Zyrtarizohet vjedhja e 33 milionë eurove me HEC-t

519
Sigal

Mungon tërësisht transparenca në shitjen e HEC-ve, derisa METE ia shet shtrenjtë UKT-së dhe shumë lirë “Kurum”-it turk

 1. METE e Skënderaj, shesin shtrenjtë HEC-et UKT-së dhe lirë “Kurum”-it turk

Zv/ministri i METE-s dhe Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Sokol Dervishaj, fsheh transparencën e privatizimit të HEC-ve, duke mos bërë publike si është llogaritur vlera e transaksioneve, dhe si mund të përligjë Dervishaj dhe METE, diferencën prej 30 milionë euro nga vlera e ofertës tek vlera e transaksioneve? PërseMETEprivatizon HEC-i e Lanabregasit te UKT-ja me një çmim shumë të madh, sesa HEC-et që i shiti “Kurumi”-it , llogaritur në saj të fuqisë prodhuese të megavateve? Procedura e ndjekur në privatizimin e HEC-ve Bistrica 1 dhe 2 dhe Ulëz dhe Shkopet, ka marrë rrugën e drejtësisë, pasi PS-ja ka dorëzuar në prokurorinë e Tiranës padi.  Sipas akuzës së PS-së, në privatizimin e hidrocentraleve “qeveria ka përdorur dy standarde vlerësimi për privatizimin e HEC-ve, duke shkaktuar një humbje prej 125 milionë euro.”  Në një prononcim për “Telegraf”, deputeti i PS-së, Arjon Muçaj, tha se: “Privatizimi para disa muajsh i HEC-ve të Lanabregasit nga qeveria shqiptare me çmimin 3 milionë euro për 1 megavat do të thotë që me këtë logjikë çmimi më i ulet që duhet të pranonte qeveria për 4 HEC – et me një fuqi të instaluar 80 megavat, nuk duhet të ishte nën vlerën 240 milionë euro.  Nëse do të flasim për ofertën ekonomike duhet të kemi parasysh se të 4 HEC-et bashkë kanë një fuqi të instaluar 80 megavat. Para disa muajsh qeveria i shiti Ujësjellësit të Tiranës HEC-in e Lanabregasit me 3 milionë euro për 1 megavat. Pra, nuk ka pse të pranojë asnjë ofertë nën 240 milionë euro. Të katra HEC-et që po shiten prodhojnë mesatarisht 500 milionë kilovat-orë në vit. Sot kjo energji i shitet CEZ-it me 2,2 lekë kilovat-orë. Pra KESH ka një të ardhur të sigurt prej 7,85 milionë eurosh. Pas shitjes, KESH jo vetëm që nuk do të ketë këto të ardhura, por do të duhet ta blejë këtë sasi me 7,5 lek kilovat-orën. Pra do të duhet të shpenzojë 26,8 milionë euro. Efekti korruptiv këtu është mjaft i dukshëm. Zv/ministri i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sokol Dervishaj, sqaroi dje  në media procedurat për privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëz dhe Shkopet, duke u munduar të hedhë tymnajë në skandalin e privatizimit të HEC-ve.

1.“Nga vlerësimet e konsulentit ndërkombëtar dhe lokal, vlera e aseteve për dy HEC-et Bistrica 1 dhe 2 është përcaktuar 44.657 738 euro, për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 31.734.626 euro, me një total 76.392.409 euro”,-  tha Dervishaj. Sipas specialistit , Pajtim Bello: “Nuk është ndjekur metoda më e drejtë për llogaritjen e vlerës së hidrocentraleve. METE dhe konsulenti ndërkombëtar duhet ti referoheshin jo vetëm vlerës së aseteve. Duhej t’i referoheshin vlerës së tregut në këto lloj shitjesh, siç ishte vlera e HEC-it Lanabregas, që vetë METE dhe Ministria e Financave e përcaktuan në tavolinë, plot 3milionë euro/1MVv. Këto praktika njihen, si p.sh kur bëhen shpronësimet e trojeve legjislacioni përcakton si çmim dyshemeje çmimin e shitjeve të periudhave të fundit. E përse nuk duhej të bëhej kjo për hidrocentralet? Ndërkohë duhej t’i’ referoheshin edhe vlerës së përdorimit, vlera që kanë këto hidrocentrale në situatën e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri. Qeveria pas shitjes të këtyre HEC-ve do të paguajë 28-30milionë euro në vit për të importuar sasinë e energjisë që do ti mungojë sistemit elektrik, si ofertë. Në të dy rastet vlera e shitjes do të rezultonte më e madhe, kështu që realisht kemi një dëm ekonomik. Ndërkohë prezenca e konsulentit ndërkombëtar nuk është një garanci për vlerën e vlerësuar në nisje të procesit dhe as për çmimin e shitjes në fund të procesit. Në paragrafi 6.1.13 VKM nr 676, date 03.10.2012 dhe VKM nr 677, date 03.10.2012 konsulentit ndërkombëtar i është caktuar një shpërblim prej 420’000 euro për secilën shitje, pra 840’000euro. Kështu që konsulenti rezulton me konflikt interesi, n.q.s shitja dështonte konsulenti nuk merrte asnjë euro!.”

