Autoriteti i Konkurrencës ‘në gjumë letragjik’, zero gjoba të arkëtuara për të tretin vit radhazi

218
Sigal

 

Zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve e zhvlerëson shumë fuqinë rregulluese të Autoritetit të Konkurrencës si garant i funksionimit të konkurrencës së ndershme në tregje

Autoriteti i Konkurrencës nuk arriti të vjelë asnjë gjobë për të tretin vit radhazi në 2021. Mesa duket u ka lënë dorë të lirë abuzimeve me çmimet që rëndojnë xhepat e konsumatorit. Më herët nuk ka ndëshkim për importuesit e miellit dhe grurit pavarësisht se i kishte kapur me shkelje gjatë hetimit. Të dhënat e buxhetit të këtij institucioni tregojnë se edhe për vitin e kaluar të vetmet të ardhura të realizuara nga ky institucion ishin ato që e kanë burimin në pagesat e ndërmarrjeve për vlerësimin e përqendrimeve, me një vlerë prej 16.6 milionë lekësh.

Kjo shumë mbuloi më pak se një të katërtën e shpenzimeve të Autoritetit të Konkurrencës për të njëjtën periudhë. Viti i fundit kur Autoriteti i Konkurrencës kishte raportuar arkëtime të gjobave kishte qenë 2018, për një shumë totale prej 269 milionë lekësh. Këtu përfshihen gjobat ndaj ish-AMC/Telekom Albania (e vendosur që në 2007), Vodafone Albania, SGS Automotive Albania, etj. Edhe gjatë vitit 2021, Komisioni i Konkurrencës miratoi disa vendime që parashikonin gjoba, të lidhura kryesisht me moszbatimin e masave të përkohshme të vendosura në tregjet e materialeve paramjekësore dhe në tregun e inputeve bujqësore. Në total, gjobat ndaj gjashtë ndërmarrjeve që veprojnë në këto tregje kishin një vlerën prej 7.5 milionë lekësh. Të gjitha kompanitë e gjobitura e kanë ankimuar vendimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Katër prej padive janë rrëzuar nga gjykata, ndërsa dy janë pranuar, por janë ankimuar nga Autoriteti i Konkurrencës në Gjykatën Administrative të Apelit. Megjithatë, edhe për çështjet e fituara në gjykatë, asnjë prej gjobave nuk është arkëtuar.

Veç vendimeve të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka gjoba të mbartura dhe të paekzektuara edhe nga vitet e mëparshme. I tillë ëshë rasti i vendimit ndaj Durrës Container Terminal, ai ndaj 24 ndërmarrjeve të tregtimit të tregtimit të materialeve paramjekësore. Sipas burimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, një nga arsyet kryesore që shkaktojnë vonesa në ekzekutimin e vendimeve për gjoba janë çështjet e gjata gjyqësore. Vendimet e AK janë titull ekzekutiv, megjithatë subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për kërkuar pezullim të ekzekutimit të tij. Shumë vonesa lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore, por ka edhe raste kur “përgjegjësia” nuk i lihet dot as gjykatave.

Një rast flagrant është ai i gjobës prej 43 milionë lekësh ndaj kompanisë EKMA Albania. Megjithëse Autoriteti i Konkurrencës e ka fituar çështjen në të gjitha shkallët e gjykimit, ekzekutimi i vjeljes së gjobës nuk është kryer. Kompania në fjalë është aktive në treg, duke vazhduar të jetë mjaft fitimprurëse, madje vitin e kaluar ka shpërndarë edhe rreth 300 milionë lekë dividendë për aksionarët. Pavarësisht kësaj, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur ta vjelë gjobën, as përmes procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.

Në dy vitet e fundit, shtrenjtimi i çmimeve në disa tregje sensitivë ka rritur pritshmëritë e publikut ndaj Autoritetit të Konkurrencës për ndërmarrjen e masave që garantojnë funksionimin e konkurrencës së ndershme në tregje. Por, edhe në ato raste kur Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë sanksione me gjoba, firmat arrijnë t’i shmangin detyrimet duke gjetur mënyra nga më të pabesueshmet për një shtet ligjor.

Zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve e zhvlerëson shumë fuqinë rregulluese të Autoritetit të Konkurrencës si garant i funksionimit të konkurrencës së ndershme në tregje.