Artan Xh. Duka:Dehja nga deti!

47
Sigal

Artan Xh. Duk

Prof.As.Dr.MSc.

Bumi turistik i kësaj vere, përveçse nxitje më tej e ekonomisë, është edhe marketing i rradhës për një imazh gjithnjë e më tërheqës e intrigues të vëndit duke lënë pas me shpejtësi e pakthim plot steriotipe e klishe të së shkuarës ndaj nesh. Sot turizmi është kryefjalë, por suksesi bart me vete edhe sfidat e tij. Falë medias sociale, me fjalën e gojës si forma më e frytshme e marketingut, orteku i vizitorëve nga bota, 4 milionë këtë vit e vazhdon, mund të na dalë nga “duart“ duke rrezikuar zhgënjim e boomerang turistik nëse nuk u përgjigjemi sfidave në kohë. Nga shtimi me perspektivë më tej i kapaciteteve turistike, aero-portuale – 3 orë përpara check-in flet vetë, bashkëpunimi ndërsektorial, shtrirja e përmirësimi i infrastukturës rrugore, cilësia dhe qëndrueshmëria e shërbimit turistik etj., dhe deri te vëndi që turizmi duhet të ketë një kuadër të mbarë ekonomik. Etiketimi “Maldivet“(ishujt Maldive) e Europës është vlerësim dhe përgjegjësi njëkohësisht, për t’iu përgjigjur pritshmërive më tej. Por, ndonëse kjo referencë është sinonim i përrallores në turizëm, turizmi shqiptar duhet të dalë sa më shpejt me emrin e imazhin e tij unik në botë. Fundja kemi më shumë mundësi se Maldivet, një vënd i vogël myslyman i detyruar ta ketë turizmin prioritar e zotërues në ekonomi, sepse kanë palma e oqean pafund, por pak gjëra të tjera në dorë.

“Maldivizimi“ nuk duhet të jetë sinonim i turizmit apo akoma më shumë e ekonomisë tek ne. Kemi më shumë se palma, det e mal. Po aq sa rëndësi ka turizmi dhe nxitja e tij, po aq duhet të ketë edhe shmangia e futjes së të gjitha “vezëve“ në një shportë duke nxitur e barazpeshuar të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë nga industria, bujqësia, shërbimet bankare, transporti, kërkimi shkencor etj.

Dritë-hijet e turizmit

Turizmi mbetet një fenomen kompleks me shanse e sfida plot. Ardhjet turistike janë vërtet një bum për industrinë e ndërtimeve, sektorin e shërbimeve, prodhimin bujqësor, artin e kulturën etj., por e njëjta kërkesë e shtuar prej milionave të turistëve sot do të ndodhte gjithsesi edhe nëse miliona shqiptarë nuk do të braktisnin vëndin këto 30 vjet prej politikave të mbrapshta, që thyen besimin e qytetarit në vëndin e tij. Ndonëse njihemi historikisht për mikpritjen ndaj të huajve, me zhvillimin e turizmit nuk do të bëhet më fjalë për të huaj me “pikatore“, por për prurje të stërmëdha që me efektet financiare dhe kulturale pas, duam apo nuk duam, do të kenë efekt social me ndikim edhe në marrëdhëniet tradicionale tonat me të huajt. Evolucioni social në këtë drejtim do kohën e tij për të mos lënë shteg për indiferencë, ftohtësi apo më keq racizëm nëse shqiptari fillon e ndjehet i huaj në vëndin e tij. Kjo prani e stërmadhe e të huajve në pak muaj të vitit në vëndin tonë është ndërkohë edhe një sfidë për vetë bashkëjetesën mes nesh. Etiketimet si bujarë e mikpritës ndaj të huajve nuk duhet të stonojnë, apo kompromentohen nga seria e incidenteve jo të pakta, deri tragjike dhe për fat të keq për motive të dobëta mes nesh, sepse tashmë botën e kemi brënda nesh dhe sjellja me dy faqe nuk duhet të jetë përshtypja me të cilin turisti kthehet në vëndin e tij. Një tjetër sfidë e madhe e turizmit masiv mbetet edhe që shqiptari të mos ndjehet i huaj apo i përjashtuar në vëndin e tij. Privatizimet e ekskluzivitetet në mjediset turistike, pikat luksoze turistike etj, nuk duhet të dominojnë bukuritë e natyrës shqiptare në shpërfillje të pranisë së qytetarit të zakonshëm në to. Turistët e parë janë dhe do të mbeten vetë ne, shqiptarët.  Shtimi i kapaciteteve turistike nuk duhet të jetë “bunkerizim“ pa fre i bregdetit. Legjislacioni duhet riparë që askush të mos ketë dorë të lirë dhe ndërkohë të nxitet përshtatja e vetë fshatrave të bregdetit në funksion të mikpritjes së turizmit atje. Retorika e “spanjizimit“ të bregdetit aty apo atje, nuk shpie kund, sepse në afatgjatë, do të jemi pre e po asaj konkurrence ndërkombëtare që e ka ofruar historikisht atë gjë. Turizmi shqiptar duhet të tejkalojë sa më shpejt krahasime të llojit “maldivet e Europës“,“Zvicër me det“ etj. Kemi nevojë të përmëndemi me emrin tonë dhe kjo duke ofruar atë që është unike për ne, nga raporti i duhur mes natyrës dhe ndërtimeve në to gërshetuar me mikpritjen tradicionale, historinë, kulturën, gatimin, folklorin shqiptar etj.  Restoranti duhet të ofrojë në faqen e parë gatime shqiptare, menu me fjalë shqip, transmetojë live apo në eter këngën e vallen shqiptare etj sepse kështu e vetëm kështu turisti do të mbajë mënd e reklamojë vërtet një gjë të veçantë më pas kur të kthehet në vëndin e tij.  Si vënd i vogël që jemi, garën me të tjerët nuk e kemi për numrin, por cilësinë e turizmit dhe krahas pikave turistike që intrigojnë pafund këtë e garanton mikpritja shqiptare e virgjëria e natyrës përreth. Për fat kemi më shumë se det ndaj dhe turizmi ynë ka shansin e artë që të bëhet unik edhe në fushën e agroturizmit, eksplorimit malor, sporteve në natyrë etj duke lehtësuar presionin ndaj bregdetit shqiptar për më tepër që në këtë rast oferta turistike mbetet gjithnjë e freskët dhe tunduese çdo vit, sepse vetë natyra befason këdo pa dallim çdo vit. “Maldivizimi“ i ekonomisë nuk shpie kund dhe turizmi duhet të ketë vëndin e merituar e të natyrshëm në ekonomi, por ndërkohë vëndin e tij, sepse Shqipëria është dhe duhet të jetë më shumë se ai. Atëhere edhe turisti do të ketë akoma më shumë arsye të dalë këndej.