Basha: Me 1.2 miliardë dollarë të vjedhura në një vit shqiptarët do të kishin 6 vjet energji elektrike falas

464
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me banorë të Klosit dhe me të rinjtë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Banorët e Klosit e kanë njohur kryetarin Basha me shqetësimet e tyre ku ndër më kryesoret ishte papunësia dhe arroganca e qeverisë. Banorët theksuan se e kanë të pamundur të riparojnë edhe shtëpitë e tyre, se i çojnë në burg ndërsa qeveritarët vjedhin miliona lekë nga taksat e tyre dhe nuk u ndodh asgjë.
Basha: Me ça po merresh?
Banorë: Hiç pa punë. Kam punu 20 vjet në “Elektrik” më ka heq i pari. Jam një ndër familjet më të persekutuara të rrethit të Matit. Fisi Allamani 100 vjet burg, 2 të pushkatuar pa gjyq, pa gjë fare dhe si përfundim sa erdhi në fuqi të parin më ka heq nga puna.
Bilanci i kësaj qeverie tha zoti Basha është zero, asnjë investim dhe asnjë premtim të mbajtur në 3 vjet. Kanë vjedhur 1.2 miliardë dollarë me të cilat për 6 vjet qytetarët do ta kishin energjinë falas.
“Edi Rama rri dy orë në ditë në televizor ndërkohë që produktin e ka zero, zero për punësimin, zero për shëndetësinë falas, zero për legalizimin etj, etj. 1.2 miliardë dollarë të zhdukura në një vit të vetëm. 1 miliardë e 200 milionë janë baras me 900 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi. 1 miliardë e 200 milionë janë baras me 6 vjet fatura nacionale e energjisë elektrike e mbledhur së bashku e të gjithë shqiptarëve. Pra, është njësoj sikur shqiptarët 6 vjet të mos paguanin energjinë por ta kishin falas nga shteti. Në takimin me të rinjtë, zoti Basha është njohur me shqetësimin e tyre për tarifat e larta të arsimit, të cilat po ua pamundësojnë vazhdimin e studimeve të larta. Përveç kostos së arsimit studentët thanë se në Tiranë kanë dhe kosto shtesë të jetesës që sa vijnë e rriten.
Student: Unë për vete kam studiuar tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe tarifa para 4 viteve ka qenë 40% e kësaj vlere që është tani aktualisht. E kemi të pamundur ta përballojmë.
Zoti Basha ka ripërsëritur premtimin e tij për ç ‘shfuqizimin e ligjit të Arsimit të Lartë dhe uljen e tarifave studentore. Një vend të veçantë në fjalën e zotit Basha ka zënë angazhimi i të rinjve dhe përcaktimi i kuotës prej 35% të kandidateve të rinj për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Kandidatët do të zgjidhen pas një debati dhe me parimin “një anëtarë- një votë” model që aplikohet në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“39 kandidatë në të gjithë Shqipërinë të rinj dhe të reja që do të shkojnë të garojnë për deputet të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë. Aftësia për t’u përballur me problemet dhe për t’u dhënë atyre zgjidhje para anëtarësisë, para votuesve dhe para simpatizantëve tanë do të përcaktojë se kush do ta marrë besimin me votë të fshehtë.”
Sigal