Prof. Dr. Kristaq Kume: SPAK-u, me mosdënimin e krimit zgjedhor, amnistoi vjedhjen dhe manipulimin e votës

238
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së

SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

– Pas miratimit të Kushtetutës me referendum, në Nëntor 1998, reforma në sistemin e drejtësisë është ndër punët më të rëndësishme që  po behën nga shoqëria e jonë, në përpjekjet për të ndërtuar shtetin ligjor. Nevoja urgjente për një reformë të tillë është pasojë e faktit se, pushteti gjyqësor tek ne, realisht  ka vepruar si një pushtet  që nuk ka gjeneruar drejtësi, si një pushtet që shpesh ka funksionuar si mburojë dhe strehë për shkelësit e ligjit, për abuzuesit me pushtetin, për mbrojtjen më shumë se për dënimin e krimit, si një pushtet që jo rrallë ka vepruar i distancuar nga interesi i ligjshëm i shtetasve, si një pushtet që ka dënuar më të dobtin dhe ka institucionalizuar pandëshkueshmërinë për të fortët e pushtetit legjislativ ose ekzekutiv, qendror e lokal. Ndryshimi i kësaj gjendje mjeruese dhe me efekte të mëdha negative në gjithë jetën e vendit dhe të shoqërisë tonë kushtëzoi, si prioritet, ndër të parët, kryerjen e një Reformë të thellë në këtë sistem. Pritshmëritë nga kjo reformë janë të medha, por rezultatet e derisotme akoma nuk po ju afrohen këtyre pritshmërive. Mënyra se si i trajtoi SPAK dosjet 184 dhe 339, pa        hezitim mund të konsiderohet si një argument në favor të këtij pohimi.  Ndër arsyet nxitëse për ndërmarrjen dhe kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë ishte edhe sjellja e këtij pushteti ndaj të pushtetshmëve, e cila ngjizi në shoqërinë tonë fenomenin e pandëshkueshmërisë së tyre.  Veprimi dhe/ose mos veprimi i qëllimshëm i organeve të drejtësisë me afatet proceduariale, duke synuar dhe së fundi, duke i  përdorur ato si argumenta që pamundësojnë vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjeve, si pasojë e skadimit të afateve, ka qenë  dhe me sa duket, vazhdon të jetë, një ndër  problemet e mëdha që ka sistemi i drejtësise tek ne.  Të pohosh se dosjet 184 dhe 339  përmbajnë elemente të veprës penale të krimit zgjedhor dhe pas kësaj, të mos gjykosh personat përgjegjës që konsiderohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, është e barazvlefshme me amnistimin e këtij krimi zgjedhor. Një sjellje e tillë e SPAK në zbatimin e detyrës, ka efekte të padëshiruara në dy dimensione njëkohësisht:  bien ndesh me pritshmëritë ndaj reformës në sistemin gjyqesor dhe ndikon negativisht në ecurinë e procesit zgjedhor që po zhvillohet dhe realizimit të standarteve në zgjedhjet e 25 prillit.  Një vendim i tillë i SPAK, në bazën e të cilit është pamundesia proceduariale për gjykim e shkaktuar nga skadimi i afateve, i “trimëron” gjithë ata që synojnë të përdorim mjetet jo ligjore në garën zgjedhore.

-Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

– Vendimi i SPAK për të mbyllur procesin e gjykimit pa vendim, për personat që konsiderohen se janë përgjegjës për konsumimin e veprës penale të krimit zgjedhor, si pasojë e përfundimit të afateve proceduariale, ka të njëjtin efekt me vendimin që do t`i shpallte ata të pafajshem.  Mbyllja në këtë mënyrë e procesit të gjykimit, bënë që  dosjet 184 dhe 339, pavarësisht nga pretendimet politike, të mos kenë autorë nga rradhët e personave me përgjegjësi të dalluara politike. Ato nuk arrijnë të prodhojnë asnjë efekt për këta persona. Vendimi i SPAK ka bërë që, ligjërisht e drejta e tyre për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit, te mos ndikohet fare nga përmbajta e këtyre dosjeve.  Referuar kërkesave te ligji për dekriminalizimin, personat emri i të cilëve  shkruhet në dosjet 184 dhe 339,  nuk kanë asnjë detyrim ligjor të deklarojnë një fakt të tillë në fomularin e vetëdeklarimit të kandidatit për deputet. Në këtë formular kandidati është i detyruar të deklarojë në se është apo jo subjekt i këtij ligji dhe, sipas ligjit, subjekte të tij  janë ata persona të cilët janë dënuar me burgim, me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës për vepra penale, ku perfshihen edhe “vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”. Personat që përmenden në dosjet 184 dhe 339 dhe që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 25 prill, referuar vendimit te SPAK për pushimin e gjykimit për arsye të kalimit të afateve proceduriale, lidhur me çfarë trajtohet në këto dosje  nuk kanë asnje detyrim ose pasojë ligjore, që mund të ndikojnë në kandidimin e tyre.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit? KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– KQZ mund të kërkojë verifikimin e thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve për deputet.  Si rregull kërkesa për këtë verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike, të njohura botërisht. Por megjithë këtë, ligji thekson se mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e verifikimit.  Këtë të drejtë ligjore ka përdorur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për të mbështetur kërkesën, që ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, për verifikimin e thelluar të vetëdeklarimeve të disa kandidatëve për deputet që garojnë në zgjedhjet e parlamentare të këtij viti. Në dijeninë time në asnjë rast, indicie për këtë kërkesë nuk kanë qenë dosjet 184 dhe 339. Vendimi i marrë nga SPAK ka bërë që, mundësia që kishte gjykimi i këtyre dosjeve për të krijuar një frymë, mjedis  dhe sjellje të ndryshme nga të mëparshmet, ndaj shkelësve të ligjit zgjedhor, të zerohet. Ky vendim e pamundëson çdo institucion, përfshirë edhe KQZ, të veprojë më tej, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta.  E përfshirë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, shoqëria e jonë ka nevojë sot, më shumë se në çdo kohë tjetër, për  kontributin e të gjithëve, për parandalimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor. Dhe kontributi më i mirë për këtë parandalim është zbatimi dhe veprimi efektiv i ligjit, dënimi i shkelësve të tij dhe jo fshehja e mosdënimi i  krimit, duke keqpërdorur përshembull afatet proçeduriale.  Mos gjykimi deri në fund i dosjeve 184 dhe 339 por shmangia e tij me arsye proceduriale  është një mesazh demotivues për reformën në sistemin e drejtësisë dhe motivues për të gjithe ata që synojnë  të përdorin mjete dhe të ndjekin rrugë jo ligjor në garën zgjedhore.