Banorët e Qafëzezës: Shpërblimet po bëhen me kritere partiake

531
Sigal

Banorët e Qafzezës me lot në sy: Nuk duam mish e makarona, shpërblimet po bëhen sipas bindjeve politike!

“Nuk duam as makarona as mish, duam të vijnë të vlerësojnë dëmin ashtu siç është dhe të na dëmshpërblejnë!”, tha një banor nga fshatit Qafzez të Ersekës banesa e të cilit është shembur nga tërmeti katër muaj më parë. Një tjetër tregoi për Fax News se kishin vajtur autoritetet ishin tallur me ta dhe më pas ishin larguar. Ndihma jepet në mënyrë selektive. “Më kanë nxjerrë nga zyra kur vajta të ankohem. Dallavere bëjnë të tërë. Po jetojmë në kasollet që ndërtuam vetë. Vijnë ca kryetarë bashkish dhe ca të tjerë dhe tallen me ne”. Ndërkohë një tjetër tha, se ndërtimet e banesave të shembura bëhen sipas interesave politike. “S’kam njeri, s’kam krah, kush do të më ndihmojë mua. Vijnë e shikojnë edhe ikin, njëri thotë, do ta prishim, tjetri thotë do të ndreqim vetëm pjesët e dëmtuara. Kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai të reagojë dhe të vlerësojë dëmet. S’kemi ku të vemi. Jam i sëmurë me diabet dhe me 120 të rrahurat e zemrës nga të shkoj. Banesë sociale nuk dua, dua shtëpinë time. Hajde në Ersekë, thotë ai, më duhen katër mijë lekë biletë të vij tek toka dhe bagëtitë. Më vjen inat se iu bëjnë ca e cave, bëjnë ndërhyrje dhe shpërblime selektive sipas bindjeve politike. Jam shumë i revoltuar dhe shumë i mërzitur për shtëpinë time!”, shprehet një nga banorët mes lotësh. “Kanë ardhur vetëm sa kanë parë, kemi 4 muaj që presim e presim me shpresë. Fjalët i merr era, të thonë nuk ta bëjmë, o njeri ,se jeni të këtij krahu apo të atij krahu, sepse kështu po veprohet. Jam vetë i pesti në familje, kam gruan me prapambetje mendore dhe merr një KEMP, vetëm me ato të ardhura jetojmë, edhe ato që prodhojmë nuk i shesim dot. Gruaja dhe fëmijët flenë në çadër, ndërsa unë rri e ruaj banesën. Në çadër është shumë ftohtë. Jo ca të nënës e ca të njerkës, kur të ndërhyjnë në ndërtimin e banesave të shembura, ta bëjnë njësoj. Më kanë thënë se e ke në emrin e babait banesën, ndërsa unë kam qenë 5 vjeç kur është ndërtuar kjo banesë, tani ku ta marrë babain sepse ka 15 vite që ka vdekur”, tha një tjetër banor.