Fizioterapisti ngre shqetësimin: Fëmijët rrezikohen nga skolioza / Mungesa e edukimit fizik për shkak të Covid

425
Sigal

Mungesa e edukimi fizik në shkolla për shkak të Covid-19, po rrezikon fëmijët nga skolioza.

Një grup fizioterapistësh përmes një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë shprehin shqetësimin për mungesën e lëndës së edukimit fizik në shkollë dhe të aktiviteteve të lira për fëmijët në kushtet e pandemisë së Covid-19.

Sipas tyre pasojat janë të mëdha nga pasiviteti që fëmijët kanë. Problemet më të mëdha shfaqen tek shtylla kurrizore kur deformimet shprehen me 2 patologjitë formuese që janë skolioza dhe kifoza.

Fizioterapisti Fatjon Hajdari, i cili ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive ku u shpreh se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit.

Handari tha se në “Shqipëri janë 1 në 3 fëmijë të deformuar”. Sipas tij, është një shifër goxha alarmante dhe se ndikojnë shumë faktorë.

“Unë konkretisht kam 5 vite që merrem me këtë problematikë. Kam bërë takime me mjekët e shkollave e madje jam edhe vetëofruar që të bëj kontrolle vetë. Tani besoj se shifrat janë rritur dhe kanë shkuar 2 në 3 fëmijë të deformuar, në këtë periudhë pandemie. Situata nuk është e favorshme dhe prindërit nuk kanë ardhur më shumë për vizita”, tha Fatjoni.

Sipas tij, fëmijët e grupmoshës 12-13 dhe 14 vjeç janë më të prekur , por nuk e kuptojnë ende dhimbjen.

“Fëmijët duhet të kujdesen që të bëjnë aktivitet fizik 30 minuta në ditë. Nëse nuk bëjnë aktivitet fizik normale që do të kenë deformime. Prindërit duhet të shohin me kujdes se si qëndrojnë fëmijët e tyre. Të paktën për një orë prindi duhet të vëzhgojë fëmijën e tij. Duke konsumuar drekën apo darkën, e shikon si qëndron në tavolinë. Prindi thotë hë se e ka nga kjo apo nga ajo dhe nuk i japin vëmendjen e duhur. Duhet të kishte një program të mirëmenduar nga Ministria e Arsimit, dhe pse nuk është bërë një plan edhe për edukimin fizik”, tha fizioterapisti.