Fitorja e Malësisë së Madhe në Tuz, model për shqiptarët

467
Sigal

Malësia e Madhe, gjithmonë ka qenë, është e do të jetë e Madhe me atdhetarizmin e saj

Akademik Rexhep QOSJA

 

Shqiptarëve të Komunës së Tuzit, shqiptarëve të Hotit e Grudës, shqiptarëve të Malësisë së Madhe, shqiptarëve të Malit të Zi, gjithë shqiptarëve kudoqofshin ata ua uroj Fitoren e Madhe: Fitoren e shqiptarëve në Komunën e Tuzit në zgjedhjet komunale!

Malësia e Madhe kurrë s’ka qenë e madhe me sipërfaqe, por Malësia e Madhe, gjithmonë ka qenë, është e do të jetë e Madhe me etikën e saj, me atdhetarizmin e saj, me mendjen e saj, me nderin e saj, me burrërinë e saj e me shumë vlera të tjera që e kanë bërë të lavdishme në historinë e popullit shqiptar, që e kanë bërë të lavdishme në sytë e gjithë atyre të huajve që gjatë historisë vizituan Malësinë e Madhe.

Malësia e Madhe u tregua e madhe me virtytet dhe vlerat e saj edhe kësaj here: U tregua e madhe me bashkimin e forcave politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Bashkimi e siguroi fitoren. Por me këtë Bashkim ajo u dha mësim edhe qytetarëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. I ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar, prej shqiptarëve të Komunës së Tuzit, prej shqiptarëve të Malësisë së Madhe.

Kryetarit të komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj dhe deputetëve komunalë u uroj punë të mbarë në veprimtarinë e tyre politike për të mirën e gjithë qytetarëve të Tuzit, gjithë shqiptarëve të Malit të Zi.!

Juaji vëllazërisht,
Rexhep Qosja