Prononcimi për mediat i Zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Maxhoranca ka vendosur ta përjashtojë opozitën nga drejtimi i Komisionit tw Integrimit, në momentin më të rëndësishëm për procesin. Në një kohë kur gjithëpërfshirja politika në këtë proces ishte domosdoshmëri, ky komision po bëhet monopol i qeverisë.
Procesi i integrimit nuk është tagër vetëm i qeverisë, por duhet të përfshijë të gjithë aktorët politikë, akademikë, shoqëria civile dhe media.
Me arrogancën që e karakterizon, maxhoranca socialiste po kërkon t’i kufizojë opozitës hapësirën në Parlament, duke e përjashtuar nga një proces kaq jetik për vendin.
Me shkrirjen e Komisionit të Integrimit, mekanizmi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin konstruktiv në procesin e integrimit në këtë moment zerohet.

Pasi ka kapur të gjitha pushtetet, pasi ka vënë nën këmbë të gjitha pasuritë e vendit, qeveria synon të kapë edhe këtë komision, duke shënuar qartazi një hap pas në demokracinë parlamentare.
E njëjta qeveri që në 2017 shkriu Ministrinë e Integrimit, kërkon sot të çojë përpara procesin pa opozitën, në momentin më deciziv për ecurinë e integrimit.
Si anëtare e këtij komisioni, dua të theksoj se nuk ka pasur asnjë rast që opozita të jetë bërë pengesë për procesin, përkundrazi ka nxitur avancimin dhe ka qenë mbështetëse e fortë e këtij procesi.
Ne kemi qenë në mbrojtje të standardeve europiane dhe kemi këmbëngulur në harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.
Ky veprim rikonfirmon edhe njëherë se Parlamenti është kthyer në noter të qeverisë!



















