Nitaj: Deklarata e Edi Ramës, nën dinjitetin e një kryeministri

524
Sigal

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ka thënë se ishte nën dinjitetin e një kryeministri.

“Nuk i jap të drejtë vetes për të komentuar se çfarë ka ndodhur në Berlin, por loja me fjalë e Edi Ramës për mohimin se ai nuk i paska kërkuar Ramush Haradinajt heqjen e taksës, por ia paska sugjeruar në dy raste pezullimin e saj, është neveritëse dhe nën dinjitetin e një kryeministri”, ka thënë Nitaj.

“Aq më tepër kur në katrahurën gjuhësore të tij, i përvijohet edhe fjala gënjeshtër, ani se në të njëjtin shkrim të tij, edhe vet e pranon se në dy raste i paska sugjeruar Haradinajt ta pranojë kërkesën për pezullimin e taksës!

Pse si e paska konceptuar Edi Rama sugjerimin për pezullimin e taksës!? Mbështetje jo se jo!! Ndërkaq sugjerimi, për ne në Kosovë, nuk është hiç më pak se kërkesë!”, ka thënë më tej ai.

Nitaj ka thënë se “Edi Ramës nuk ia heq dot kush të drejtën të flasë për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ai mund ta eklipsojë dështimin e politikës së tij, duke vjellë vner ndaj vendimi sovran të Qeverisë e të Kryeministrit të Kosovës”.

“Nëse Edi Rama do që vërtetë të flasë e ta ndihmojë Kosovën, duhet të mos marrë anë, jo vetëm në relacionin ndërmjet Kosovës e Serbisë, por as brendapërbrenda Kosovës, siç ne nuk po marrim anë në përplasjen e madhe politike në Tiranë!”, ka thënë më tej Nitaj. “‘Gojët e këqija’ po flasin se Edi Rama, jo vetëm se ka marrë anë, por ka kohë që është në anën e gabuar!”.