Studiues nga Universiteti William Paterson në SHBA kanë kryer një analizë të thelluar mbi përbërjen ushqyese të frutave të ndryshme, me synimin për të renditur ato që ofrojnë përfitimet më të mëdha për shëndetin. Dhe rezultati është befasues: fruti më i shëndetshëm nuk është as manaferra, as avokadoja, por… limoni sicilian.
Ky limon, me origjinë nga Mesdheu, është i pasur me vitaminë C dhe flavonoidë, antioksidantë të fuqishëm që ndihmojnë trupin të luftojë inflamacionin, radikalet e lira dhe problemet kardiovaskulare. Edhe në sasi të vogla, limoni sicilian ofron vlera të konsiderueshme ushqyese.
Ndonëse shija e tij e fortë acidike mund të mos jetë e pëlqyeshme për të gjithë, pikërisht kjo karakteristikë përbën ‘armën sekrete’ të limonit.
Sipas studiuesve, aciditeti i tij nuk është vetëm përgjegjës për aromën dhe shijen intensive, por edhe për efektet pozitive në sistemin imunitar dhe tretës.
Limoni ndihmon gjithashtu në përthithjen më të mirë të hekurit nga ushqimet, ndihmon në tretje dhe, pas përpunimit në organizëm, ka një efekt alkalizues, duke ndihmuar në balancimin e pH-së trupore.
Një gotë ujë me limon në mëngjes është kthyer në trend në rrjetet sociale, por ky zakon nuk është thjesht një modë kalimtare. Ai mbështetet nga prova shkencore që sugjerojnë se ky ritual mund të përmirësojë hidratimin, të ndihmojë në pastrimin e sistemit tretës dhe të rrisë nivelin e energjisë.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë kujdes në konsumimin e lëngut të pastër të limonit me stomak bosh, pasi aciditeti mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve dhe të irritojë mukozën e stomakut. Prandaj, rekomandohet të hollohet me ujë dhe të përdoret me maturi.
Një tjetër varieteti i njohur i limonit është ai tahitian, i përhapur kryesisht në Amerikën Latine. Edhe ky version ofron vlera të mira ushqyese, por limoni sicilian dominon falë përqendrimit më të lartë të flavonoideve si eriocitrina dhe hesperidina, që janë të lidhura me efekte të forta antioksiduese.
Për më tepër, lëkura e limonit sicilian është e pasur me vajra esencialë si limoneni – një substancë me veti antimikrobike dhe mbrojtëse që mund të përdoret edhe në gatim për përfitime shtesë. Syri.net-iefimerida