Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë është mbledhur sërish ditën e sotme, në mbledhjen e katërt, për të shqyrtuar tashmë 2 kërkesa të të dy palëve në Partinë Demokratike, për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi akuzohet se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik. Vetë ministrja nuk është paraqitur në seancën dëgjimore, por është përfaqësuar sërish nga avokati i saj, çka ka sjellë edhe pakënaqësi nga opozita. Kërkesa e dorëzuar disa ditë më parë nga 15 deputetë të opozitës u dikutua dje. Kujtojmë që më parë 14 deputetë të PD kanë kërkuar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shkak se ajo ka përfituar sipas tyre përmes bashkëshorti të saj, statusin e investitorit strategjik, duke marrë në përdorim pasuri publike. Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, deklaroi në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin se ministrja Olta Xhaçka ka shkelur me vetëdije Kushtetutën në lidhje me ligjin për investimet strategjike dhe ka kryer veprime fiktive për ta fshehur atë. Ai e quajti të ‘paimagjinueshëm’ shpalljen investitor strategjik bashkëshortin e ministres me firmë të kryeministrit. ‘Por më skandaloze’,- shtoi Shehaj, ‘është përshtatja e vendimit të qeverisë për të ndihmuar ministren Xhaçka të fshehë përfitimet dhe shkeljen e Kushtetutës duke përdorur fiktivisht një familjar’.‘Ju e keni ftuar sot, kjo do të thotë që ai e ka marrë mocionin dhe ka pasur kohë të përgatitet,’ -tha Gazmend Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën se po kërkonte të zvarriste pa fund procedurat për këtë çështje. Në mbledhjen e djeshme deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që avokati i Xhaçkës t’i përgjigjet pyetjeve të opozitës. Kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar nga mazhoranca.



















