VIDEO/ Pas ankesave të qytetarëve, shoferi i urbanit në Tiranë rezulton i dehur

659
Policia Rrugore e Tiranës ka kryer kontrolle tek disa shoferë të urbanëve në Tiranë, ndërsa ka konstatuar se drejtuesi i autobusit i linjës Kombinat-Kinostudio ka rezultuar i alkoolizuar.
Nisur nga disa shqetësime të qytetarëve të denoncuara në numrin 112, se drejtues të linjave të transportit publik qytetas drejtojnë urbanët nën efektin e alkoolit apo nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, Policia Rrugore e Tiranës në orët e para të mëngjesit ka ushtruar kontrolle të befasishme me disa pika kontrolli në segmente të ndryshme, duke kontrolluar dhe testuar drejtuesit e autobusëve të transportit urban qytetas dhe transportit të specializuar për parashkollorët dhe nxënësit e shkollave.
Në funksion të këtij Plani janë realizuar 142 teste me aparatin alkoolmatës “Drager” dhe vetëm një drejtues mjeti i linjës të transportit urban qytetas, përkatësisht i linjës Kombinat-Kinostudio i cili drejtonte një autobus artikular nën efektin e alkoolit, rezultoi në testin e parë 0.22 mg/l dhe në testin e dytë 0.23 mg/l.
Gjithashtu është monitoruar linja e transportit ish uzina e traktorëve-Institut Bujqësor me qëllim verifikimin e shqetësimeve e qytetarëve, në adresë të kësaj linje për vonesa gjatë itinerarit të saj ku u konstatuan dhe ndëshkuan dy drejtues autobusësh për drejtim të mjetit me shpejtësi të ngadalësuar duke u bërë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve të tjera.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon edhe një herë qytetarët që besojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë, si dhe apelon për denoncim të çdo shkelje rrugore, duke bërë të mundur parandalimin e aksidenteve, krijimin e lehtësirave për përdoruesit e rrugës si dhe rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.
Sigal