Çmimet rëndojnë më shumë te pensionistët; INSTAT: Kanë inflacion më të lartë se mesatarja

50
Sigal

Pensionistët e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa tjetër e popullatës, pasi buxheti i tyre mujor është më tepër i përqendruar në blerjen e ushqimeve, që janë shtrenjtuar ndjeshëm, sesa të mallrave dhe shërbimeve të tjera të tilla si arsimi dhe argëtimi etj. Anketa e buxhetit të familjeve tregon se nga shpenzimet totale mujore 41.3 për qind shkuan për ushqime më 2021, kurse për moshat në pension pesha e ushqimeve është 59 për qind e shpenzimeve mujore. Sipas matjeve të INSTAT, gjatë periudhës qershor 2022- qershor 2023 treguesi zyrtar i inflacionit në vendin tonë ishte 6.9 për qind, ndërsa inflacioni i pensionistëve ishte 8.6 për qind, ose 1.7 pikë për qind më i lartë se treguesi mesatar. Në bazë të një vendimi qeverie të vitit 2017 INSTAT mat inflacionin e pensionistëve për 12 grupe kryesore të shpenzimeve mujore, të cilat kanë pesha të ndryshme në raport me inflacionin mesatar që matet në rang vendi. Inflacioni i pensionistëve u sugjerua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pasi struktura e shpenzimeve të shportës në moshat mbi 65 vjeç është e ndryshme në raport me popullsinë e përgjithshme. Në shportën e pensionistëve shpenzimet për shërbimet arsimore janë zero, ndërsa për popullatën e përgjithshme janë 3 për qind. Argëtimi dhe kultura zënë 1 për qind të shpenzimeve mujore të pensionistëve, ndërsa në mesataren e popullsisë 2.8 për qind. INSTAT fillimisht dorëzoi inflacionin e pensionistëve çdo shkurt për vitin paraardhës me qëllim indeksimin e pensioneve, por me ngjarjet e fundit nga kriza e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë, INSTAT ka një tregues të përmuajshëm për inflacionin e pensionistëve. Kjo praktikë shërben për të indeksuar pensionet më shumë se dy herë në vit nëse ndodhin rritje të mëdha çmimesh. Të ardhurat nga pensioni për moshën e tretë janë shumë të ulëta në vendin tonë. Të dhënat zyrtare nga skemat publike të pensioneve tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri është 39% më i ulët se në Rajon këtë vit. Sakaq Shqipëria nuk garanton të ardhura minimale për popullsinë. Legjislacioni nuk e specifikon një pikë referimi dhe kjo vështirëson mangësitë në të ardhura në kategori të caktuara të popullatës