Bosët e drogës shesin lirisht, policia ndjek fakirët e qumështit

559
E ndërsa “shitësit” e hashashit kanë mbushur lagjet e qytetit, policia e Elbasanit merret me fshatarët që shesin bidonat me qumësht në trotuare. Situata ka disa muaj që ka agravuar, madje qysh gjatë vitit të kaluar shkollor, kur drejtorë dhe mësues shkollash, nuk kishte ditë të mos ankoheshin për praninë e personave që shisnin të paketuara hashash mureve dhe dyerve të institucioneve ku nxënësit marrin dije. Fenomeni i shitjes së drogave (kryesisht i hashashit) ka marrë përmasa të mëdha në Elbasan, po ashtu edhe shqetësimi i banorëve të pothuajse të gjitha lagjeve. Problematike janë pothuajse të gjitha lagjet, si ajo Vullnetari, 5 Maj, Çlirimi, Brigada 17 S, Dyli dhe Haxhire Myzyri, Haxhias, Rruga e Universitetit, madje dhe zonat ku qyteti kufizohet me fshatrat. Banorët dhe tregëtarët e vegjël në Elbasan ankohen pasi shikojnë me sytë e tyre se si në çdo orë të ditës, por kryesisht kur vjen darka, grupe-grupe të rinjsh mbushin hyrjet e pallateve, muret e shkollave, vend-strehimet, duke shitur hashash të paketuar në qese, pijnë dhe tymosin sikur lagjet të ishin një Lazarat në miniaturë. 

 Banorët e Elbasanit ankohen se “edhe kur njoftojnë 129, policia vjen dhe ikën duke bërë xhiron e rradhës, por edhe kur i zë në flagrancë, bën batuta me ata dhe largohen sikur të mos kishte ndodhur gjë”. Shqetësimin e tyre banorët e kanë bërë me dije edhe në instancat e tjera të shtetit, por duket se shitësit e hashashit janë gjëja e fundit për tu shqetësuar për njërëzit e zbatimit të ligjit. Shqetësimin e tyre banorët e lidhin edhe me joshjen që shitësit e drogave u bëjnë fëmijëve të moshave mbi 12 vjeç, duke i detyruar ata që shpesh të marrin fshehtas para nga shtëpitë e tyre, dhe të turren për të provuar “barin e paketuar”. Qyteti i Elbasanit ka një rritje të frikshme të grupimeve që merren me shitjen e hashashit dhe drogave të tjera. Rritje të frikshme ka edhe numri i personave nga 16 deri 35 vjeç që drogohen dhe shpesh përfundojnë në dyert e Urgjencës së Spitalit Rajonal. Sipas mjekëve të Urgjencës “vetëm brënda muajve qershor-korrik kemi patur mbi 216 raste kur na është dashur të ndërhyjmë për të shpëtuar rastet urgjente të drogimit të djemve dhe vajzave apo edhe kur na marrin në telefon miq dhe familjarë të tyre, por rehabilitimi i tyre nuk është detyra dhe kompetenca jonë, ndërkohë mbi 300 raste kemi të regjistruara për personat që i janë drejtuar Repartit të Rehabilitimit të Personave të Droguar”. Përballë kësaj situate të rënduar me shumë probleme sociale, policia duket institucioni që e ka marrë lehtë zgjidhjen e saj. 
Policia angazhohet me fakirët e qumështit
Qysh orët e para të mëngjesit uniformat blu u turren shitësve të bidonave të qumështit dhe domateve që zbresin nga fshatrat , apo duke gjobitur ndonjë emigrant që ndalet dhe pyet për ndonjë adresë të panjohur. Inekzistenca dhe neglizhenca e uniformave blu në Elbasan, duket qartazi në luftën e “vogël” ndaj trafikimit dhe shitësve të drogave që kanë mbushur lagjet e qytetit, por edhe në qetësimin dhe disiplinimin e trafikut të automjeteve në këto ditë të nxehta vere ka më shumë mbingarkesë. Qytetarët e Elbasanit me të drejtë kërkojnë që policia tu gjendet pranë, t’i mbrojë dhe sigurojë qetësi e rend dhe të godasë së paku rrjetin e shitësve të hashashit. Rritja e frikshme e numrit të tyre ka rritur ndjeshëm frikën e qytetarëve për implikimin e fëmijëve të tyre në këto vese të rrezikshme për jetën e tyre. Më shumë se të merren me gjobitjen e ndonjë makine emigrant, apo turrjen pas ndonjë fshatari që rreket të shesë ndonjë bidon me qumësht për të nxjerrë bukën e gojës, policia e Elbasanit duhet të ndjehet e përgjegjshme për misionin e saj, që ka qenë dhe mbetet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarit. Në policinë e Elbasanit nuk duhet të ketë vend për njerëz që nuk dinë të sillen me qytetarin, për njerëz që ligjin e njohin përmes sjelljeve harbute dhe propotente, apo për njerëz që uniformën e përdorin për të rritur dhe mbushur xhepat veç rrogës. Qytetarët e Elbasanit duhet të ndjehen të sigurtë, duhet të ndjehen të ndërgjegjshëm për denoncimet e tyre ndaj akteve krimkinale dhe rrugaçeske dhe kjo arrihet kur ata shikojnë tek Policia e Shtetit partneritet dhe jo agresivitet të pamotivuar, impenjim dhe jo deformim të zbatimit të ligjit, angazhim dhe jo injorim të kërkesave dhe telefonatave që nuk rreshtin tek i vetmi numur telefonik 129. 
Sigal