Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës është një sëmundje virale që fillon me temperaturë, dhimbje të fytit dhe mungesë oreksi, dhe më vonë çon në shfaqjen e puçrrave dhe plagëve në duar, këmbë dhe gojë. Tek shumica  e njerëzve simptomat janë të lehta dhe zhduken brenda pak ditësh, megjithatë ka edhe raste kur njerëzit përjetojnë komplikacione, si meningjit, encefalit ose rënie të thonjve të gishtave të dorës ose këmbës. Nuk ka një trajtim të posaçëm për të, megjithatë mund të lehtësoni dhimbjet me ilaçe ose produkte sprai për të hequr puçrrat në gojë.

Kush janë më të rrezikuar?

Fëmijët nën 5 vjeç janë më të rrezikuar që të preken nga sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës. Megjithatë, nuk përjashtohen as rastet e zhvillimit të kësaj sëmundje tek të moshuar, fëmijët dhe të rriturit. Disa të rritur mund të infektohen me virusin dhe të mos ndiejnë asnjë simptomë, por e përhapin virusin tek të tjerët.

Si mund të mbroni veten?

Mund të ekspozoheni nga një virus që shkakton sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës duke qenë në kontakt të afërt me një person të infektuar, si duke e përqafuar ose kur ai teshtin ose kollet. Mund të infektoheni edhe duke rënë në kontakt me fecen e një personi të infektuar, si duke ndërruar pampersin e bebit të infektuar ose duke prekur objekte që kanë virusin.

Të prekurit me këtë sëmundje janë më infektues në javën e parë. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që të lani duart, pastroni lodrat dhe sendet e ndotura, si dhe të shmangni kontaktin e afërt me njerëzit e prekur nga kjo sëmundje. Duhet që qëndroni në shtëpi nëse jeni infektuar me sëmundjen e duarve, këmbëve dhe gojës, gjithashtu edhe fëmijët nuk duhet të shkojnë në shkollë apo kopsht nëse janë prekur nga kjo sëmundje. Për momentin nuk ka një vaksinë për sëmundjen e duarve, këmbëve dhe gojës.