Bashkitë lënë pa regjistruar në Kadastër mijëra pasuri publike

240
Sigal

Pas ndarjes së re, territoriale, mijëra pasuri publike nuk janë regjistruar pranë Kadastrës, zvarritja e të cilave ka bërë që një pjesë e këtyre pronave “të pushtohen” nga privatët. Në rang vendi janë 373 njësi administrative dhe janë bërë 369 lista inventarizimi dhe janë miratuar vetëm 170 lista përfundimtare. Në total në të gjithë vendin bashkitë duhet të inventarizojnë dhe të regjistrojnë në Kadastër 328,096 prona

 

Zvarritja e regjistrimit të  pasurive pezullohet  për shkak të qëllimit të qeverisë për t’i përdorur pasuritë e pushtetit vendor në shërbim të qeverisjes qendrore, për t’i dhënë me koncesione, për t’i dhënë me nën-kontraktime

Faktet tregojnë që në të gjithë Shqipërinë ka prona të përdorura nga qeveria me forma të ndryshme koncesionare, PPP, “Shqipëria, 1 euro” dhe bashkitë i ka lënë pa prona, që të mund t’i menaxhojnë dhe t`i kapitalizojnë.Mungesa e kësaj certifikate pronësie nuk e lejon pushtetin vendor t`i shfrytëzojë këto prona në masën 100% dhe t`i administrojë të ardhurat.

Nga Eliza Gjediku

Kopshti numër 34 në Tiranë, në Kombinat, është i detyruar të refuzojë një sërë kërkesash nga prindërit për të regjistruar fëmijët. Ky kopsht mbledh edhe të gjithë ata fëmijë të zonës, që njihet si Astiri dhe Yzberishti, pasi nuk kanë një kopsht publik.Kopshti 34 është i detyruar të funksionojë në një sipërfaqe të reduktuar, pasi më shumë se 50% e pronës së tij është zënë nga privati. Madje, Bashkia e Tiranës as ka mundur ta inventarizojë këtë pronë dhe privatët kanë vepruar një hap më përpara, duke ndërtuar mbi këtë pronë.“Prona e kopshtit nr. 34, me 800 m2 sipërfaqe truall, dhe nga kjo, 412 m2 ndërtesë, ku një pjesë e saj është e zënë nga privati”, – thuhet në raportin e KLSh, që ngre shqetësimin për mosinventarizimin e pronave të pushtetit lokal.Qindra prona publike janë lënë me një status të paqartë dhe të paregjistruara pranë hipotekave, pas reformës territoriale të vitit 2015.Pushtetit vendor iu la afat deri në vitin 2019 për të kryer inventarizimin e pronave të paluajtshme, por i gjithë procesi u la në harresë dhe nuk u përfundua. Në ligjin e ri të vitit 2020 “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 37 të tij u përcaktua se njësitë vendore kishin 18 muaj kohë nga hyrja në fuqi e ligjit për përditësimin e plotë të pronave të inventarizuara.Ky afat i lënë në dispozicion të bashkive përfundoi në nëntor të këtij viti, ndërsa regjistrimi i pronave duket ende shumë i largët.

Pas ndarjes së re, territoriale, mijëra pasuri publike nuk janë regjistruar pranë Kadastrës nga pushteti lokal. Zvarritja e procesit ka bërë që një pjesë e këtyre pronave “të pushtohen” nga privatët, duke iu rrezikuar edhe statusin. Në këtë situatë procesi është shtyrë deri në dhjetor të vitit 2028, pa asnjë penalitet për mosrespektimin e ligjit prej 5 vitesh nga ana e pushtetit vendor.

