‘Fake News’, keqpërdorimi i lirisë së fjalës për interesa financiare: Flet drejtuesi i Spitalit Amerikan

361
Sigal

Intervistë me z. Mario Karaj, Drejtor i Përgjithshëm Spitalor, Spitali Amerikan.

Ju jeni kthyer nga SHBA-ja për të punuar në Spitalin Amerikan. Ç’mund të thoni për këtë hap dhe për Spitalin Amerikan në përgjithësi?

Po, është e vërtetë, unë jam kthyer nga SHBA në vitin 2010-të. Pas një periudhe 10-vjeçare në Amerikë, ku studiova për Menaxhim Biznesi si dhe eksperiencave të ndryshme të punës, u ktheva në Tiranë për të punuar në stafin drejtues të Spitalit Amerikan.

Vendosa të kthehem pasi Projekti Amerikan për zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri ishte shumë sfidues dhe interesant. Spitali Amerikan është një investim i Fondit Amerikan të Investimeve SEAF në partneritet me Agjencinë Amerikane të Investimeve OPIK, Bankën Europiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit EBRD si dhe Fondit të Pensioneve në Danimarkë. Që nga fillimet e deri tani duhet përmendur që investimi në tërësi ka qenë kolosal dhe ka shërbyer për pacientët shqiptarë si dhe për zhvillimin e vendit në tërësi.

Një nga avantazhet kryesore të ngritjes së një strukture të tillë është që pacientët shqiptarë për diagnoza të vështira dhe specifike nuk kanë më nevojë të shkojnë në spitalet jashtë Shqipërisë, ku më parë përveç kostove tepër të larta përballeshin edhe me shumë probleme të tjera, duke filluar nga komunikimi me mjekët e huaj, udhëtimet e gjata dhe vështirësitë e ndjekjes postoperatore që kërkojnë rikontrolle të herëpashershme. Në princip të qenit i huaj është e vështirë, imagjino të qenit një pacient i huaj është sfilitëse dhe rraskapitëse.

Spitali Amerikan ka sjellë në Shqipëri jo vetëm teknologjinë e fundit mjekësore, por edhe mjekë shumë profesionistë që çdo institucion mjekësor në botë do t’i dëshironte. Në anën e zezë të medaljes dua të përmend një nga gjërat, që është tronditëse si fakt dhe që është një ngërc i përgjithshëm në zhvillimin e biznesit në Shqipëri, faktin që Spitali Amerikan është përballur dhe vazhdon të përballet në mënyrë të vazhdueshme me presione dhe shantazhe që arrijnë deri në gjobëvënie nga media të ndryshme.

I bëjmë thirrje të mos humbasin besueshmërinë e tyre, duke keqpërdorur lirinë e fjalës dhe të ruajnë profesionalizmin dhe integritetit. Pavarësisht këtyre vështirësive, strategjia e konceptit amerikan për të ngritur një institucion të qëndrueshëm, ka funksionuar deri tani për ne. Përgjigjja jonë ndaj këtyre fenomeneve është vetëm puna e përkushtuar dhe rritja e vazhdueshme e kënaqësisë së pacientëve.

Kjo ka bërë që Spitali Amerikan të ketë një kërkesë mjaft të madhe nga pacientët duke u “detyruar” në kuptimin e mirë të fjalës, të zgjerohet vazhdimisht. Cilat janë planet për të ardhmen?

Për vite me radhë Spitali Amerikan ka qënë i fokusuar në shërbimin e pacientëve vendas. Rekordet dhe historitë e suksesit të Spitalit Amerikan kanë kapërcyer edhe kufijtë e Shqipërisë, duke bërë që gjithmonë e më shumë pacientë të huaj të na besojnë. Prej rreth 5 vitesh Spitali Amerikan pret dhe përcjell pacientë të huaj të cilët vijnë dhe shpenzojnë në Shqipëri, duke e kthyer kështu turizmin mjekësor në një pikë të nxehtë të zhvillimit të ekonomisë edhe për vitet në vazhdim. Me zgjerimin e rrjetit spitalor në gjithë Shqipërinë, kapaciteti, teknologjia ka avancuar dhe stafi drejtues tani synon tërheqjen e udhëtarëve mjekësorë “Health Tourism” si prioritet për pesë vitet e ardhshme.