Një dietë e pasur me lëndë ushqyese është thelbësore për shëndetin e zemrës, enëve të gjakut dhe trurit, sidomos duke pasur parasysh që rreth 25% e furnizimit me gjak shkon drejt trurit. Ushqimet e pasura me yndyra të ngopura, karbohidrate të përpunuara dhe sheqerna të shtuara mund të dëmtojnë enët e gjakut në tru, të prishin metabolizmin dhe të rrisin rrezikun për goditje në tru dhe rënie të aftësive njohëse. Edhe pse disa ndryshime në tru nuk janë të kthyeshme, një dietë e shëndetshme mund ta ngadalësojë neurodegjenerimin dhe të zvogëlojë rrezikun nga Alzheimeri.
Dr. Aaron Lord, shefi i repartit të neurologjisë në NYU Langone Hospital–Brooklyn, na tregon 8 ushqimet që konsumon rregullisht për të mbështetur trurin e tij
1. Peshk i egër
Peshqit e yndyrshëm si salmoni, kerni dhe shojza janë të pasur me acide yndyrore omega-3, që kanë veti anti-inflamatore. Peshku i egër është më i preferuar se ai i rritur në rezervat.
2. Perime me gjethe jeshile
Perime si bok choy, brokolini dhe shpargu janë të pasura me fibra, folate dhe antioksidantë si luteina dhe beta-karoteni. Edhe pse shpargu nuk ka gjethe, është i pasur me fibra dhe shumë i mirë për shëndetin e zorrëve dhe trurit.
3. Domatet
Domatet përmbajnë shumë likopen, një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në luftimin e inflamacionit dhe stresit oksidativ. Mund t’i përdorësh në sallata, salca ose me mocarela dhe borzilok si antipastë.
4. Arrat dhe boronicat
Arrat janë frutat e thata më të mira për shëndetin e trurit për shkak të përmbajtjes së lartë të omega-3. Boronicat, të pasura me flavonoide, ndihmojnë në reduktimin e efekteve të stresit në tru. Një mëngjes me tërshër, boronica të freskëta dhe arra është i shijshëm dhe ushqyes.
5. Vaji i ullirit
I pasur me yndyra mono të pangopura, vaji i ullirit ndihmon në rregullimin e kolesterolit dhe mbështet funksionin e trurit. Përdoreni për gatim ose salca, por shmangni skuqjen me të.
6. Shafrani i Indisë dhe xhenxhefil
Përbërësi aktiv i shafranit të Indisë, kurkumina, ka veti anti-inflamatore dhe mund të ndihmojë në luftimin e Alzheimerit. Kombinimi me piper të zi përmirëson përthithjen. Edhe xhenxhefili është anti-inflamator dhe i pasur me shije e fibra.
7. Kafeja dhe çaji
Të dyja janë të pasura me fitonutrientë dhe flavonoide që ndihmojnë metabolizmin e trurit dhe kontrollin e glicemisë. Kafeina mund të përmirësojë përqendrimin, vetëm mos e teproni.
8. Kokoshkat e bëra në shtëpi
Një ushqim i këndshëm dhe i shëndetshëm, hidhini kokrrat në një enë silikoni, hidhni pak vaj ulliri dhe pak kripë ose maja ushqimore. Është më e shëndetshme dhe më miqësore për trurin se patatinat.