2.“..Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës seMETEka përdorur standarde të ndryshme në privatizimin e 4 HEC dhe atij të Lanabregasit, Dervishaj tha se, kemi të bëjmë me “dy procese të ndryshme dhe të pangjashme”. Por edhe këtu, specialisti Pajtim Bello, shpjegon se: “Absolutisht kemi të bëjmë me të njëjtin proces, shitje të pronës publike, pavarësisht kush është blerësi. Ujësjellës Kanalizime Tiranë sha pagoi 15milionë euro për të blerë HEC-in Lanabregas, duke u detyruar të marrë kredi me interesa tregtare për këtë shumë jo të vogël për portofolin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë sha. Aty ku paguhet ka shitblerje. Do të ishte e ndershme që çmimi i shitjes për Ujësjellës Kanalizime Tiranë sha të ishte më i vogël. Në këtë rast do të besonim në një ndershmëri të institucioneve dhe komisioneve që u morën me këtë proces. Unë mendoj se organet kompetente duhet të merren me këtë proces shitjeje, sepse nuk kemi të bëjmë me privatizim!”

 2. Pse nuk sqaron  si llogarit vlerën e transaksioneve?

Sipas zotit Dervishaj, nga metodologjia e kontabilitetit për vlerësimet në HEC-et Bistrica 1 dhe 2, vlera e llogaritur arrin 44. 657.783 euro dhe 31.736.626 euro për Ulzën dhe Shkopetit dhe në total, 76.392.409 euro. Dervishaj tha se dhe vlera e transaksioneve përcaktonte për HEC-et e Bistricës vlerën 29.617.500 euro dhe 48.618.000 euro për Ulzën dhe Shkopetin. Por zoti Dervishaj, “harron” të bëjë transparente publikisht, si është llogaritur vlera e transaksioneve, çfarë elementë ka llogaritur  në këtë vlerë të transaksionit. Zoti Dervishaj, qëllimisht “harron” që të bëjë me dije se përse shteti do të paguajë kreditë prej 15 milionë euro që janë marrë kohët e fundit për rikonstruksionin e HEC-ve dhe përse kjo vlerë e kredisë nuk i bashkëngjitet çmimit të shitjes? Kjo dëshmon për mungesën e plotë të transparencës të METE në privatizimin e HEC-ve,  ku përgjegjësinë më të madhe e ka vetë ministri Haxhinasto, i cili ka vënë “sejmenin” e vet politik, zv/ministrin Dervishaj në krye të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Nuk është rastësi që tenderi i parë i privatizimit të HEC-ve dështoi, për, gjoja, mosinteresim të privatëve, ndërsa në tenderin e dytë, “papritur” u shfaqën shumë. Kjo mund të shpjegohet me rënien e vlerësimit të  vlerës HEC-ve, për t’i përshtatur me çmimin e ofertave që afruan  privatët. Padia që ka dorëzuar PS-ja në Prokurori, do të verë para përgjegjësisë penale, pikërisht, ministrin Haxhionasto dhe zotin Dervishaj, që dje u mburr për suksesin e privatizimit.

Luan Shahollari për “Telegraf”: “Në çdo rast duhet të mbahet parasysh synimi së çfarë do të sjellë ky privatizim: rritje prodhimi, rritje investimesh, përmirësim teknologjie, ulje kostoje apo thjesht do të jetë një kalim nga duart e shtetit në duart e privatit, siç ka ndodhur rëndom. Pra, të mos bëhet ky kalim thjesht se privatizimi është pjesë e programit të ministrisë dhe qeverisë. Mendoj se këto duhej të mbanin parasysh jo vetëm mendimet e specialisteve pranë qeverisë por edhe atyre që aktualisht nuk paguhen prej saj. Kujtoni se çfarë ndodhi me CEZ-in. Qeveria tani është e detyruar dështimin me pasoja të rënda financiare edhe në të ardhmen por jo shumë kohë më parë e bënte veshin e shurdhër. Prandaj, e mira do të ishte që ky privatizim, (që nuk e shoh aspak urgjent), të lihej pas zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit, pasi kështu do të kishte edhe më bazë më të fortë politike, nga qeveria që do të drejtojë vendin katër vjetët e ardhshëm”.