Arsimi si e mirë për Shqipërisë, por jo për hajdutët dhe partinë

310
Sigal

 Prof. Dr. Lush SUSAJ: Korrupsioni dhe sundimi nepotik i bëri fiktive reformat dhe investimet. Në 32 vite tarafet dhe korrupsioni denatyruan zgjedhjet universitare, të cilat nuk u bënë kurrë në interesin e nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve. Shkolla dhe universitetet nuk kanë nevojë për rikthimin e modelit të brigadjerit e të sekretarit të partisë ndaj u takon studentëve të reagojnë për të ndalur degradimin. Thënia e shkrimtarit Ismail Kadare se: “Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”, sot është më aktuale se kurrë

  • – Korrupsioni dhe sundimi nepotik bëri fiktive reformat dhe investimet
  • Shkrimtari Ismail Kadare ka shkruar: “Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”
  • Në sistemin arsimor të Shqipërisë, investimet nuk u bënë kurrë në interesin e nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve.
  • – Kthesa mund të arrihet vetëm kur të punojmë e mendojmë për shkollën e Shqipërisë e jo për klanet e parties.
  • Janë 32 vite ku tarafet dhe klanet nepotike e korruptive, denatyruan zgjedhjet universitare.
  • Shkaku i kësaj situate dekurajuese në arsim, në ekonomi, në kulturë është korrupsioni dhe injoranca.
  • – Nuk njoh vend tjetër në këtë botë ku mësuesit dhe pedagogët të trajtohen kaq poshtërsisht nga pagat dhe klientelizmi.
  • – Shkollat dhe universitetet tona kanë nevojë jetike për rritjen e dimensioneve të lirisë.
  • – Shkolla dhe universitetet tona nuk kanë nevojë për rikthimin e modelit të brigadjerit e të sekretarit të partisë.
  • – Detyra më e madhe e elitës dhe studentëve të Shqipërisë është që të reagojnë për të ndalur degradimin e mëtejshëm të një sistemi.

Intervistoi: Biora Vojka

Arsimi shqiptar po has shumë probleme. Reforma ende nuk ka dhënë fryte. Jo më shumë se dy ditë më parë ish kreu i PD Sali Berisha ftoi me pedagogët për të folur mbi sfidat e arsimit të lartë. Nga shumë diskutantë u theksua se arsimi në vendin tonë lë për të dëshiruar, çka lidhet me largimin e njerëzve jashtë. Ndërsa sipas shkrimtarit dhe përkthyesit Edmond Tupja “Të gjithë hallkat, që merren me edukimin, ndodhen në pozitë të vështirë. Arsimi i lartë dhe edukimi tek ne lë për të dëshiruar për arsye historike, gjeografike etj. Në Korenë e Jugut numri i gjimnazistëve të vrarë është më i lartë në të gjithë botën. Unë mendoj që opozita që tani është në rrugën e mbarë, por duhet ringjallur besimi tek njerëzit, çka shpjegon largimin e njerëzve. Ata thonë: “Këtu nuk ka të ardhme” në fakt duhet të thonë të kundërtën që në Shqipëri ka të ardhme. Por cilat janë këto probleme në arsim? Pse qeverisja e PS dështoi në këto reforma? Këto janë disa pyetje që do i përgjigjet Prof. Lush Susaj…

Ju keni folur shumë për problemet në arsim dhe dështimin e Reformave. Mund të na i përmblidhni në pak fjalë pse ka arritur në këtë situatë arsimi shqiptar?

Ka vetëm një emër …Korrupsioni dhe sundimi nepotik, që bëri fiktive reformat dhe investmet.

Shkrimtari Ismail Kadare ka shkruar: “Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”, sikurse kjo mbretëria që ka pllakosur Shqipërinë, është edhe më e verbër, më e shurdhët dhe më e frikshme për shkak të miksimit të thellë të injorancës me korrupsionin në çdo qelizë e në çdo fushë të jetës shoqërore, ekonomike e politike.