Ku ka ngecur inventarizimi

Referuar të dhënave të mbërritura nga Kadastra, faza e parë e inventarizimit, që ka të bëjë me listimin e pronave, që ka një njësi bashkiake, është e përfunduar në të gjithë territorin. Kjo fazë parashikon që në listën e inventarizimit të hidhen rrugët, tokat, pyjet, shkollat, godinat, pra çdo gjë shtetërore. Më pas ajo ia kalon për miratim Prefekturës, pastaj shkon në Kadastër, ku bëhet verifikimi i formularëve dhe pas miratimit nga Kadastra (ish-ALUIZNI), shkon në Kryeministri dhe miratohet me VKM.

Faza e dytë ka të bëjë me transferimin e pronave, pra do t`ua transferojë pronat institucioneve qendrore dhe bashkia mban vetëm pronat që i takojnë asaj. Miratohet me VKM edhe lista e dytë me transferimin e pronave.

Faza e tretë e inventarizimit është miratimi i listës përfundimtare me VKM dhe kalimi në pronësi të bashkisë i pronave që i takojnë.Dhe në fund, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, bashkitë bëjnë regjistrimin në Kadastër të pronave të tyre kundrejt një pagese, por bashkitë ankohen se procesi i inventarizimit ka ngecur te Kadastra, pasi “pagesa, që duhet bërë, është shumë e lartë”, shkon deri në 20 milionë lekë.

“Pengesa kryesore në regjistrimin e pasurive shtetërore nga ana e bashkive është tarifa e regjistrimit, e cila sjell kosto deri në mbi 20 milionë lekë (për pronat e inventarizuara), për buxhetet e paqëndrueshme të bashkive”, – thotë një raport i KLSh, i cili saktëson se transferimi i pronave “nuk është shoqëruar edhe me asistencë financiare, përmes përfshirjes së këtyre fondeve në fondin e pakushtëzuar apo në fondet specifike, që bashkitë marrin për funksione të caktuara”.

Ku janë Tirana, Elbasani dhe Fieri me këtë proces?

Bashkia e Tiranës, e Fierit dhe ajo e Elbasanit, që u morën në shqyrtim nga Investigative Netëork Albania në lidhje me inventarizimin e pasurive të paluajtshme, kthyen përgjigje vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por, edhe në këtë rast, përgjigjet ishin të cunguara.Kadastra sqaron për Investigative Netëork Albania, se inventarizimi ka përfunduar në 9 njësi administrative në Tiranë, nga 14 njësi administrative që ka në total. Në Bashkinë e Elbasanit, nga 13 njësi administrative, ka përfunduar procesi për 4 njësi administrative, ndërsa në Bashkinë e Fierit, nga 10 njësi, procesi nuk është mbyllur në Levan.Konkretisht, në Tiranë ka përfunduar në njësitë: Zall Herr, Zall Bastar, Petrelë, Baldushk, Pezë, Vaqarr, Farkë, Krrabë dhe nuk ka përfunduar në njësitë Dajt, Shëngjergj, Bërzhitë, Ndroq dhe Kashar.

Për Bashkinë e Elbasanit ka përfunduar procesi për njësitë Gjergjan, Bradashesh, Papër, ndërkohë procesi nuk është mbyllur në njësitë Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Gjinar, Shushicë, Funar, Shirgjan, Tregan, Gracen, Zavalinë. Për e Bashkinë e Fierit ka përfunduar procesi, përveç njësisë Levan.

Burime nga Kadastra bëjnë me dije se inventarizimi paraprak ka përfunduar në të gjitha bashkitë, por të gjitha inventarizimet e bëra kryesisht nga ish-komunat do të rishikohen, sepse janë pa hartat e zërave kadastralë dhe do të përshtaten me ndryshimet ligjore, që janë bërë në ligjet e pronave, si dhe me hartat e reja.

Praktikisht, procesi do të zgjatet edhe më tej, për shkak të mungesës së hartave, që përcaktojnë përfundimisht kufijtë e saktë të pronave të bashkive. Këto inventarizime janë pranuar dhe miratuar me VKM, por do të rishikohen, për t`u plotësuar me hartat përkatëse.

