Pëllumb Gorica: Petrela e dy kështjellave

50
Sigal

Sa herë udhëtoj, jo vetëm në natyrën e papërsëritshme, por edhe në monumentet e Lashtësisë, them me vete: -Çfarëdo të vështroj, e ndjej, që të më mahnisë pafundësisht.

E lëmë pas Tiranën e rrëmujshme. Ecim në rrugën që lidh pazgjidhshmërisht Juglindjen me qendrën e Shqipërisë.

Ujërat e lumit Erzen, jehojnë në vesh me tingullin e muzikës së tij. Përtej tij, gjarpëronin kthesat e rrugës në Petrelën, që përditë e më shumë po merr pamjen e një qyteze turistike. Ne ndjekim rrugën që të çon në një fushë të pluguar, e përkëdhelur nga duar hyjnore, me traktorë të vegjël, që lëronin dhe nxirrnin brazda të thella.

Duke ecur me mikun tim Endrin, ndjenim ngrohtësinë e përtëritjes së jetës, aromat, ngjyrat, në tokën e dy qytetërimeve; të Persqopit, i shekullit IV- III Para Krishtit dhe Petrelës e shekullit VIP të Krishtit.

Dielli, pas disa ditëve me shi, kishte nxjerrë syrin andej nga Lindja dhe të buzëqesh duke shpërndarë retë e bardha si bohçe mëndafshi të shtrënguara njëra pas tjetrës mbi malet: të Dajtit, të Pashkasheshit, të Priskës dhe Krrabës, me shpatet ende të veshura me rrobën e bardhë.

Zogjtë të përshëndesin me gjithë llojet e cicërimave të tyre, ndërkohë t’i merr sytë fluturimi i dallëndysheve, që kthehen furishëm drejtë tokës, si për të gjetur drejtëpeshimin e munguar; flutra që harbojnë me figura; bletë mbi gjithfarë lulesh e të tjera gjallesa (milingona, karkaleca, minj, kërminj e zvarranikë), apo tek – tuk ndonjë makinë dhe biseda të mbytura kalimtarësh.

Lule shumëngjyrëshe i japin nur dhe bukuri gjithçkaje përreth: tokës, bimëve, pemëve, sikur të ishte kthyer Persefoni, perëndësha e kësaj stine të bukur. Pjeshkët kishin vënë flakë trëndafili; luleqershitë ishin rrethuar nga bletët që gumëzhijnë sikur ishin në koshere; lulethanat, që çelin para të gjithave dhe simbolizojnë qëndresën dhe bollëkun; luledardhat, si ato kurorat të vendosura mbi kokë të perëndive në tempullin e Dodonës.

Zor se mund të rrish pa hedhur sytë mbi lule të vogla, me plot ngjyra, në tokë, të cilat janë pjesë e së tërës. Ja anemonet që lajmërojnë zgjimin e natyrës dhe fundin e sezonit të ftohtë. Miti thotë se janë lotët e perëndeshës Afroditë kur humbi Adonisin.

Manushaqe të ndrojtura, si vashat, përhapin një aromë delikate në ajër. Lule delet të cilat i kthejnë peizazhet si një qylym gjigant nxitojnë të tregojnë veten në diell, ndoshta kjo është arsyeja pse vajzat e reja i kërkonin përgjigjet e ankthit të tyre të dashurisë mes petaleve luledele.

Tufa e aguliçeve na gëzojnë shpirtin si fëmijë dhe beson në përtëritjen e jetës, në praninë e dritës. Aguliçet lule të përmendura që në Lashtësi, për të cilat shkruante natyralisti i Antikitetit, Plini Plak.

 

Vend shekullor historik

I përkëdhelur nga një fllad i lehtë dhe nga dielli pak i ndrojtur, ndalova në qëndër të Petrelës. Sheshi me kalldrëm, portat e drunjta, çezmat, shtëpitë dhe rrugicat e ngushta si duar të bardha, duket sikur pëshpëritin histori të largëta.