Por ajo që nuk duhet të ndalet kurrë, është reagimi ndaj së keqes dhe përpjekja për ta parë në sy realitetin, e për t’u përballur me kurajo me mbretërinë e injorancës dhe korrupsionit në Shqipëri. Sepse ky është përbindëshi që është rritur kaq shumë e që po degradon arsimin, kulturën, bujqësinë, mjedisin, punësimin, mirëqënien dhe të gjitha marrëdhëniet tona shoqërore e politike. Injoranca dhe korrupsioni nuk kanë ardhur nga jashtë, përkundrazi janë krijuar e rritur me heshtjen e me mosreagimin tonë të gjatë. Janë ushqyer me durimin, me gojëkyçjen dhe me uljen e kokës përballë aventurierëve dhe intrigantëve që na vodhën, na mashtruan, e që tashmë pretendojnë se kanë lindur vetëm për të vjedhur e sunduar Shqipërinë pa rregull e pa meritë, dhe me një forcë të jashtëzakonshme shkatërruese. Një shprehje e njohur e Shekspirit thotë: “Intriga është forca e të dobëtit, edhe budallenjtë janë mjaft të zgjuar për të bërë intriga dhe dëm”. Që do të thotë se budallenjtë dhe forca shkatërruese e korruptive e tyre, nuk kanë ngjyrë e as parti. Për më tepër, intrigantët, injorantët dhe të korruptuarit janë të rrezikshëm në çdo kohë e në çdo vend, janë regresivë dhe faqja e zezë e politikës dhe jetës shoqërore dhe ekonomike, dhe e çdo administrate e drejtuesi shoqërorë e politikë.

Në të gjitha analizat që bëjmë, shkaku i kësaj situate dekurajuese në arsim, në ekonomi, në kulturë dhe kudo në administratë dhe institucione, na rezulton që të jetë korrupsioni dhe injoranca. Qytetarët, mësuesit, profesorët dhe studentët e Shqipërisë, me të drejtë shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që reformat dhe ligjet e miratuara, si dhe investimet e bëra në këto 32 vite, vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën reale të shkollave dhe universiteteve, duke deformuar dhe goditur rëndë traditën e mirë, dhe të gjithë sistemin e vlerave dhe të meritokracisë së krijuar me aq mund e sakrifica në vitet 1912-1990. Dhe përgjigjia për ne që e kemi jetuar e që e kemi parë nga afër rritjen e këtij sistemi korruptiv e antivlerë, është shumë e thjeshtë. Në sistemin arsimor të Shqipërisë, sikurse edhe në bujqësi, mjedis, energjitikë, etj, reformat, strategjitë, ligjet dhe investimet nuk u bënë kurrë duke patur në fokus interesin e nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve, dhe as trendin e tregut të punës, dijeve dhe profesioneve. Reformat, strategjitë dhe ligjet në sistemin arsimor të Shqipërisë kanë dështuar në mënyrë të turpshme e të dëmshme, sepse ato nuk janë bërë kurrë nga profesorët dhe profesionistët e mirëfilltë të arsimit dhe shkencës shqiptare. Realisht ato erdhën nga lartë e u lexuan dhe propaganduan nga shokët e njohur të partive të sistemit të rrokadave 32 vjeçare, që si metastaza kanceri janë instaluar në nyjet e çdo vendimarrje, e që me arrogancë e kapardisje idiote e kanë mpirë e turpëruar të gjithë sistemin arsimorë në Shqipëri. Ligjet dhe reformat në arsim, asnjëherë nuk janë bërë për dijen e as për tregun e punës, por thjeshtë e vetëm për të shtuar numërin e të punësuarve që duartrokasin partinë dhe mbushin me vota të manipuluara kutinë e votimit të partisë shtet, e të drejtuesve të korruptuar apo brejtësve të sistemit. Mbi të gjitha, ligjet, reformat dhe investimet në fushën e arsimit e jo vetëm, gjithnjë janë zbatuar dhe po bëhen duke patur në fokus interesat e ngushta të pasurimit dhe të punësimit të klaneve nepotike dhe korruptive, nga ku rezulton që është abuzuar e vjedhur kudo e në çdo gjë. Na pëlqen apo jo, ky është realiteti i trishtë, ku nepotizmi dhe korrupsioni ka përkeqësuar e degraduar si kurrë më parë të gjithë sistemin tonë arsimor, ekonomik e kulturor. Rruga e vetme e përmirësimit është përballja me këtë realitet, pikë së pari duke e parë dhe duke e pranuar me koshiencë të plotë e më pas duke u përballur me të.

