Albert  Z. Zholi: Papunësia e prindërve dhe ndikimi në shkollimin e fëmijëve

485
Sigal

Kushdo që lë mënjanë mësimin në rininë e tij, humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen

 

“Po deshe të jesh i mençur, mësohu  të pyesësh me mend, të dëgjosh me vëmendje, të përgjigjesh i qetë dhe të pushosh së foluri, kur nuk ke ç’të thuash më”,- ka thënë  Fonten (Francë). Por mençuria është e lidhur pazgjidhshmërisht me librin, pra me shkollën. Realiteti i sotëm tregon se, një nga problemet e mijëvjeçarit  të tretë është dhe rënia në mënyrë të ndjeshme nga ana e fëmijëve e interesit për  të (shkollën). Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin kjo sindromë  e padëshirueshme po merr përmasa alarmante. Në mbarë botën sipas një sondazhi dhe statistikave të publikuara  nga “Blagg” (Institut për problemet e arsimit), rreth 11,3 % e fëmijëve janë analfabetë. Nga shumë psikologë mësues dhe sociologë është nxjerrë përfundimi se, dy janë arsyet (proceset) që karakterizojnë  sjelljen refuzuese  të fëmijës ndaj shkollës. 1-  “Mohimi”, i cili  nënkupton mosdëshirën për të vajtur  në shkollë dhe për t’u marrë me gjëra  të tjera që i pëlqejnë fëmijëve jashtë dëshirave dhe kërkesave të prindërve (ku shumë herë prindërit duan ti detyrojnë fëmijët për preferencat e veta). 2-Frika ndaj shkollës e cila përmban në vetvete  dimensione psikologjike (disiplinë, kërkesë llogarie, frenim për lojërat, kufizim kohe). Ndonëse specialistët nuk bëjnë  shumë dallim midis këtyre  dy arsyeve (proceseve)  duhet pranuar se rasti i dytë  është shumë serioz  dhe shpesh kërkon  ndërhyrjen apo punën e vazhdueshme me psikologun. Çfarë presupozon apo nënkupton “Mohimi”  për shkuarjen në shkollë? Në ç’moshë shfaqet ky mohim? Sot pohohet nga shumë prindër se fëmijët shfaqin frikë për shkollën qysh në momentin kur atyre u thuhet apo u bëhet prezente një diçka e tillë.

Lidhur me moshën në të cilën  një fëmijë  mund të shfaqë  frikë shkollore, specialistët theksojnë  se është më e mundshme  që kjo frikë të shfaqet  në nxënës të moshës 10-12 vjeçare  dhe arrin deri te të 14-tat. Ndërsa nga ana tjetër  shkolla amerikane, (më vete), mbështet idenë  se mosha më kritike për të shfaqur frikë shkollore është midis pesë dhe dhjetë vjetëve. Në vija të përgjithshme fëmijët me frikë shkollore paraqesin zakonisht dobësi serioze në marrjen e iniciativës, tregojnë më të madh se mosha e tyre, vuajnë nga ndonjë pikëllim dhe mbajnë një qëndrim pa shprehje. I bezdis prania e librave, nuk janë sistematikë në përgatitjen e mësimeve dhe në vendosjen e librave.

Faktorët shkaktarë?

Faktorët që çojnë në lindjen e një problemi të tillë, janë të shumtë por nga specialistët më të rëndësishmit janë  sidomos ato që kanë të bëjnë me familjen  dhe kanë ndikim të drejtpërdrejt tek të dy grupet e fëmijëve. Është karakteristik studimi i përfunduar nga “Blagg” në vitin 2008, që lidhet me një nga faktorët familjar që lidhet me një nga problemet me rëndësi jetike sikurse është niveli i papunësisë së prindërve. Ky studim nxori në pah dy probleme apo u bazua mbi dy pista. Pra; 1-Fëmijët që kanë prindër pa punë dhe që kanë frikë nga shkolla. 2- Fëmijë me prindër pa punë dhe që kanë dëshirë apo largohen përfundimisht nga shkolla ku edhe familja në kësi rastesh nuk kundërshton në mënyrë stoike. Studimi i tij tregoi re niveli i papunësisë së prindërve  te nxënësit  me frikë shkollore llogaritej në rreth 1,8 %  ndërsa përqindja korrespoduese për prindërit e fëmijëve  që largohen nga shkolla llogaritej 26,7 %. Gjithashtu, për fëmijët që paraqesin frikë shkollore është vënë re sa përveç faktit që vijnë  nga familje të shtresës mesatare shpesh iu duhet të përballojnë  ankth të madh dhe shqetësim  kur detyrohen të braktisin shtëpitë dhe prindërit e tyre. Sipas psikologëve është arritur në përfundimin se, për të shmangur këtë sëmundje tek fëmijët, (në të dy rastet edhe frika edhe largimi nga shkolla),  rëndësi kryesore dhe peshë transformuese ka  familja  dhe së dyti del në pah edhe roli i shkollës. Konkretisht tek  roli i  shkollës, si faktor që ndikon shumë  herë në krijimin  e problemit,  studime të shumta  kanë treguar se gati 50 % e nxënësve  europianë  shprehin ankth dhe shqetësim për disa anë të jetesës së tyre në shkollë.  Si rezultat i këtyre dy arsyeve, vitet e fundit sidomos në Afrikë, Azi por edhe në Europë dhe Amerikën Latine rreth 25, 5 e nxënësve që hyjnë në kategorinë e dytë, largohen përfundimisht nga shkolla. Kjo kategori është rritur shumë kohët e fundit në Shqipëri. Sidomos në zonat rurale ku mbijetesa është në zgrip, shumë fëmijë kanë lënë shkollat dhe kanë lënë në errësirë të ardhmen e tyre. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, ata janë kontingjenti i parë i shfrytëzimit për rrjetin e lypësve apo trafikimit të organeve, ndërsa një pjesë janë të detyruar të punojnë qysh në atë moshë për të nxjerrë bukën e gojës. Shumica e tyre që janë ende nën kontrollin e prindërve bëhen zanatçinj apo fillojnë punë në moshë tepër të njomë duke njohur një shfrytëzim barbar, (punë në të zezë), apo duke mos marrë fare shpërblim përveç  vakteve të ushqimit. Mosshkollimi sjell edhe pengesa dhe probleme të shumta në jetën dhe veprimtarinë e përditshme të fëmijëve. Të mos lidhurit me shkollën  i lidh ata me drogën, veprime kriminale, prostitucionin, alkoolin etj.  Njeriu mëson për jetën duke parë të përparuarën dhe e përparuara nuk mund të merret në një shoqëri jashtë librit, jashtë dëshirës për dituri . Qysh në lashtësi ka pasur përkufizime shumë sinjifikative për diturinë  si “ai që nuk di, është si ai që nuk sheh.” Padituria është shoku më i keq. Realisht është vërtetuar se  rrënjët e diturisë janë të hidhura , kurse frytet shumë të ëmbla (thotë një fjalë e urtë latine). “Kushdo që lë mënjanë mësimin në rininë e tij, humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen”, – ka vulosur rëndësinë e diturisë qysh në lashtësi  Euripidi (Greqi).