Njihuni me disa nga vetitë e kripës, por kujdes sa hidhni në pjatë

1928
Sigal

Ekzistojnë shumë lloje të kripës dhe mund të ketë, në varësi të kompozimit të saj, ngjyra të ndryshme.

Kripa është një substancë tejet e rëndësishme për funksionimin e organizmit tonë. E rëndësishme është të konsumohet me shumë kujdes për të mos rrezikuar një sërë sëmundjesh, mes të cilave hipertensioni, problemet me veshkat dhe problemet me zemrën.

Po të përdoret siç duhet, është burim i shumë përfitimeve dhe ka efekt kurativ, pastrues dhe madje në kozmetikë përdoret si anti-rrudhë.

Çfarë është – Kripa është një përbërje kimike në të cilën dy ose më shumë jone lidhen në një molekulë në brendësi të një mbështjellje kristalore. Kriprat mund të jenë shumë të ndryshme: ka kripra organike ose inorganike, të thjeshta apo komplekse dhe mund të ndërtojnë kompozime të ndryshme kimike.

Disa kripra janë të tretshme në ujë, të tjera jo. Ka kripra që shkrihen në substanca të tjera.

Ajo që ne njohim më mirë është kripa e kuzhinës, emri shkencor i së cilës është klorur natriumi, për të treguar se një molekulë e saj është ndërtuar nga një atom klor dhe një natrium. Pra është vetëm një nga shumë tipe të kriprave që ekzistojnë, por ka një rol shumë të rëndësishëm për funksionimin e mirë të organizmit tonë.

Për cfarë shërben – Një ndër karakteristikat që e bën kripën element të rëndësishëm, është aftësia e saj për të transmetuar impulse nervore, rregullon presionin e gjakut dhe bën shkëmbimin e likuideve.

Për këtë arsye të gjithë organizmat kanë brenda vetes prezencë të kriprave.

Në mjekësi, kur nevojitet të hidratohet një pacient, përdoret një solucion fiziologjik që përmban një përqindje të caktuar të kripës.

E rëndësishme, për të qenë mirë me shëndet, është të mos e teprojmë me konsumin: doza maksimale e këshilluar në kuzhinë është 5 gramë në ditë, ose më saktë, sasia që mban një lugë.

Secila kripë me ngjyrën e vet – Kripa mund të marrë ngjyra të ndryshme, sipas mineraleve që hyjnë në përbërjen e saj kimike. Kripa detare është ajo që njohim dhe përdorim më shumë. Zakonisht ka ngjyrë të bardhë dhe kokrriza të vogla. Përdoret gjerësisht në kuzhinë për t’i dhënë shije ushqimit apo për t’i ruajtur ato.

Mes kriprave detare, është për t’u përmendur edhe “fleur de sel” (apo lulet e kripës), një lloj kripe e papërpunuar franceze, karakteristike e Bretanjës, por edhe e Camargue, me shije delikate,e cila përdoret ashtu siç nxirret mbi ushqime, pa kaluar në procese përpunimi.

Kripa blu e Persisë është një kripë guri natyrore, që vjen nga minierat e kripës në Iran. Është e rrallë dhe e çmuar, që ngjyrën blu e merr nga një mineral, i quajtur silvinit.

Kripa rozë e Himalajeve ka një përbërje të lartë të mineraleve natyrore që e bëjnë më të pasurën dhe më të kompletuarën në botë . ka një shije delicate dhe nuk heq shijen e ushqimeve të tjera, por përkundrazi ua shton.

Shumë e famshme është kripa gri e Bretanjës, me origjinë të lashtë, ngjyra e së cilës vjen nga prezenca e argjilit që e pasuron me shumë minerale.

Kripa e kuqe e Alaea-s ka përmbajtje hekuri dhe për këtë arsye ka atë ngjyrë.

Ngjyrë të zezë ka kripa hauajane “Black Lava”, e varfër me natrium dhe e pasur me karbone vegjetale, e cila njihet për cilësitë pastruese që ka.

Një kripë e zezë, e pasur me karbone vegjetale është kripa e Qipros.

Për bukurinë – Kripa shndërrohet në një aleate shumë të mirë të bukurisë, kur përdoret në kozmetikë. Dy lugë kripë e trashë shkrihet në një litër ujë dhe nëse me të masazhohet fytyra, bëhet një pastrim delikat i lëkurës dhe përmirësohet ndjeshëm elasticiteti i saj.

Kriprat e Detit të Vdekur, të shtuara në ujin e vaskës apo si scrub, janë efikase për të luftuar celulitin. Për të luftuar grumbullimin e ujit, mund të përdoren edhe kompresa me kripë e ujë.

Efikase dhe kurative – Kripa është përdorur që në kohët më të lashta si dizinfektuese dhe antiinflamatore. Një kile e gjysëm kripë në ujin e vaskës ka një efekt lehtësues për lëkurën e irrituar në rast të pickimit të insekteve. I njëjti rezultat arrihet edhe duke aplikuar mbi pickimin e insektit një garzë të ngopur me ujë dhe kripë. Një lugë kripë gjelle në një gotë ujë të vakët është e dobishme për shplarje të gojës në rast të mishrave të dhëmbëve të irrituara dhe kundër erës së pakëndëshme të gojës.

Me dy lugë kripë të trashë të shkrirë në një tigan me ujë shumë të nxehtë, përgatiten ‘avullore’ të dobishme për të çliruar rrugët respiratore në rast ftohjeje.

Për shtëpinë – Kripa mund të jetë e dobishme në kuzhinë edhe për të pastruar enët nga yndyra. Mjafton të vini pak kripë mbi enë dh eta fërkoni me një copë letër.

Pak kripë mbi tasa është e dobishme për të eleminuar gjurmët e vështira të çajit apo kafes, ndërkohë që po të hidhni pak kripë tek vezët që ziejnë, do e keni shumë më të thjeshtë t’i hiqni lëvozhgën më pas.

Kripa është e dobishme edhe për të eleminuar njollat nga rrobat dhe duke e fërkuar me pak ujë, pastron edhe sipërfaqen metalike të hekurit me të cilin hekurosni rrobat.

Image