Edhe Rilindja me “Çek të Bardhë”/ Hapet thesi i premtimeve për rritjen e pagave 20 ditë para zgjedhjeve, që qeveria nuk e përmbushi për 2 mandate

392
Sigal

Sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë hapet thesi i premtimeve nga partitë politike. Krahas taksave për bizneset, në fokus mbeten të punësuarit. Rritje e pagës minimale, dyfishimi i asaj mesatare, ulje e tatimit për të ardhurat nga paga po diskutohen shumë së fundmi.

Është sot fakt, që pagat mesatare dhe sipas sektorëve në Shqipëri janë më të ulëta në Europë, po ashtu edhe kufiri që ndan gjysmën e punonjësve, që paguhen më shumë dhe më pak. Sipas Eurostat, paga mediane referon që gjysma e shqiptarëve fitojnë më pak se 302 euro në muaj dhe të tjerët më shumë, nivel që është shumë më i ulët edhe se vendet e tjera të rajonit dhe as që krahasohet me shtetet e Bashkimit Europian. Është e vërtetë që rritja e pagave është e domosdoshme për të përmirësuar treguesit e varfërisë dhe sidomos për të ndalur hemorragjinë e emigracionit nga të rinjtë (që në pjesën më të madhe janë të mirarsimuar), por së fundi, edhe nga familjet.

Por, si gjithmonë, debati po përqendrohet në shifrat finale, që janë të prekshme për publikun, jo te thelbi: A mund të prodhojë ekonomia shqiptare një rritje të pagave, e cila realisht duhet të vijë nga përmirësimi i produktivitetit dhe jo e imponuar? Të dhënat e INSTAT tregojnë se të paktën që prej vitit 2010 deri në 2018-n, kur janë të disponueshme të dhënat, rritja e pagës mesatare vjetore (përjashtuar administratën shtetërore), e indeksuar me inflacionin, është ose negative, ose afër zeros. Është e qartë që rritja ekonomike nuk ka qenë gjithëpërfshirëse dhe e nxitur nga përmirësimi i produktivitetit, dhe ka ardhur nga disa sektorë apo investime të mëdha.

Nëse e shohim tendencën sipas tremujorëve për periudhën 2015-2019 konstatohen luhatje të shumta të sektorëve, që udhëheqin rritjen nga një periudhë në tjetrën, duke dëshmuar se ecuria ekonomike e vendit është në pjesën më të madhe rastësore, e ndikuar nga faktorë të tillë si prodhimi i energjisë (që nxitën rritjen e industrisë në 2018-n), apo projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve në lumin Devoll (që nxitën ndërtimin në 2017-n).

Këto luhatje tregojnë për zhvillimin e paqëndrueshëm të vendit dhe varësinë nga projekte të mëdha me karakter të përkohshëm, që nuk kanë krijuar një perspektivë të qëndrueshme zhvillimi dhe as rritje të mirëqenies së qytetarëve. Pasqyrë e kësaj është dhe niveli i ulët i të ardhurave buxhetore, që pavarësisht taksave të larta, nuk i ka kaluar 27% të Prodhimit të Brendshëm (PBB) është ndër më të ulëtit në Europë, duke mos krijuar mundësi as për rritje të pagave të administratës shtetërore.

Çfarë të ofron ekonomia sot? Nëse shikon strukturën e bizneseve, rreth 70% e subjekteve janë në sektorin e tregtisë me pakicë, përmes dyqaneve të vogla, apo në shërbime. Gati 20% janë bare, kafene e restorante. Mbizotëron vetëpunësimi, me rreth 33% të totalit, e dyta më e lartë në Europë pas Turqisë. Në anën e industrisë përpunuese, avantazhi konkurrues kryesor është krahu i lirë i fuqisë punëtore, i dukshëm në sektorin e tekstileve e këpucëve. Rritja e pagës minimale pritet të dëmtojë më shumë këtë aktivitet, që po i vuan tashmë pasojat e pandemisë, me rënie të theksuar të eksporteve.

Situata, që ka dalë më shumë në pah pas krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19, mund të fusë shumë sektorë në rreth vicioz, që të gjendur përballë mbijetesës, ose do të shkurtojnë punonjësit dhe mbyllin fabrikat (siç kanë paralajmëruar), ose do të rrisin informalitetin, duke ia vështirësuar në maksimum qeverisë premtimet e saj, për të mos thënë që të çojnë në dështimin e tyre.

Në fund të fundit nuk është qeveria që i rrit pagat te privati. Janë sipërmarrjet që nëse kanë më shumë të ardhura, do të shtojnë investimet, do të kërkojnë fuqi punëtore më të kualifikuar dhe si rrjedhojë, do të ofrojnë paga më të larta për punonjësit e tyre. Për të ndihmuar këtë sjellje, përpjekjet e qeverisë duhet të shkojnë në krijimin e një ambienti konkurrues, pa përqendrime firmash (të arritura jo për meritë, por nga favoret qeveritare), taksa në nivele të krahasueshme me rajonin, tërheqje investimesh të huaja, që sjellin njohuri dhe teknologji.

Për sa kohë që fokusi i politikave nuk do të jetë te përmirësimi i produktivitetit të sektorëve të ekonomisë, ku kemi avantazhe konkurruese, shtimi i vlerës së shtuar, rritja e njohurive dhe teknologjisë së informacionit, premtimi për rritjen e pagave rrezikon të mbetet utopia e radhës./monitor