Kryeministri Edi Rama është komediani më i famshëm politik/ Flet Prof. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së: Fatkeqësisht kryerilindësi e ka mendjen tek ndryshimet ligjore për të rritur ndëshkimet penale, dhe jo tek krijimi i institucioneve që garantojnë lirinë dhe demokracinë parlamentare. Kriza, shkeljet e Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit, dallimi mes PS dhe ‘Rilindjes’, vettingu dhe shkatërrimi i Gj. Kushtetuse

532
Sigal

Fatkeqësisht kryeministri Rama më shumë mendjen e ka tek ndryshimet ligjore për të rritur ndëshkimet penale, se sa te krijimi i institucionet që garantojnë lirinë dhe demokracinë parlamentare

Jakup B. GJOÇA

Prof. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Shqipëria nuk është në normalitet demokratik e Institucional. Parlamenti është në krizë. Prof. Sherifi shprehet se Rilindja nuk është më socialiste, derisa “Në parlament, më të pasurit dhe më të akuzuarit janë ata që konsiderohen të Majtë e Rilindës”. Prof. Sherifi kalon deri në sarkazëm kur flet edhe për kryeministrin Rama, i cili emëron opozitën parlamentare, ndërkohë, që nuk kërkon të gjejë zgjidhjen e krizës politike me opozitën që ka dalë jashtë parlamentit. Prof. Sherifi shpreh mendimin se deputetët që pranuan të marrin mandatet e dorëzuara të opozitës, nuk shprehin më opozitën. Së fundi, Prof. Sherifi pohon se kryeministri Rama kërkon që të bëjë ndryshime të tilla për të rritur ndëshkimet ligjore, por jo që të krijojë institucione që garantojë lirinë dhe demokracinë parlamentare.

– Zoti Sherifi, a qeveris Kryeministri Rama, ndërsa përditë mban fjalime nëpër qytete dhe fshatra dhe problemet e shqetësimet e njerëzve zgjidhen me platformën www.shqiperiaqeduam.al?

– Më 1717 në Angli mbreti hoqi dorë nga menaxhimi i punëve ekzekutive. Që atëherë statusi i mbretit mori formën “mbreti sundon, por nuk qeveris!” Kështu më duket “bashkëqeverisja”. Nuk di kush i paguan shpenzimet për udhëtim e për t’u ushqyer njerëzve që vijnë për të uruare falënderuar nga Shkodra e Konispoli, që t’i deklarojnë kryeministrit se janë të lumtur për zgjidhjen e shqetësimit të tyre. Me shpjegimet për pensionet kryeministri konkurron specialistin e përkushtuar si njohës shumë i mirë i ligjit të sigurimeve shoqërore, Fadil Kepin.

– Sa socialiste dhe e Majtë është Rilindja Socialiste?

– Unë mbroj tezen, se në shtetin social të së Drejtës të Majtat e të Djathtat janë fiction. Sundojnë standardet e së drejtës për garantim e lirive politike e sociale të qytetarëve të lirë dhe standardi i mirëqenies për të gjithë. Në parlament, më të pasurit dhe më të akuzuarit janë ata që konsiderohen të Majtë e Rilindës.

A duhet të bashkëbisedojë Qeveria dhe mazhoranca me Opozitën për zgjidhjen e Krizës, apo duhet të ketë bashkëpunim me deputetë që vetëquhen, Opozitë?

– Cila është opozita, ajo që quhet parlamentare e krijuar nga listat e atyre që quhen opozita politike? Se maxhoranca përshëndeti opozitën parlamentare dhe zgjidhjen e kërkon nga opozita politike! Komedi!

– Cili është mesazhi i Kryeministrit kur tha pardje se do të zhdukte Opozitën?

– Kryeministri është komediani më i famshëm politik. Pasi e konsideron opozitën të vetëasgjesuar, i lutet të ulen në tavolinë!? Tezat e zhdukjes së opozitës ngjasojnë me vitet 1924 të Musolinit!

A mundet të ketë normalitet Parlamentar pa Opozitën dhe kur Parlamenti ka 102 deputetë dhe jo 140 siç e kushtëzon Kushtetuta?

– Në shtetin e së drejtës interpretimin e kësaj ngjarjeje e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese mungon interpretimi merr vetëm karakter akademik. Ka disa shkelje procedurale. Komisioni i Mandateve dhe Imuniteteve duhej të kishte thirrur çdo deputet që dorëzoi mandatin, për t’u bindur se letra e shkruar ishte e deputetit që e deklaronte. Pas kësaj procedure, vepron KQZ. Tani jemi para faktit të betimit të ‘listarëve’. Ata janë deputet, por jo përfaqësues të partive që i vunë në listë, sepse partitë morën vendim të largohen nga parlamenti.

A mund të zhvillohen zgjedhjet vendore pa pjesëmarrjen e Opozitës?

– Shqipëria nuk është në normalitet demokratik e Institucional. Parlamenti është në krizë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk mund të bëhen gjashtë muaj para zgjedhjeve. Por Rama deklaron se zgjedhjet vendore do të bëhen edhe pa opozitën, e sipas tij, do i fitojë edhe bashkitë, ku sot drejton opozita. Zgjedhjet pa opozitën, nuk janë zgjidhje, madje do e thellojnë më shumë krizën në Shqipëri.

– Nëse PS zhvillon zgjedhje vendore pa opozitën dhe nuk bëhen zgjedhje të përkohshme Parlamentare, sa reale është Përplasja Civile?

– Unë mendoj se Rama duhet të ndryshojë jo vetëm fjalorin politik aspak demokratik, por edhe sjelljen politike.

– Sipas jush cila duhet të jetë rruga që duhet të arrihet zgjidhja e krizës politike?

Politika është instrumenti që realizon qeverisje demokratike kushtetuese dhe krizat i zgjidh përmes kompromisit dhe konsensusit. Sentenca popullore thotë se të marrëve nuk u shkon prapa i mençuri, nëse ndodh, atëherë edhe i mençuri është i marrë.

Deri tani Drejtësia nuk ka gjykuar e ndëshkuar asnjë zyrtar të Lartë për Korrupsion. A duhet të jemi optimistë se SPAK kur të ngrihet do të luftojë korrupsionin, kur dimë që mazhoranca përzgjedh Anëtarët e SPAK, KLP, KLGJ etj?

– Jemi në momentin kur “Reforma në Drejtësi” ka krijuar boshllëqe Institucionale. Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa Prokuror të Përgjithshëm, pa Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Reforma në Drejtësi ka hequr, por ende nuk ka emëruar dhe akoma nuk ka krijuar institucionet që do ta godasin krimin. Fatkeqësisht, kryeministri Rama më shumë mendjen e ka tek ndryshimet ligjore për të rritur ndëshkimet penale, se sa te krijimi i institucionet që garantojnë lirinë dhe demokracinë parlamentare.

– Faleminderit!