Studimi/ Ndryshimi i orës rrit goditjet në tru

569
Disa shkencëtarë finlandezë analizuan të dhënat e pacientëve të shtruar në spitalet në Finlandë për një periudhë dhjetë vjeçare. Ata krahasuan numrin mesatar të pacientëve të shtruar në spital gjatë javës së parë të ndryshimit të orës, me dy javë para dhe dy javë pas ndryshimit të orës. Studiuesit zbuluan se goditjet nga ishemia, më e zakonshmja, rriten me një mesatare prej 8% në dy ditët e para pas ndryshimit të orës në pranverë ose vjeshtë. Sipas tyre, shtimi i goditjeve në tru lidhet me ndryshimin e orarit të gjumit.
Njerëzit me kancer janë 25% më të rrezikuar të pësojnë një goditje në tru pas ndryshimit të akreave të orës, krahasuar me periudhat e tjera të vitit. Rreziku është gjithashtu më i lartë tek personat mbi 65 vjeç, të cilët janë 20% më të rrezikuar të pësojnë një goditje në tru dy ditë pas ndryshimit të orës. “Duhet të kryhen me tepër studime për të kuptuar më mirë lidhjen mes ndryshimit të orës dhe rritjes së rrezikut për të pësuar goditje në tru, dhe për të gjetur mënyra për të ulur këtë rrezik”, shprehet autori i studimit, Dr. Jori Ruuskanen.
Sigal