Gëzim Zilja: Karburanti, i shndërruar në “vepër arti” e shëmtoi edhe më shumë Lungomaren

674
Sigal

Karburanti i ndërtuar në zemër të Lungomares nuk është i nevojshëm, as i  domosdoshëm. Ai është ndërtuar në kundërshtim të plotë me rregullat e qarkullimit rrugor , ndotjes e ruajtjes së mjedisit dhe nuk mund të klasifikohet si vepër arti. Pasi nuk e shpronësoi dot karburantin, qeveria vendosi t’i japë pronarit dhe nja 50m2 shtesë dhe ta ndihmonte me një arkitekti belg që ta kthente atë në vepër arti. Kështu u justifikua kryeministri (nuk dihet se si do e cilësojnë ekspertët e monumenteve) që të pushojë pakënaqësinë e vlonjatëve. Me sa u pa nuk e kishte kollaj. Ndryshe nga herët e tjera kryeministri në intervistën e dhënë dukej i lodhur, aspak i vendosur, me  zërin e zvargur, gjithë ndalesa e frymëmarrje të thella, ku mungonin ato batutat e spikatura dhe humori i zi ose i bardhë,  zbavitës  në më të shumtën e herëve. Megjithëse gazetari u mundua ta ndihmojë me fjali të tilla si: “Vlonjatët krenohen me investimet e qeverisë dhe veçanërisht me lungomaren” ose me pyetjen-pohim: “aspak nuk do të pengohet (nga zgjerimi i kaburantit shën.im)  lëvizja e qytetarëve, turistëve, korsia e biçikletave etj…” zëri i kryeministrit vazhdoi i shoqëruar me rënkime të herë pas hershme në decibel të mezikapshëm për veshët normal.

Ai u shpreh: “ Këtë peshqesh e kemi nga drejtësia e vjetër dhe një vendim skandaloz i Gjykatës së Lartë.” Nuk mendoj se kryeminstri Rama, nga përvoja e gjatë si ministër, kryetar bashkie dhe gjashtë vjet kryeministër hyn në kategorinë e njerëzve që zbatojnë thënien biblike: në se një dorë nuk e kafshon dot atëherë puthe. Përkundrazi ai me eksperiencën e tij të gjatë në pushtet ka treguar që nëse nuk të kafshon dot, merr  sëpatën dhe të “kafshon” dorën e krahun deri mbi sup. Kur  dajtët  e shullazët i ndërrojnë trupat gjykuese sa herë u teket si nuk e ndërron dot avokati i qeverisë një trup gjykues, kur njerin proces gjyqësor e drejton vetë pronari (gjykatës) i karburantit dhe tjetrin gruaja e tij, po gjykatëse!? Kjo nuk besohet dhe vjen erë gas, përzier me naftë dhe benzinë. Në Vlorë janë shembur ndërtesa ( mirë u bë që u shembën) me leje të rregullta të bashkisë dhe pronarët janë dëmshpërblyer me shuma të mëdha në miliona euro. Një karburant me dy pompa ( ashtu ishte më parë, tani s’i dihet) sa do të kushtonte? Kryeministri pasi i ka thënë gazetarit që:” karburanti do bëhet vepër arti si një strehëz e zezë në formë kryqi” vazhdon: “Është thjesht konceptuar një tendë në formën e një skulpture urbane, nga arkitekti që ka bërë lungomaren. Unë mendoj se nga një çiban i mbetur në rrugë, është një tjetër element që i shtohet estetikisht lungomares dhe që e pasuron në gjuhën e vet arkitektonike …” Këto mendime më duken aq filozofike sa nuk po u hyj fare. Elementi i shtuar estetik i paparë ndonjëherë është se çatisë së stërzgjatur të karburantit i është hapur një vërë e madhe katrore, ku kanë futur  trungun i palmës gjysëm të shkulur natën e të rivendosur sërish. Përballë karburantit në anën e detit është një tjetër vepër arti me ca hunj hekuri ku janë salduar ca figura llamarine të zezë, që herë duken si lakuriqë të mëdhenjë nate e herë si karabullakë. Në se i shtojmë edhe atë tepsinë apo kulaçin ajror prej betoni para  pallatit “Tato” atëherë them se këto janë shëmtira diletantësh që nuk kanë të bëjnë aspak me artin dhe historinë. Gjithë ai zgjatim plot beton, që quhet Lungomare me fare pak pemë azmatike në përgjithësi mban mbi vete një histori brezash, traditash,  plot njerëz e ngjarje, që nuk mund të hiqen nga kujtesa e vlonjatëve. Aty në krah të hotel Bolonjës ka qenë një qendër sportive detare. Aty fëmijët e të rinjtë mësonin të vozisnin, të hidhnin pandulin, të zhvillonin gara detare. A nuk mund të ndërtohet aty një vepër arti ku të kujtohet (edhe të përtërihet) kjo traditë e qytetit? Ne sheshin e betonit të qethur e të rruar mund të ngrihej një monument në kujtim të notarëve të Vlorës e Skelës. Të na kujtonte të paharruarin Jani Hondro, kampionët e papërsëritshëm Edlira Xhindi e Skerdilajt Shyti e qindra djem e vajza notare. Në Vlorë për herë të parë sërfin e ka ndërtuar skelari Jani Hondro. Një varkë tetërremshme pedagogu i lundrimit Vladimir Toçi, e ktheu në velierë me idenë dhe punën e tij. Ai sërf dhe ajo varkë me vela ndezi fantazinë e qindra djemve dhe vajzave, të çanin  dallgët e Adriatikut e Jonit  megjithë ndalesat e kufizimet e rregjimit. Një monument në kujtim të krijimeve të atyre djemve të guximshëm, do ta zbukuronte bregdetin e Skelës dhe do të zgjonte kujtime të vjetra e  dëshira të reja.