-Si mund të arrihet kthesa në arsimin shqiptar?

Kthesa mund të arrihet vetëm kur të punojmë e mendojmë për shkollën e Shqipërisë e jo për klanet e partisë.

Siç dihet, Luigj Gurakuqi është ministri i parë i arsimit të Shqipërisë së Pavarur, dhe ka meritën se hodhi themelet e shëndosha të shkollës sonë kombëtare, duke përcaktuar drejt e qartë konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të një sistemi kombëtar të arsimit dhe shkencës në funksion të qëllimeve dhe çështjes kombëtare. Pas vitit 1990, kohë kur pritej që roli dhe funksioni kombëtar i shkollës të forcohej, ndodhi e kundërta. Për fatin e keq, procesi mësimor, edukativ e kërkimor shkëncor, për shkak të ndërhyrjeve dhe eksperimenteve të gabuara nepotike e klienteliste, pësoi goditje të njëpasnjëshme, për të na sjellë në këtë situatë dëshpëruese për të gjithë aktorët e shkollës shqipe, e që është situatë e mirë vetëm për të korruptuarit, brejtësit dhe mashtruesit e sistemit.

 -Çfarë bie në sy më shumë në këtë situarë kaotike në arsimin tonë?

Ajo që bie në sy e të shkakton një situatë mërzie e stresi, është thellimi i proceseve dhe ndërhyrjeve denatyruese në të gjithë sistemin arsimor të Shqipërisë, që nga shkollat e ciklit të ulët e deri tek universitetet dhe akademia, ku duket që vlerësohet më shumë përkatësia partiake dhe numri i votave për partinë, se sa meritokracia dhe puna e mirëfilltë për mësimin, edukimin dhe kërkimin shkencor. Korrupsioni dhe politizimi i skajshëm i shkollës dhe universiteteve, si dhe përqëndrimi i çdo vendimmarrje, projekti dhe investimi në dorën e një grushti shokësh të partisë, është vepra më e shëmtuar e kësaj periudhe tipike të humbjes së besimit, dhe të boshatisjes së frikshme të universiteteve dhe shkollave tona. Kjo ka ndodhur e po ndodh për shkak se në këto 32 vite, pavarësisht nëse pranohet apo jo, universitetet dhe strukturat e arsimit kanë punuar për klanet e partisë e jo për të mirën e Shqipërisë. Janë 32 vite ku tarafet dhe klanet nepotike e korruptive, denatyruan zgjedhjet universitare dhe kurikulat, tekstet dhe programet mësimore, edukimin dhe mësimdhënien, duke i reduktuar e shkëputur shkollat dhe universitetet tona nga funksionet bazike dhe nga tregjet rajonale e botërore të punës dhe profesioneve. Në këtë humnerë të thellë, padyshim që pjesa më e dëmtuar e më e goditur janë nxënësit dhe studentët pa zë, pa subvencione, pa përkrahje, të shantazhuar, të frikësuar e totalisht të mashtruar e të vjedhur në dy drejtime bazë: në dijet e premtuara e të pamarra dhe në kohën e humbur me programe dhe diploma pa vlerë në treg as në formim qytetar. Nuk njoh asnjë vend tjetër të rajonit dhe botës, ku studenti dhe nxënësi të jetë kaq i margjinalizuar, kaq i shpërfillur, kaq i abuzuar, kaq gojëkyçur, kaq i mashtruar e kaq komford me mungesën e perspektivës dhe standarteve minimale. Nuk njoh vend tjetër në këtë botë ku mësuesit dhe pedagogët të trajtohen kaq poshtërsisht nga pagat dhe klientelizmi në projektet e studime, që si gjithmonë i kopsitin dhe abuzojnë të përkdhelurit e partisë apo sikurse kolegët i quajnë “dora e zezë e politikës”, apo nga ajo ngarkesa me katër palë regjistra e shkresa burokratike që vetëm sa e hipokrizojnë dhe degjenerojnë bashkëpunimin dhe kolegjialitetin.

-Po më e keqja e kësaj situate kush mbetet?