Petrelasit kanë krijuar një oaz të larmishëm, që rrallë e gjen aq të këndshëm, nga, arti i ndërtimit; shtëpi me gurë, e të shtruara me pllaka guri dhe kopshte të bukur me lule, ullinj, kumbulla, dardha dhe hardhi.

Në sheshin e Petrelës pi ca grushte ujë nga kroi i gdhendur mjeshtërisht, i cili rrjedh i ftohtë saqë nuk ta zëvëndëson as uji i Trebeshinës, i Zagorisë, apo i Selitës.

Mamica të duket se zbret nga qielli si re e bardhë dhe të fanitet para teje.

Këtu pranë, në hyrje të rrugës që të çon në kështjellë, ka qënë tyrbja Sofi, nga e cila paria e Petrelës ka marrë në vitin 1880 një flamur fetar, me të cilin ka shkuar në Shkodër për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e dy krahinave.

Kalldrëmi të fton në majën më të lartë të kështjellës që ndriçohej aq qartë nën rrezet e këtij dielli pranveror. E ngjisim përmes shkallareve, saqë tringëllon zhurma trak e truk e hapave.

Prej andej syri të rrëshqet në pamjet befasuese të vend banimeve (që të ngjajnë si piktura) në galerinë e një ekspozite; varg kodrinat e veshura me shkurre.

Shoh nga lartësi e saj pamjen natyrore të një pjese të qytetit të Tiranës, me konturet sa gjatë e gjerë, për të shmpirë gjymtyrët e stërzgjatur në përthyerjet e kodrave, ngjyrat, llojin e përmasave, thellësinë e dukurive dhe dobishmërinë e tyre, shtëpitë, pallatet, ndërtesat shumkatshe, në forma dhe stile arkitekturore aq ngjitur e në rresht (si ushtarët), dhe rrugët plot me lëvizje, të cilat japin shijen e pakrahasueshme. Në një baraspeshë midis Tradicionales e Modernes, Tirana ka ndryshuar shumë në këto vite dhe po u përngjason qyteteve evropiane.

Në një shkëmb të madh gëlqeror, ngrihet kështjella e Petrelës, ku në të mund të strehohej një garnizon i vogël luftëtarësh trima, e cila kishte detyrë të vëzhgonte degëzimin e rrugës Egnatia, që kalon përgjatë Erzenit dhe të jepnin sinjale me flakë për kalatë e tjera, që shiheshin përtej.

Ajo, së bashku me kështjellat e Ndroqit, Lalmit, Tujanit, Dajtit, Prezës, Ishmit, etj, bënin pjesë në sistemin e fortifikimeve mbrojtëse përrreth qytetit të Durrësit. Në strategjinë luftarake të lashtësisë njihet termi “zinxhir fortifikimesh”.

Falë pozicionit të tyre të favorizuara bujarisht nga natyra, u zgjodhën si roje të gurta, të cilat u zhvilluan duke përballuar rrebeshet historike të dy mijëvjeçarëve të fundit.

Gjurmët mjegullohen në kohëra, por kështjella e Petrelës përmendet në anuaret historike si kështjellë e Topiajve, të cilët zotëronin zonën e Matit dhe të Shkumbinit (në një faqe të murit ruhet emblema e parë e Topiajve).

Në shekullin XV Petrela qe kështjella e parë që u çlirua prej Osmanëve nga Gjergj Kastrioti, pasi kishte një rëndësi strategjike për kontrollin e Qafës së Krrabës prej nga shpesh, kanë ardhur ushtri pushtuese. Kështjella shërbeu si vendbanim i Mamicës, motrës së Gjergj Kastriotit.

Këndej kaloi dy shekuj më parë albanologu austriak J.G.Hahn, i cili bëri një përshkrim të kështjellës. Në fillim të shekullit XX shkeli edhe studiuesi T. Ipeni, që fotografoi muret dhe fotot i botoi në gazetat e kohës, në të cilat duken qartas elementë e saj, sot të dëmtuara. Të tjerë studiues të huaj si Ami Bueja, Prashniker e Shuflai përcakuan fillimin e jetës si qendër e banuar.