Mos e dhëntë zoti e na bëjnë peshqesh  ndonjë belg a danez të ndërtojë në hapsirën para ish Shkollës së Lartë të Marinës ndonjë bllok madhështor pallatesh. Aty i dashur kryeministër është vendi ideal për të ndërtuar një Muze Historik të Flotës Detare Shqiptare qysh nga ilirët e mbretëresha Teuta deri në ditët tona.  Moli i Plazhit të Ri është një histori e traditë më vete. Për dhjetëra vite me rradhë aty “pagëzoheshin” e certifikoheshin për guxim e mëkoheshin me dashuri për detin, fëmijët vlonjatë me hedhjen e parë nga moli pa mbushur shtatë vjeç. Adoleshentët e të rinjtë lidhnin shoqëri të reja dhe bënin ato garat e bukura për hedhje nga trampolina me stilet  “skuadër,” “salto,” apo “dallëndyshe.” Edhe pse nuk kishte juri, gjithë të rinjtë e Vlorës i njihnin kampionët. Tani nuk ka më nga këto gjëra se Moli është kthyer në kafene. Të rinjtë bëjnë “banjo skiuma” në plazhe të rrethuara me badigardë, ku hyrja behet me pagesë, me vajzat e mbuluara sipër me dy gjethe molle, e poshtë, para me një gjethe tërfili e pas me një gjethe ulliri. Po zgjateni nja tridhjetë metra molin, vendosni disa trampolina të thjeshta, që të përtërihet ajo traditë e bukur e sportit bio, e të kënaqet “fukaraja”, që nuk ka para për plazhe private. Nuk gjendet më Shkëmbi i Doktorit që e kanë mbuluar me beton. Aty filloi shkolla e parë e zhytësve vlonjatë e përfaqësuar nga doktori Emanuil Berberian, Ilirjan Kreshpa, Roberto Mustafaraj, Rahim Sulioti, Lefter Diamanti e shumë të tjerë. Mbi  Shkëmbin e Doktorit ndërtoni një monument për zhytësit dhe gjuetarët e parë me pushkë deti. Hiqni atë monitorin gjigant të reklamave në Skelë që e fut nën rrënjën kubike Isa Boletinin dhe nxirrni në dritë Muzeun e Pavarësisë nga kioskat që i kanë zënë frymën. Ndërsa atje në Molin e Skelës, ngrini një monument a përmendore në kujtim të atyre qindra e mijëra vlonjatëve që kaptuan detin në fillim të viteve ’90, për të shkuar në Tokën e Premtuar. Janë me qindra ata që nuk ia dolën dot dhe u mbytën në Kanalin e Otrantos. Të jini të sigurt që shëtitorja me këto “shtesa” do të duket shumë herë më e bukur!

Përfundimisht betejën për karburantin edhe pse e quani vepër arti e keni humbur zoti kryeministër! Asnjë vlonjat madje edhe militantët e thekur, që e kanë partinë socialiste mbi çdo gjë nuk janë dakord. Madje as gazetari që  ju intervistoi dhe deklaroi që karburanti nuk pengonte asgjë a thua “maqinat” do shndërrohen në “alikopterë” gjatë furnizimit në “benzinato”. Dhe para se të zbatoni planet madhështore për Vlorën mbyllni grykat e kanaleve të ujrave të zeza, që derdhen me bollëk gjatë Lungomares. Instituti i Shëndetit Publik me kohë e ka shpallur të pa frekuentueshëm detin në pjesën më të madhe të saj.