Bashkia e Tiranës ka nën administrimin e saj rreth 13.182 pasuri, të cilat janë transferuar; 5.755 pasuri i janë transferuar në pronësi dhe në përdorim Bashkisë së Tiranës dhe 7.424 pasuri, që janë rrugë, sheshe publike dhe objekte të ndryshme. Nga këto pasuri, që ka në pronësi Bashkia e Tiranës, ka përfunduar regjistrimi pranë Kadastrës i 911 pasurive. Në këtë bashki, në zbatim të ligjit nr. 20/2020, inventarizimi i plotë nuk ka përfunduar, pasi po bëhet përditësimi i listave të pronave të inventarizuara.

Bashkia e Elbasanit refuzoi të japë informacion se sa prona ka në territor dhe sa janë inventarizuar, por mjaftohet me një përgjigje të mjegullt.“Bashkia e Elbasanit ka 3 subjekte juridike nën administrim dhe 8 subjekte në varësi, të cilat janë të transferuara në pronësi ose përdorim me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 416, datë 11.07.2007”, – thotë Bashkia e Elbasanit. Ndërsa, Bashkia e Fierit thotë se ka në përdorim vetëm pronat e miratuara me Vendim të Këshillit Bashkiak, por nuk specifikon se sa është numri i tyre, i saktë.“Ka nivel mesatar të kalimit të pronës në varësi të Bashkisë së Fierit, në përputhje me ndryshimet ligjore. Ky nivel kalimi vjen si pasojë e problematikave të ndryshme, si mospërputhje të faktit me dokumentin në sipërfaqe të pronave, mbivendosjeve të krijuara ndër vite, mospërputhje të hartave kadastrale Bashki/ASHK, mungesa e hartave treguese në ASHK, mungesa e përditësimeve etj.”,përgjigjet Bashkia e Fierit në lidhje me procesin e inventarizimit.Megjithatë, një raport i KLSh saktëson se qarku i Fierit ka gjithsej 17,016 prona, nga të cilat ka të inventarizuara 4,931 prej tyre. Nga 42 lista inventarizimi, vetëm 27 janë miratuar përfundimisht.Në qarkun e Elbasanit janë në total 38,680 prona dhe janë 50 lista inventarizimi, nga të cilat vetëm 20 janë miratuar; ndërsa në qarkun e Tiranës janë 36,785 prona, me 29 lista inventarizimi dhe vetëm 21 janë miratuar.

Në rang vendi janë 373 njësi administrative dhe janë bërë 369 lista inventarizimi, nga të cilat janë miratuar 265 lista paraprake dhe në finale janë miratuar vetëm 170 lista përfundimtare. Në total në të gjithë vendin bashkitë duhet të inventarizojnë dhe të regjistrojnë në Kadastër 328,096 prona.Këshillat Bashkiakë të tri bashkive të marra nën hulumtim nuk iu përgjigjën një kërkese të INA MEDIA-s se çfarë e kishte shkaktuar vonesën e miratimit të listave për pasuritë e paluajtshme.

Në rang vendi janë 373 njësi administrative dhe janë bërë 369 lista inventarizimi, nga të cilat janë miratuar 265 lista paraprake dhe në finale janë miratuar vetëm 170 lista përfundimtare. Në total në të gjithë vendin bashkitë duhet të inventarizojnë dhe të regjistrojnë në Kadastër 328,096 prona

Pse bashkitë nuk e kanë bërë inventarizimin?

Bashkitë pretendojnë se barra financiare, që duhet të paguajnë pranë Kadastrës për çdo pronë që inventarizojnë, është ngërçi që po mban peng regjistrimin final të pronave.

