Paratë e paligjshme/ Mbi 1 milion euro të futura ilegalisht, janë kapur në Portin e Durrësit vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2023

Përtej rasteve, që bëhen publike të kapjes së parave që futen në Shqipëri, askush nuk mund të thotë sesa janë rastet, që nuk kapen apo që “mbyllen sytë”. Burime mediatike flasin për sasi paraje tepër të madhe, që hyn në Shqipëri në forma nga më të ndryshmet, që nga mjetet e vogla e deri tek furgona të mbushura me para cash. Ajo që dominon më shumë është paraja, që vjen nga Anglia. Besohet se raporti i kapjes së tyre nga autoritetet është 1 në 10 raste. Jo zyrtarisht thuhet se janë mbi 10 milion euro që hyjnë në Shqipëri vetëm përmes rrugëve informale. Së fundmi, tre raste të tentativave për të futur para të padeklaruara u goditën brenda një jave në portin e Durrësit, duke e çuar në 10 numrin e operacioneve që prej fillimit të këtij viti. Paratë e sekuestruara e kalojnë vlerën e 1 milion eurove, ndërsa 10-të, është numri i personave të arrestuar, kryesisht shoferë të automjeteve, por edhe pronarë të agjencive të transportit për mosdeklarim të vlerave monetare. Pjesa më e madhe janë gjetur të fshehura në autobusë, furgonë dhe kamionë, ndërsa mekanizmi i përdorur ka qenë thuajse i ngjashëm. Policia dyshon se paratë që tentoheshin të futeshin në vendin tonë ilegalisht, rrjedhin nga veprimtari kriminale. Grupe të ndryshme, jashtë kufijve shfrytëzojnë transportin e rrugëve detare për t’i futur në vendin tonë, raporton TV Klan. Për çdo rast të goditur policia ka përdorur thuajse të njëjta metoda zbulimi. Informacion i marrë në rrugë operative, mbajtja nën survejim e të dyshuarve, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kontrolli me skaner dhe fizik i automjeteve. Krahas tyre, ushtrohet kontroll edhe me qen policie, të trajnuar kryesisht për zbulimin e lëndëve narkotike, armëve etj, nëpërmjet të cilit identifikohen vende të tjera ku mund të fshihen materiale të paligjshme. Shuma e parave mbeten të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, deri në dokumentimin ligjor të burimit të tyre. Ndërsa prokuroria nuk ka mundur të identifikojë për çdo rast, përtej të arrestuarve në flagrancë.

NOA