Zgjedhjet për kreun e PD-së, Patozi: Selami përballë Bashës si Maqo Lakrori me Ramën

572
Furtuna e ngritur në radhët e Partisë Demokratike, e ka rritur intensitetin. Astrit Patozi, një prej anëtarëve të vjetër të kësaj partie, ka dalë kundër kreut aktual Lulzim Basha. Ndërkohë që ditët e fundit tensionet dhe përplasjet janë shtuar po ashtu. Në një kohë kur kjo parti ka përcaktuar kandidatët, dhe po përgatitet për të shkuar në zgjedhjet e 22 korrikut për të zgjedhur kreun e ri, mes demokratëve ka ndasi të theksuara. Në orët e mbrëmjes së të martës, mësohet se Eduard Selami, njëri prej kandidatëve për kryetar partie, dhe Astrit Patozi, i janë drejtuar zyrës së ish-Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, me të cilin kanë pasur një takim. Takimi në fjalë është konfirmuar për mediat nga Astrit Patozi, por pa dhënë detaje të hollësishme. Mësohet se situata brenda PD-së ka qenë në fokus të bisedës mes tre protagonistëve. Selami dhe Patozi, prej kohësh e kanë shfaqur hapur kundërshtinë e tyre për Lulzim Bashën, ku herë pas here nuk kanë ngurruar të jenë kritikë me lëvizjet e tij. Përplasjet në PD kulmuan pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku eksponentë brenda partisë kërkuan dorëheqjen e parevokueshme të Bashës. Astrit patozi ka rrëfyer në media se çfarë kanë biseduar konkretisht me Sali Berishën. 

“Unë e kam takuar zotin Berisha, por ky nuk qe as takim i fshehtë por as zyrtar. Unë mund të them se jemi takuar si dy demokratë që janë të shqetësuar për traumën që ka përjetuar PD gjatë zgjedhje dhe për më tepër këtë që ka ndodhur pas humbjes.

Berisha e lexon më mirë nga të gjithë rezultatin traumatik të PD-së. Tani ideja qëndron nëse do të ringrihet PD-ja apo do të ndahet? Se me veprimet e zotit Basha të çojnë te e dyta. Këtë kam diskutuar edhe me zotin Berisha. Kaq mund të them për këtë takim.

Por meqë ju doni një fjali konkrete nga takimi, ju them se jemi ndarë pa asnjë keqkuptim nga takimi”, tha Patozi. Por patozi ka pasur edh enjë takim me kandidatin në garën për kreun e Partisë Demokratike Eduard Selami. Ai ka treguar se i ka kërkuar Selamit që të tërhiqet nga gara për kreun e PD-së, që ta lërë Lulzim Bashën të vetëm në garë, duke i bërë nul zgjedhjet për kryetar partie. Mirëpo, sipas Patozit, Selami nguli këmbë se ai nuk ishte një patericë e Bashës. “I kërkova që të tërhiqet nga gara. I thashë se ai është më keq se Maqo Lakrori dhe do të hyjë në histori me këtë që bën. Por ai kishte mendim tjetër dhe mendonte se do fitonte. Unë e ftoj sërish që të tërhiqet nga gara”, tha Patozi.
Sigal