Krejt çfarë të sheh syri brenda kështjellës, në kullën, zejet dhe ndonjë top që dikur ka gjëmuar në betejat për mbrojtjen e saj të kujtojnë një Petrelë të moçme, të një epoke tjetër (ndodhet edhe një bar- restorant tradicional), me aromë Lashtësie, sa edhe kafja që e shijon aq shumë merr kënaqësinë prej lartësive të saj.

Muret e saj me tulla të trasha janë mure dyshe të mbushura në mes me gurë e llaç.

Kështjella e Petrelës e njëllojtë me kështjella të familjeve princërore evropianë (e ngrohtë, miqësore dhe tradicionale) me reliket e artifaktet e shumta historike dhe etnografike, është ruajtur me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit, ashtu siç do të donim të ishin shumë të tjera në trojet shqiptare.

 Persqopi antik

 

Në afërsi të Petrelës lartësohet Mali i Vilës.Rruga përshkon anën perëndimore të tij (vështirë për t’u bërë me makinë).Aty ruhen rrënojat e njëvendbanimi antik, si një fortifikim i periudhës së antikitetit të vonë.

Me pasionin e hulumtuesit të Lashtësisë dhe mistereve të saj e marr rrugën për atje.

Peizazhi të bën me krahë, nga ullishte te lashta (degët të shpupurisura si shpalosje flamujsh fëshfërisnin në një murmurimë të lehtë) me trungje të trasha e tërë zgërbonja, sikur përpiqen të dëftojnë e ndërgjegjësojnë për historinë e të parëve tanë. Të kujtohet porosia e Gjergj Kastriotit, ku çdo çift, apo fëmijë që lindte në Arbëri, duhet të mbillte ullinj.

Ne u kapëm që të katër për duarsh dhe nuk e rrethonim dot një ulli biblik. Rreth e rrotull ullinjve, sheh gropa të hapura nga ata që kërkojnë thesare.

Tashmë dielli është ngritur lart. Moti i mirë i kishin nxjerrë banorët nëpër ara. Dëgjohej kënga e një mëllenje që shpupuliste pendët dhe kthehej furishëm drejt tokës, si për të gjetur drejtëpeshimin e munguar. Një hardhucë që thithte rreze dielli për pak u shtyp nga këpucët tona. E frikësuar ndërroi vend, por s’u fsheh. Aty-këtu ndonjë fosile guacke e shkrirë në gurë si lule të dhëmbëzuara, të shkrirë në gurë, dëshmitare të një të kaluare shumë të largët gjeologjike atëherë kur edhe këto troje i mbulonin ujërat e deteve.

Përballë, në kodrat e Teflit, shndërisnin si pasqyra të gjelbërta liqenet e Rrovës dhe Zaranikës.

Para syve ngrihej Mali i Vilës, në një lartësi të lehtë, me dëshmi të gjenezës së një qytetërimi të “bekuar”, që mbart shumë mistere, por edhe fakte historike, të cilat kanë vlera të rëndësishme për antikitetin e këtyre trojeve. Rruga kalon pranë murit antik (asaj pjese që ka mbetur prej tyre) me gjatësi 60 m dhe lartësi 7 m i ngjashëm me muret ciklopike.

Historiografia jonë e njeh si mur ilir të kohës klasike (fortifikimeve të Ilirisë Jugore, ku shtrihej territori i fisit ilir të Parthinëve, që përfshin gjysmën e dytë të shekullit të IV Para Krishtit).

Gurë të tillë i përdornin shpesh ilirët, nuk i ka të latuar por një lloj betoni i derdhur, që punohen shumë më lehtë, se sa guri normal i puthitur në mënyrë të rregullt, që duke rrezatuar forcën e tyre ndër shekuj, kalojnë çdo lloj mundësie të fuqisë fizike të ndërtuesve.

Sipas monedhave të gjetura gjatë punimeve, ky venbanim qytetar, i ndërtuar dikur nga shek III-IV para Krishtit ka pasur marrrëdhënie të ngushta ekonomike me Dyrrahun dhe një jetë mjaft të gjatë, rreth 1000- vjeçare.