Por më e keqja, këto mendje të vogla, që punojnë e mendojnë vetëm se si ta ngarkojmë e vështirësojmë sa më shumë punën e stafeve dhe strukturave, realisht po vrasin dhe zhdukin lirinë dhe pavarësinë akademike, pa të cilin nuk ka e nuk mund të ketë shkollë, universitet e as akademi. Shkolla dhe universitetet tona nuk kanë nevojë për rikthimin e modelit të brigadjerit e të sekretarit të parties, që shikonin orën kur vjen dhe kur ikën mësuesi e pedagogu.

 

-Përse ka nevojë në këto situata arsimi shqiptar në përgjithtësi por edhe studentët dhe pedagogët?

Shkollat dhe universitetet tona kanë nevojë jetike për rritjen e dimensioneve të lirisë e jo për reduktimin siç ka ndodhur më parë sikurse po ndodh tani. Shkollat dhe universitetet tona, gjenden përballë nevojës jetike për bashkëpunim dhe për dije e profesione bashkëkohore. Ndërsa po ndodh e kundërta, sikurse është reduktimi i hapësirave të lirisë dhe të bashkëpunimit, e gjitha në dëm të parikuperueshëm të procesit mësimor e edukativ. Shkollat dhe universitetet tona nuk duhet të trajtohen kurrë me logjikën e një parku makinash apo autobuzesh të para viteve 1990, ku shoferat merrnin letrat tek dispeçeri, firmosnin regjistrat e gjata e të zhubravitura, e më pas merrnin turnin. Nuk është kjo fryma e as modeli, që mund të bëjë shkollën e as universitetin. Shkollat dhe universitetet tona, duhet të bëhen vatra të dijes e të lirive akademike, demokratike e qytetare, e jo vatrat e frikës, dyshimit dhe deformimit të karakterit të studentëve dhe stafeve.

 

-Në çfarë drejtimi duhet të punojnë më shumë shkollat tona?

Shkollat dhe universitetet tona duhet të punojnë e të përgatisin profesionistë dhe qytetarë me moral dhe shpirt kërkues e reagues ndaj së keqes, e jo njerëz, që heshtin përballë reduktimit të hapësirave të bashkëpunimit, dijes e lirisë. Është provuar me kohë që nuk mund të vijë asgjë e mirë nga rritja e panevojshme e ngarkesës së kotësisë dhe hallkave burokratike inproduktive e stresante. Për më tepër, Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për karaktere të ndrydhura e servile që zakonisht krijohen në mjediset pa hapësira lirie e kolegjialiteti. Shkollat dhe universitetet tona nuk duhet të ulin kokën e të dorëzohen përballë eksperimenteve centralizuese, që rrisin dozën e frikës dhe arbitraritetit dhe reduktojnë kapacitetet bashkëpunuese e zhvillimore.

 

-Ju thoni situatë kaotike, situatë pa vision…Kush është pjesa më e dëmtuar në këtë gjullursi problemesh dhe reformash pa kritere?

Për ta përmbyllur, kujtoj faktin që në të gjithë këtë histori, pjesa më e dëmtuar janë studentët, që në vend që të edukohen e të kuptojnë sa më shumë rendësinë e lirisë dhe shpirtit reagues, marrin drejtimin e gabuar të rënies në servilizëm, në heshtje, në konformizëm, në pozicionin e ushtarit të votave të partisë, e më e keqja nuk arrijnë dot që të shohin atë dritën e shpresës dhe largohen të zhgënjyer nga vendi i tyre, Shqipëria. Unë e di faktin që në kushtet e sundimit njëpartiak është më mirë të heshtësh e duartrokasësh partinë që të jep tenderat dhe projektet, sikurse e di që nga heshtja lindin e shtohen përbindëshat për Shqipërinë, shtohen të korruptuarit, hajdutët dhe mendjet e vogla të ligësisë e të deformimit të thellë të ligjit dhe moralit të shkollës.

-Dhe si mund të dalin studentët nga kjo situatë?

Për këtë arsye, detyra më e madhe e elitës dhe studentëve të Shqipërisë është që të reagojnë për të ndalur degradimin e mëtejshëm të një sistemi, që mesa e njoh unë, nuk besoj që mund të mbajë më tepër goditje, abuzivizëm dhe as burokraci.