Gëzim Zilja: Në vend të polemikës me historianët turq

692
Sigal

Gëzim Zilja

Ky shkrim është përgjigje modeste ndaj studimeve të disa historianëve turq, botuar në shqip vitet e fundit, mbi qeverisjen e Perandorisë Osmane në vendet e sunduara prej tyre. Në këto studime mbrohet teza, se turqit nuk kane qenë pushtues, se dovleti (qeveria) osman ka qeverisur me drejtësi dhe “… të gjithë popujt kanë qenë të lumtur (ky term përdoret) nën këtë qeverisje, të cilën e kanë pranuar me dëshirë…Shih M. Maksudoglu: “Historia osmane dhe institucionet” fq.169.”

Nga plagët e rënda të kombit shqiptar nën sundimin turk, ka qenë shërbimi ushtarak. Veçanërisht me Tanzimatin, në shek XIX, kur ky shërbim i quajtur, nizamllëk u bë i detyrueshëm. Mijëra djem e burra i nisën në vende të largëta nga ku shumica nuk u kthyen kurrë. Edhe në rastet e rralla kur nizamët ktheheshin ata ishin sakatë ose të veremosur, të paaftë për punë, me ditët e jetës të numëruara.

Fillimisht në bregdet mbërrin vapori me ushtarakët turq, që do të bënin mobilizimin e të rinjve në listat (kura’-ja) shumë të sakta, të hartuara nga qeveritarët turq. Njerëzit pyesin e marrin përgjigjen e përhershme:

Na vjen një vapor ka deti

Ç’ish haber na sell i shkrreti?

Të mbëlidhen djeltë rrëpjeti

I kërkon Sulltan Memeti…

Atje te rrapi, pema simbol në krahinat e Jugut rrotull tij janë bërë kuvende e janë marrë vendime të rëndësishme, për fatet e Atdheut, do të mblidhen rekrutët “kuraja,” që u ka ardhur fletëthirrja. Ata do të shkojnë në luftë, dhe do të pajisen me të gjitha sendet që u duhen. Si përherë, këngët folklorike japin të dhëna sikur të jenë dokumente të shkruara e të vulosura dhe përcillen me një bukuri artistike të rrallë. Vargjet në të gjitha rastet janë të “qepura e të qethura’’ dhe nuk ke se ç’heq apo shton:

Ne rrapi ne Bajua’

U mblodhë shtatë kura’

U vunë sira’-sira’

Me dufeq, silah, amza’

Me çamt, me matara’ .

Ka di çift bukë u dha

Seç i nxori në derven

I nisi për në Jemen. ….

Treqind dhen e katërqind dhi, ka Beqir Aliu, nga fshati Vërmik i Vlorës siç thotë kënga gati 200-vjeçare, që këndohet edhe sot në ato vise, një pasuri e madhe për kohën. Tani që ai do të iki nizam, familja do të shkatërrohet, sepse djali është ende i vogël dhe vëllai në moshë të madhe:

I shkreti Beqir Ali

Treqind dhën, katërqind dhi

Se Çerçizi (djali) çilimi

Dhe Hoxha (vëllai) plak njeri

Më tej vijnë dy vargje të tjera dhe kënga mbyllet.

Mbenë koperia malit

Qajnë të zonjat e stanit

Me lot e djersë ballit

Listat e bëra nga qeveritarët turq zbatoheshin me përpikëri. Shpesh burrat e djemtë ia dilnin të fshiheshin maleve por koshadhja i ndiqte këmba-këmbës, duke i rekrutuar me forcë të fshehurit ose duke i ekzekutuar të pabindurit, të quajtur kaçakë:

Dovleti e pastë lanet

Në kope erdhi më gjet.

Më mori për gjashtë vjet

Malli më mbet për ibret

S’ka kush t’u japë përpjetë.

Po ka keq e më keq. Kënga vijuese flet për një familje ku “defteri turk” s’dihet për ç’arsye shënonte tre djem të saj për të shkuar nizam:

Te sheshi u ndothç i mjeri

Kur u këndua defteri

Tre vëllezër që jemi

Të tre nizamë do vemi

Pamja që jepet më poshtë, duket sikur të jetë ngjarje e zakonshme, ku të rinjtë nisen për shërbim ushtarak.

Dal në gërxh e shikoj fshanë

Derë më derë po qajnë,

Kush i pyeti se ç’kanë

U venë djemtë nizamë,

Selanik, Arapistanë…

Më tej ngjarjet do të marrin ngjyrën e vdekjes. Kënga “thyhet” dhe rekruti nizam shpërthen duke paranderë fatin që e pret:

…Qani, moj të zeza, qani,

Shami të zeza të mbani!

Sa të vijmë nga nizami

Lotët për ne mos i thani.

Deri në Arapistan rruga është e gjatë, rrokullimë, gjithë tmerr e vuajtje. Kishte dhe nga ata që nuk do të arrinin deri atje e do të vdisnin rrugës nga vuajtjet e sëmundjet. Pa bukë, pa ujë, nën kërbaçin e komandantëve, që nuk u dinin as gjuhën e as zakonet, në vendet ku piqej kulaçi në diell, rruga zgjatej pambarim në marshimin sfilitës drejt të panjohurës, që më shumë ngjante me rrugën drejt ferrit (xhehnemit).

Dhe ne nizamët e shkretë,

Jemen shkojmë si qetë.

Tre sahat kaha xhehenemi.

Aq afër ishtë Jemeni,

As ujë, as bukë u dhanë,

Barit ju qepnë te hanë!

Në atë lemeri që po shikojnë çdo ditë ( ë shkosh deri në Azi apo Afrikë në këmbë), të paditur e asnjë herë të larguar nga fshati i lindjes, nizamët e rinj pyesin njëri-tjetrin gjithë frikë e shpresë:

Ki nizamllëku sa mba?