Kur je aty dhe sheh panoramën përreth, e kupton më mirë rëndësinë e këtij vendbanimi ilir, ku ka banuar familja mbretërore e mbretit Ilir të Taulantëve, Glauku.

Këtu u rrit dhe u edukua një prijës i madh: Pirroja, mbreti i ardhshëm i Epirit. Jemi aty nga viti 317 p.e.s. kur Kasandri rrëzoi nga froni molos, mbretin epirot Ajakidin, kur shkoi me ushtrinë e tij për të ndihmuar kushërirën Olimpinë.

Legjendat, thonë se Pirron fëmijë 2-vjeçar vendosën para mbretit legjendar Glauk dhe shoqëruesve të tij që kishin formuar një rreth. Pirrua zvarritet, e i afrohet mbretit Glauk, kapet tek pelerina e tij dhe çohet në këmbë.

Mbreti, duke parë se fëmija erdhi pikërisht tek ai, e mori, e vuri në gji të gruas së tij Berujës së Mollosëve dhe i tha:

– “Mbaje se këtë fëmijë e kanë dërguar tek ne hyjnitë dhe do ta rrisim si djalin tonë”.

Kështu u rrit në besë të Glaukut deri në moshën 12- vjeçare kur u ngjit në fron (mbret i ardhshëm i Epirit).

Mbreti me mbrojtjen e Pirros, i parashikoi pasojat që do të kishte me fqinjët e fuqishëm. Ata i afruan edhe shuma të mëdha (200 talente) për ta dorëzuar, por ai i qëndroi besnik fjalës dhe vendimit të marrë.

Vendbanimet antike nëpër shekuj kanë pësuar ndryshime deri edhe në humbjen e identitetit të tyre. Në periudhën e Pushtimit Romak, që vazhdoi me Bizantinët, Sllavët, Bullgarët e lloj- lloj pushtuesish, të cilët ishin vendosur qindra vite më parë, kur patën ardhur me karvane nga thellësitë e Azisë Verilindore dhe shkelën, vranë e grabitën pasuritë tona,një numër të madh qytetesh i shkatërruan (të dhënat flasin për shtatëdhjetë) sa sot jo vetëm që nuk i dimë se ku ndodhen, por për fat të keq pjesës më të madhe as emrat.

Emri i këtij qyteti me mjaft rëndësi, ende nuk është përcaktuar. Arkeologët dhe historianët, po hulumtojnë që të mos ngatërrohen, në një përfundim të nxituar. Ai mund të mos zbulohet asnjëherë dhe përjetësisht, as periudha kohore kur lindi dhe u braktis, veç ne dimë së paku origjinën e atyre që e ndërtuan dhe jetuan, me fakte përmes gjetjeve arkeologjike, të cilat janë dëshmi e një vendbanimi të veçantë prehistorik.Të dhënat historike nga autorët e lashtë janë të pakta, me përjashtim të fakteve, se shtrihej në territorin e fisit të parthinëve.

Vendasit e quajnë Persqop. Sipas një historie gojore si vendi ku ata shkonin e prisnin dru shqope për t’u ngrohur.

U endëm kodrës së pushtuar nga shkurre. Aty- këtu gurë kokëkëmbë, copa tulle e tjegulla dhe gropa të hapura nga thesar kërkuesit. Duke parë kodrën dhe duke pritur që dikush të zbulojë edhe një herë misteret e saj, thithim një ajër paqeje që pëshpërit, pëshpërit fjalë nga kohë të largëta, ndërsa qielli vizaton forma të bukura abstrakte me retë.

Në anën veriore të malit gjendet një varr i ndërtuar me gurë ciklopikë. Varri i Kavrit, të çon të mendosh se i përket mbreti Ilir Glauk. Më tej shenjat e një ujësjellësi të lashtë.

***

Petrela thuajse është Tiranë, aq afër sa nuk kushton shumë për ta shkelur dhe për ta shijuar. Por, sa shpesh shkon të sodisësh peizazhin e saj, me qiej të jashtëzakonshëm historie.