohin, kjo është rruga ligjore, se ne s’e nxjerrim dot. Dakord?

Fiksi- Faleminderit!

Në drejtorinë e policisë Gjirokastër

Fiksi – Përshëndetja, si jeni? Tani, është i divorcuar, ka bërë dhe gjyq, gruaja jetonte në Berat, tashti flet në telefon me gruan, edhe i thotë ajo që unë jam në Zakintho, Greqi. Ndërkohë as në telefon s’ia ka nxjerrë fëmijën, fëmijën. Ky nuk di ku është fëmija, ndaç këtu, ndaç në Shqipëri.

Punonjësja -Vendbanimi?

Qytetari – “11 Janari” .

Fiksi – Në vajtëm në doganë dhe na adresuan në komisariatin e policisë të bëjmë një kërkesë për informacion, nëse ky fëmijë bashkë më nënën ka kaluar në Greqi apo jo? Kaq.

Qytetari -A është në Shqipëri, këtë dua të di unë, kaq.

Punonjësja – Si quhesh ti Zotëri?

Qytetari – Alfred Kote.

Vjen inspektori i zonës.

Polici – Si ia kaluat?

Fiksi -Si jeni, mirë?

Qytetari – Kam pasur një zgjidhje martese, e shikoja fëmijën, me vendim gjykate.

Fiksi – Tani gruaja i thotë që unë jam në Greqi, mund të takohemi të vish të shohësh djalin, nuk ia nxjerr as në telefon. Ajo në Greqi është, sepse flet me telefon grek, më kupton?

Duam informacion zyrtar, nëse djali ka kaluar në Kakavi ose jo.

Polici – Juve jeni ndarë me gjyq?

Qytetari – Me gjyq, me letra, po.

Polici – Gjyqi kujt ia ka lënë?

Qytetari – Nënës.

Polici bën të gjitha veprimet dhe kërkimin në sistem.

Polici – Tani, djali nuk ka dalë, kjo ka ikur. Po djali rezulton këtu.

Qytetari – Po, në qoftë se ka ikur djali pa vulosur?

Polici – S’mund të të flas për atë, s’është pjesa ime.

Fiksi – Djali figuron këtu?

Polici – Djali figuron në Shqipëri. Ik njëherë të shtëpia, kë ka te shtëpia ajo?

Qytetari – Po ka pasur prindërit, po tani nuk e di kë ka.

Polici – Ku e ka shtëpinë?

Qytetari – Në Urën Vajgurore.

Fiksi – Tani kjo i bie që ka kaluar (kufirin).

Polici – Tani kjo ka ikur, djali rezulton në Shqipëri. Kaq. Nëse ka kaluar djali pa vulosur është , të thashë… nuk di …. Shiko në shtëpi, mos të flasim kot.

Polici – T’i marr një deklaratë të shpejtë? Arsyeja pse ke ardhur në komisariat, ke kërkuar ndihmën e policisë, t’u ofrua ndihma, për çfarë arsye, çfarë kërkon nga policia. Regjistrohesh, ku shkon, pse ke ardhur.

Një të shpejtë tani.

Qytetari – Të vij atje?

Polici – Po do vish.

Polici – Të jeni mirë!

Fiksi-Shumë faleminderit!

Babai i fëmijës – Ça bëre si ke qenë?

Nëna e fëmijës – Po , po t’i flasësh. Jorgo foli babit.

Fëmija – Alo.

Babai i fëmijës – O zemra e babit, ku je ti shpirti?

Fëmija- Ba jam në Greqi.

Babai i fëmijës – Në Zakintho. A të keqen zemra jot . Po ç’kemi, si po kalon në Zakintho zemër?

Fëmija – Mirë.

Babai i fëmijës – Mirë shpirti i babit. Te shkolla po vete?

Fëmija – Po vete. Ti je në Shqipëri apo në Greqi?

Babai i fëmijës – Në Shqipëri. Mirë zemër e babit, do vi babi të të takoj, mirë zëmër?

Fëmija – Mirë.