Mbase një vit e ca

Se kemi të zezat gra.

Dikush nga shokët ndoshta më i ditur dhe më me përvojë përgjigjet gjithë pezm:

Ç’pijet, o i zi, ç’piet!

Më shumë se shtatë vjet.

Halli qenkësh shumë më i madh nga sa ishte menduar! Nizami i ri i pafuqishëm tashmë me shpresa të humbura, i drejtohet gruas së re, në ligjëratë të drejtë sikur ta kishte aty pranë, të re e të bukur me trupin si ngjalë, e jelekun (peshlinë) e prerë plot sqimë ( hajduçe) zbukuruar me zogj e lule:

O peshlilara hajduçe

Kaqë qe kismet për ne.

Kaq qe kismet, o njalë,

Gjashtë vjet do shkoj nizamë,

Nuk di në kthenem i gjallë…

Dheu s’do ma tretë mallë.

Sidoqoftë nusen ia ka lënë amanet nënës së vet: të kujdeset për të, t’i mbajë nderin e shtëpinë se edhe mund të kthehet një ditë:

Nanës i dërgon selam,

Amanetin si e ka?

Nana thotë: “Mirë e kam”

Mbillurë bërna në xham

Nuk të del as për bajram.

Më tej vjen britma-dëshpëruese si dërgesë-porosi, mijëra kilometra larg vendlindjes, se ndoshta zogjtë e qiellit apo era e shkretëtirës do ta çonte atje ku duhej. Porosia vjen nga djemtë e rinj, të pamartuar që u kërkojnë baballarëve:

O ballarë të mjerë,

Vështroni bëni të tjerë,

Se ne jemi për dovlenë.

Që kur mbërthiem dufeqnë

Edhe ngjeshëm xhephanen.

Për nizamët e rinj po bëhet e qartë se çfarë i pret ende pa vajtur në luftë. Duket një fatalitet, nga i cili shqiptarët nuk kanë për të shpëtuar kurrë.

Medet, o shokë medet!

Nizami për gjashtë vjet.

Si për gjashtë si për njëzetë,

Shqiptari e ka haxhet.

Po ç’thonë e ç’bëjnë të afërmit atje në dheun e largët, në vendlindje, në anën tjetër të botës në vendin e bekuar që quhet Shqipëri?Meraku dhe dhimbja është e nënave për djemtë atje larg dhe për nuset e reja që tashmë s’dihet si do t’u shkojë jeta. Nënat janë simbol i sakrificës, zemërbardhësisë e faljes: ato do të bëjnë si do të bëjnë, edhe pse nuk u ka ardhur ende lajm, por e kanë dhe një peng tjetër …

Edhe djelt u nisnë e vanë,

Haber nanave s’u lanë.

More djelm faqeburbuqe,

Ku i latë të shkretat nuse?

Nga ana tjetër nusja e heshtur dhe e bindur vajton gjithë brengë mungesën e të shoqit:

Xullufe vetullkatran

Ç’ke që natë e ditë qan?

Më mbeti burri nizam…

Mbi shkaktarin e këtyre vuajtjeve të pafundme ngrihet mallkimi i tmerrshëm që bën të tundet malet e të dridhet toka. Është mallkimi i nënave që mbetën pa djemtë dhe i nuseve që mbetën të veja me burrat gjallë:

O Stamboll, more i shkretë,

Raftë zjarri e të djektë!

Që na mba trimat rrëpjetë!(lart)

Të na vijnë tatëpjetë(posht)

Se janë të ra luletë

Pa zbardhur xullufjetë.

Sikur të mos mjaftonin vargjet e mësipërme, mallkimi i dalë nga thellësia e shpirtit vazhdon edhe më i fortë dhe plotësohet me vargun përgjithësues, të pamëshirshëm: “Stamboll u djegsh anembanë!” , që nënkupton: “u shofsh me gjithsej,” “u zhduksh nga faqja e dheut”, “gur mbi gur mos të mbettë”:

Stamboll u djeksh anembanë

Që more burrat tanë

Ca redif e ca nizamë!

Më tej vargjet vijnë e qetësohen, janë më të shtruar, më të lodhur, plot helm e vrer, gati të pashpresë për gjendjen e krijuar nga gjarpri apo kuçedra që i ka zënë. Duket plaga e thellë ka zënë kore por dhimbja aty është. Është një këngë e shtruar, me iso të tejzgjatur, si kuje e ulërimë, që merr pllajat e luginat shqiptare e përfundon ndoshta në Arapistan.

Shokë do të them një këngë,

Gjarpëri që na ka zënë,

Me këtë sulltanë qënë,

Na mori kokën e gjënë.

Tashmë fatkeqësia është ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare. Bagëtitë janë pa çoban, arat pa mbjellë, kopetë pa barinj, ndërsa taksat e perandorisë rriten e rriten. Tashmë durimit po i vjen fundi dhe paralajmërohet kryengritja e radhës:

Nizam e xhelepe s’ka

Është vendi fukara

Jetojmë me lakëra

Katër shtëpi me një ka….

Vargjet monumentalë :

Pse lufton a derëzi

Sos për mua a për ti

Po për gjithë Shqipëri,

lajmërojnë se kryengritja e radhës ka filluar. Ajo do të shtypet me zjarr e hekur, më vonë do të pasohet nga një tjetër e kështu me radhë: Një histori plot fatkeqësi, luftëra e sakrifica që do të vazhdojë katër shekuj e gjysmë.

*Këngët që shoqërojnë këtë shkrim janë marrë nga folklori i Jugut, kryesisht ai çam