Rruga Shijak-Durrës e amortizuar

1109
Sigal

Paçka se investimi i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka përfunduar, rruga që lidh Durrësin me Shijakun vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Prej shumë vitesh ky aks është kthyer në një shqetësim për të gjithë drejtuesit e automjeteve, bizneset dhe banorët e zonave përgjatë tij.

Ata kanë kërkuar dhe organizuar protesta për rehabilitimin e rrugës, por asgjë nuk ka ndryshuar. Përballen me një rrugë që rrënohet çdo ditë e më shumë bashkë me besimin e tyre se dikush do të ndërhyjë. Në prill të këtij viti, u deklarua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar se sistemim-asfaltimi i kësaj rruge tepër të amortizuar do të niste sapo të përfundonte rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit nga Mulliri Bullgarit te 4 Rrugët e Shijakut, në mënyrë që të realizohej infrastruktura e nevojshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e rrugës.

Prej dy muajsh, investimi prej 64 milion lekësh i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka përfunduar, po rehabilitimi i rrugës nuk ka nisur dhe nuk dihet kur do të nisë.