Bashkia e Elbasanit, e cila është shumë mbrapa me këtë proces, fajëson tarifat e Kadastrës për mospërparimin e inventarizimit.“Regjistrimi i pronave bëhet sipas prioriteteve për arsye të pagesave, që duhet të kryejmë pranë ASHK për procedurat e regjistrimit, të cilat rëndojnë mbi buxhetin e kësaj bashkie”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Elbasanit. Dhurata Çupi, eksperte e pushtetit vendor, thotë se ky proces është zvarritur qëllimisht nga qeveria, duke lënë vend për abuzime.“Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në pronësi të njësive të qeverisjes vendore është pezulluar dhe në gjykimin tim, për shkak të qëllimit të qeverisë për t’i përdorur pasuritë e pushtetit vendor në shërbim të qeverisjes qendrore, për t’i dhënë me koncesione, për t’i dhënë me nën-kontraktime”, – aludon Dhurata Çupi.

“Faktet tregojnë që në të gjithë Shqipërinë ka prona të përdorura nga qeveria me forma të ndryshme koncesionare, PPP, “Shqipëria, 1 euro” dhe bashkitë i ka lënë pa prona, që të mund t’i menaxhojnë dhe t`i kapitalizojnë”, – thotë ajo.

Mungesa e kësaj certifikate pronësie nuk e lejon pushtetin vendor t`i shfrytëzojë këto prona në masën 100% dhe t`i administrojë të ardhurat. Aida Cacaj, eksperte e pushtetit vendor pranë Shoqatës së Bashkive, thotë se procesi i inventarizimit të pronave shtetërore nga ana e bashkive duhet të shihet i pandarë nga procesi i regjistrimit të këtyre pronave.

“Gati të gjitha bashkitë e vendit kanë prona të transferuara sipas VKM-ve përkatëse, të paregjistruara. Bashkitë kanë mungesa të dokumentacionit dhe të burimeve njerëzore, kryesisht topografë, për përgatitjen e këtij dokumentacioni. Problematikë ende e pambyllur është paqartësia në kufijtë administrativë mes bashkive”, – shpjegon ajo.

“Bashkitë trajtohen nga ZRPP njësoj si subjektet private, duke hasur burokraci dhe ngarkesa administrative. Duhet përmendur edhe pretendimi i bashkive se disa pasuri, kryesisht ndërtesa, iu janë transferuar, pa u llogaritur amortizimi i tyre në vite. Në këtë mënyrë, vlera reale e pasurisë është shumë më e ulët, krahasuar me atë që rezulton në dokumentacionin shoqërues”, – shprehet ajo për Investigative Network Albania.

Ligji nr. 8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” (LPPSH), përcakton regjimin juridik të llojeve të pronave të paluajtshme të shtetit dhe përgjegjësitë për administrimin e tyre. Sipas nenit 6 të këtij ligji, të gjitha pronat e paluajtshme të shtetit duhet të regjistrohen në Regjistrin e Pronave të Paluajtshme, duke ndjekur procedurat që parashikon ligji i posaçëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

“Jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave duhet të miratonte aktet ligjore për procedurat, nëpërmjet të cilave do të inventarizoheshin të drejtat e pronësisë. Këshilli i Ministrave përcaktonte se cili do të ishte organi përgjegjës për administrimin e çdo njësie të pronës së paluajtshme, ndërsa për transferimin e pronave në favor të njësive të qeverisjes vendore, ligji përcaktonte se ky proces do të rregullohej nga një ligj tjetër, i posaçëm”, – analizon juristi, Julian Zguro, bazën ligjore.

Ndërsa Gëzim Boçari, njohës i problematikave të pronave, e sheh problemin të lidhur me vetë ligjin.

“Procesi i inventarizimit të pasurive të paluajtshme nuk është mbyllur, pasi legjislacioni dhe metodologjia, që po përdoret, janë kontradiktorë dhe në shkelje me detyrimet kushtetuese. Kjo është vazhdimësi e anarkisë së titujve të pronësisë, që ka filluar në vitin 1991. Prona u nda sipas zërave kadastralë dhe nuk u muar në konsideratë që duhet t`i kthehej pronarit të ligjshëm, pavarësisht zërit kadastral, dhe sipas dokumenteve të origjinës”, – thotë Boçari për INA.

