Blerina BRAHO/Ambasadorët me status të tepruar

548
Sigal

Fjala ambasador e ka origjinën e saj në vitet 1325-75, kur së pari përdorej në Angli e Itali, dhe i referohet një zyrtari të lartë diplomatik, i cili dërgohet nga shteti i tij sovran në një shtet tjetër sovran për të përfaqësuar përkohësisht shtetin amë. Deri këtu është çdo gjë e qartë dhe e thjeshtë. Çështja komplikohet gjithmonë kur praktikojmë teorinë dhe veçanërisht kur kjo teori zbatohet në Shqipëri. Ajo që nuk është e qartë dhe e shpesh e pazakontë, e cila ndodh që prej hapjes së ambasadave në vend, është fakti që, pse në Shqipëri ambasadorët marrin extra pushtet dhe hapësirë mediatike?! Për çdo ngjarje që ka ndodhur, për çdo ngjarje që do të ndodhë, për çdo event, për çdo fenomen (qoftë kjo politike a sociale) do të shohim që do të kërkohet me ngulm fjala dhe këshilla e disa prej ambasadorëve.

Në vendin tonë historikisht ka qenë tendencë që t’i jepet ndërkombëtarëve dhe vëzhguesve të huaj shumë hapësirë qoftë në televizion apo në median e shkruar. Dhe kjo është një gjë shumë e pazakontë për vendet e tjera. Jam e sigurt që ambasadorët tanë nëpër botë nuk janë aq të njohur sa janë ambasadorët e SHBA-ve,BE ,OSBE-së dhe të tjerë në Shqipëri. Dakord nuk po themi që s’duhet marrë vendimi i tyre në disa raste, meqenëse disa  janë përfaqësues të shteteve më të fuqishme dhe disa hapa para nesh në shumë aspekte. Çështja është të mos kthehemi si ata nxënësit e dobët dhe të pyesim për çdo gjë ndërkombëtarët kur në vend kemi shumë profesionistë dhe emra të dalluar që do ta jepnin me dëshirë një këshillë të tyren, duke qenë se edhe jetojnë në këtë realitet.

Duhet thënë dhe pranuar se nuk është dhe tërësisht faj i diplomatëve ky, është kultura politike e vendit tonë që e sheh veten si inferiore dhe jo të denjë në disa raste për të vepruar me kokën e saj. Është situata e vështirë politiko-ekonomike që nuk na lë shumë hapësira për të bërë si “të fortë”. Është çështja e synimit dhe dëshirës së madhe (për politikanët) që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane dhe që të bëhesh pjesë e saj patjetër që duhet të respektosh rregullat dhe kryetarët e asaj familje. Dhe tek e fundit është edhe vetë media që i lë hapësirë të përditshme thënieve dhe komenteve të përfaqësuesve, sikur do të mbushë boshllëqet që i kanë mbetur.

Mbase duhet kohë deri sa Shqipëria të mendojë dhe veprojë me kokën e vet. Por, deri atëherë na duhet të dëgjojmë fjalën e ndërkombëtarëve dhe të shohim dorën e tyre se si rregullon politikën dhe realitetin e vendit ku jetojmë. Dhe kjo është tërësisht e merituar meqenëse me forcat tona nuk ja kemi dalë asnjëherë t’i bëjmë ballë edhe situatave më të thjeshta.