e-Albania “gropa” thithëse që mori  miliona me të cilat mund të punësoheshin 50 mijë të rinj

e-Albania jashtë funksionit prej ditësh, qytetarët nuk marrin dot as certifikata

Janë paguar miliona për implementimin e sistemit të e-Albania dhe çdo vit derdhen para për mirëmbajtjen e tij, por sistemi nuk punon.

NOA

Në vend që të ndihmojë, e-Albania po pengon qytetarët të kryejnë veprime bazë: shkarkimin e certifikatave, aplikimet për dokumente identiteti, ekstrakte për banka, noterë apo gjykata. Situata është absurde: nëse je në një bankë dhe të kërkohet një dokument, nuk ke mundësi ta marrësh në kohë reale, sepse aplikacioni papritur mund të të lë në baltë. Qytetarët detyrohen të paguajnë zyrave private ose të braktisin procesin.

Në vend që të jetë ura midis qytetarit dhe shtetit, e-Albania është kthyer në një mur dhe gropë thithëse që mori miliona për sistemin, kur këto para mund të punësonin mijëra të rinj shqiptar.

Pa përmirësime urgjente dhe pa rikthimin e aksesit të plotë nga celularët, e-Albania nuk është më një shembull i dixhitalizimit, por një paralizë e shtetit modern shqiptar.

Një qytetar ka denoncuar një problem të vazhdueshëm në platformën qeveritare e-Albania, e cila prej dy ditësh rezulton jashtë funksionit.

Sipas tij, për shkak të këtij problemi nuk ka mundur të tërheqë një certifikatë të nevojshme, as përmes aplikacionit online dhe as pranë zyrave të gjendjes civile.

Qytetari shprehet se ka tentuar disa herë të aksesojë platformën, por çdo përpjekje ka rezultuar e pasuksesshme, ndërsa problemi vijon të jetë i njëjtë prej dy ditësh. Ai thotë se kjo situatë ka shkaktuar vështirësi për qytetarët, si puna e tij, që kanë nevojë urgjente për dokumente zyrtare.

Ndërkohë prej disa ditësh nuk funksionin as platforma SelfCare, e përdorur gjerësisht nga bizneset për menaxhimin e shërbimeve dhe proceseve të tyre, e cila aksesohet nëpërmjet e-Albania dhe që ka shkaktuar shqetësim dhe penalizim të aktivitetit të përditshëm të kompanive.

Këto denoncime pasqyrojnë shqetësimet e qytetarëve lidhur me funksionimin e dobët të platformës dhe ndikimin që ka kjo situatë në shërbimet e nevojshme për ata që kërkojnë të realizojnë procedura për nevojat e tyre profesionale, qytetare apo akademike.

E-Albania bëhet “nga e para”

Qeveria ka përcaktuar 2.8 miliardë ose rreth 26 milionë euro në buxhetin e shtetit për të financuar rindërtimin e portalit qeveritar e-Albania nga e para, bashkë më Platformën Qeveritare të Ndërveprimit. Sipas tabelave shoqëruese të buxhetit, projekti pritet të zgjasë disa vite, por vitin tjetër ai do të financohet rreth 5.2 milionë euro.