Ai parashikon që ky proces të shtyhet pafundësisht, për shkak të pamundësisë financiare që kanë bashkitë për të paguar për regjistrimin e pronës.

“Bashkitë nuk kanë absolutisht aftësi financiare për të mbyllur inventarizimin dhe, po të tentohet, do të jetë shtyrje e afateve kohore dhe thellim i paligjshmërisë për ta paraqitur situatën pa zgjidhje”, – tha Boçari.

Ligji nuk është zbatuar qëllimisht

Pronat e dhëna me qira bëjnë pjesë te pronat, që kanë përfunduar procesin e inventarizimit dhe regjistrimit në Kadastër, dhe që janë nën pronësinë e bashkisë. Çdo pronë, që jepet me qira në Bashkinë e Fierit, kur është zonë urbane, sipas vendimit bashkiak numër 95, datë 02.12.2020, “Mbi Strukturën dhe nivelin e Taksave dhe Tarifave Vendore të vitit 2021”, paguhet 400 lekë/m2/muaj dhe për Njësitë Administrative, 100 lekë/m2/muaj. Paratë, që mblidhen, pa treguar zëra, bashkia thotë se përdoren për mirëmbajtjen e vetë godinave të dhëna me qira.“Shuma e të ardhurave nga dhënia e objekteve (godinave), me qira është në vlerën 5,232,166 lekë për vitin 2020 deri në tetor 2021. Janë përdorur për mirëmbajtjen e vetë godinave, si dhe për shërbime të tjera”, – thotë Bashkia e Fierit, pa specifikuar më shumë. Ndërsa Bashkia e Elbasanit, pa referuar numër vendimi dhe datën e miratimit të tij,- thotë se përgjigjet për qiratë janë në faqen zyrtare të bashkisë, por praktikisht pa numër vendimi është thuajse e pamundur të gjesh çmimet për metër katror, madje kjo bashki nuk detajon se ku i përdor fondet që mbledh nga qiradhënia e pronave shtetërore.“Të ardhurat e arkëtuara nga shfrytëzimi i këtyre objekteve derdhen në buxhetin e bashkisë, i cili sigurisht përdoret për kryerjen e investimeve në fusha të ndryshme”, – përgjigjet Bashkia e Elbasanit. Sa i takon Bashkisë së Tiranës, gjatë vitit 2020 ka mbledhur nga dhënia me qira e pronave 33,692,062 lekë, ndërsa deri në shtator të këtij viti kishte mbledhur 35,816,641 lekë. Ndërkohë, as kjo bashki nuk sqaron se për çfarë përdoren këto të ardhura. Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se arsyet e vonesës në zbatimin e ligjit kanë të bëjnë me interesat e lidhura me pronat e bashkive.“Ky është një nga rastet, ku, për shkak të interesave të mëdha, që qëndrojnë pas pronave shtetërore, qeveria nuk ua jep ato bashkive, por vazhdon t’i administrojë vetë, me pretekstin e vonesave burokratike”, – shprehet ai. Ndërsa Boçari shkon edhe më tej, kur thotë se pronat e paregjistruara janë përdorur për veprimtari të paligjshme, madje, sipas tij, në Vlorë është ndërtuar pa leje mbi pronat që ishin të painventarizuara.“Pronat e paregjistruara nga bashkitë gjatë kohës që po mbahen peng, janë shpërdoruar dhe janë baza e përdorur për veprimtari të paligjshme, duke i dhënë me qira, duke lejuar pushtime dhe ndërtime pa leje nga persona të tretë. Edhe në rastet kur KRRT e rrethit ka dhënë leje ndërtimi, ato leje janë në shkelje flagrante të ligjit për Urbanistikën dhe kërkesave ligjore për dhënien e lejeve të ndërtimit”, – tha Boçari. Shtëpia e Ushtarakëve në Bashkinë e Vlorës është një nga pronat më të majme të kësaj bashkie. Me sipërfaqe prej 1,673 m2 truall, nga kjo ndërtesë 795 m2 janë zënë nga privati dhe bashkia e qytetit bregdetar nuk ka mundur ta inventarizojë. E braktisur dhe e lënë në mëshirë të fatit, aktualisht aty jetojnë disa familje, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian.

Ekspertët gjykojnë se, në kushtet kur ligji detyron regjistrimin e çdo lloj kontrate, mosinventarizimi i pasurive publike është neglizhencë e qëllimshme.“Është në fakt absurde, kur në të njëjtën kohë subjektet private, jo vetëm biznese, por dhe individë, detyrohen të regjistrojnë çdo lloj kontrate mes tyre mbi pasuri të paluajtshme, ndërsa organet shtetërore arrijnë t`i shmangen ligjit”, – përfundon Cacaj për INA.“E gjithë situata është produkt i abuzimit me pushtetin dhe kompetencat. Në një shtet normal, përgjegjësit e kësaj situate do të ishin duke u përgjigjur para ligjit”, – argumenton Pano Soko.

KLSh kritikon bashkitë

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ngritur shqetësimin e mosinventarizimit të pronave publike dhe ka identifikuar raste të shumta në disa bashki, kur ato janë zënë nga privatët. Sipas KLSh, mosregjistrimi i pronave, veç të tjerash, ka dhënë impakt negativ në procesin e legalizimeve dhe të administrimit të pronës shtetërore.“Së pari, lënia në “informalitet” e pronave shtetërore me pasojë mos-saktësimin e statusit të tyre, juridik ka sjellë rritjen e ndërtesave informale apo edhe zaptimin e tyre, për godina të amortizuara apo të rrënuara, mbi të cilat janë ndërtuar objekte informale. Së dyti, në frenimin e procesit të legalizimit në mungesë të konfirmimit nga ana e organeve shtetërore”, – thuhet në raportin e KLSh. Si pasojë e këtij ngërçi të krijuar nga inventarizimi fillestar, miratimi me VKM dhe regjistrimi në Kadastër, pronat shtetërore janë tjetërsuar dhe në mënyrë të jashtëligjshme janë privatizuar nga subjekte private. Me mijëra metra katrorë janë zënë nga privati vetëm në Tiranë, për shkak të mosfunksionimit të ligjeve, duke qenë se nuk janë zbatuar. E njëjta shkelje nuk ka ndodhur vetëm në bashkitë e marra në shqyrtim në këtë shkrim, por edhe në bashki të tjera të vendit.“Kopshti i Rajonit nr. 5 në Bashkinë e Vlorës, me sipërfaqe 1000 m2 truall, dhe nga këto 152 m2 ndërtesë, e cila është zënë forcërisht nga privati. Në Bashkinë e Shkodrës, prona “Godina e Observatorit”, me sipërfaqe 3032.25 m2, dhe nga këto 132.25 m2 ndërtesë. Konvikti i Shkollës Veterinare në Bashkinë e Shkodrës, me sipërfaqe 742 m2 truall, dhe nga këto 742 m2 ndërtesë, e zënë forcërisht”, – thotë KLSh.Të njëjtin fat ka pasur edhe prona e poligonit në Tufinë. 54% e pronës së poligonit të stërvitjes, të Njësisë Administrative në Dajt, është zënë nga privati. Edhe këtu mungesa e inventarizimit dhe e regjistrimit të 83.5 hektarëve të poligonit ka bërë që 45 hektarë të zihen nga privati, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Kjo zonë deri në fund të nëntorit të vitit 2021 kishte të bllokuar edhe procesin e legalizimit, por u rihap pas bashkëpunimit midis Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ku kjo sipërfaqe e zënë u kalua në pronësi të shtetit, për të hapur kështu dritën jeshile për përfitimin e parcelës ndërtimore, mbi të cilën pozicionohet objekti informal.