Zgjedhjet në PD dhe heshtja e Berishës, analistët: Është gjëja që i intereson më shumë

447
Gara për kreun e Partisë Demokratike, nuk po kalon pa zhurmë brenda radhëve të saj. I vetmi që nuk ka thënë mendimin e tij para opinionit është lideri historik i kësaj Partie, Sali Berisha. Analist të shumtë e komentojnë heshtjen e tij në mënyra të ndryshme. Mënjanimi i Sali Berishës nga debatet e brendshme në PD, ka marrë vëmendjen e shtypit. Për Shpëtim Nazarkon, një nga analistët e njohur ne vend, Sali Berisha, pavarësisht se nuk ka dalë në publik, vazhdon të jetë lideri i kësaj partie. Nazarko shton se Berishës dhe Bashës i intereson kjo lojë në këto momente. Ai thotë se Berisha ka shumë nevojë për bashin, që sipas tij ky i fundit duke pasur grupin e tij parlamentar, është edhe më i fuqishëm. Ndërkohë Arben Rrozhani, një nga gazetarët e njohur, shprehet se Berisha ka heshtur në katër vitet e tij në opozitë dhe bën mirë të vazhdojë ta çojë deri në fund këtë heshtje. Rrozhani shprehet se ish-kryeministri e ka mbyllur tashmë kapitullin me partinë. 

Ndërkohë Ervis Iljazaj, e konsideron heshtjen e Berishës, një taktikë për të mos u përfshirë në asnjërën palë. Por ai shton se haptazi, Berisha ndodhet në krahë të Lulzim Bashës. 
Shpëtim Nazarko
E ka me detyrim. Basha është de fakto kryetar i PD-së, se ka grupin parlamentar të tijin. Kështu që dhe mos ta dojë Berisha nuk ka frikë. Është Berisha që ka nevojë për Bashën. Veç kësaj edhe ta heqë, në PD garda e vjetër nuk vlen më dhe nuk është as në parlament. Berisha veç kësaj me çdo veprim, mirë apo keq do të çante çfarë ka mbetur. I mbetet vetëm roli i babait të mirë që duhet të mbajë tufën të bashkuar. Kjo, pavarësisht se çfarë mendon realisht për çfarë po ngjan.
Arben Rrozhani
Heshtja e Berishës nuk është lajm i ri për PD-në e këtyre katër viteve të fundit. Edhe në vitin 2013, kur ishte gara mes Bashës dhe Olldashit, Berisha, që kishte dhënë dorëheqjen më 26 qershor, nuk u përzie publikisht me rivalët. Edhe këtë radhë ai është në hije dhe bën mirë të jetë realisht kështu, sepse ai e ka deklaruar se e ka mbyllur kapitullin e drejtimit dhe të ndikimit në selinë blu. Shpresoj të jetë vërtetë kështu, edhe pse është e vështirë për t’u besuar. Dalja publike e Berishës ndoshta më shumë do të prishte punë, se sa do të ndreqte.
Ervis Iljazaj
Për sa i përket heshtjes të zotit Berisha mendoj se vjen si pasojë e frikës së tij për mos t’u rreshtuar haptazi pro një grupimi apo një tjetri. Sepse fjala e tij në këtë moment do të ndikonte anëtarësinë duke qenë se është ende një figurë me peshë në Partinë Demokratike dhe kjo nuk është domosdoshmërish një gjë e mirë. Fakti që është ende i rëndësishëm mendimi i zotit Berisha në garën brenda Partisë Demokratike do të thotë që ajo nuk është reformuar totalisht. Megjithatë kjo garë është një gjë pozitive për këtë parti pasi në këtë betejë dikush duhet të fitojë dhe dikush duhet të iki. Është absurde që të ekzistojnë konfliktualitete të tilla të cilat dëmtojnë ecurinë e mëtejshme të PD-së. Kjo garë me patjetër duhet të nxjerr një fitues dhe një humbës njëherë e përgjithmonë. Nëse nuk arrin këtë objektiv gara që po zhvillohet tani do të thellojë akoma dhe më shumë krizën e brendshme.

Ka diçka të pazakontë në debatin që është shtruar për zgjedhjen e Kryetarit brenda Partisë Demokratike pas rezultatit të zgjedhjeve. Të gjithë kundërshtarët e Bashës që kanë shpallur “luftën” ndaj tij janë pothuajse jashtë Parlamentit. Kjo e bën alternativën e re që është paraqitur si e tillë brenda asaj partie, të pamundur. Jo vetëm kaq, por të gjithë kundërshtarët e tij duken sikur janë më koherentë ndaj kundërshtarit të përbashkët dhe jo objektivit të krijimit të një alternative të vërtetë brenda saj. Kjo lëvizje ngjan më shumë si një organizim politik jashtë Partisë Demokratike duke qenë se asnjëri prej tyre nuk është i përfaqësuar në Parlamentin shqiptar, aty ku vërtet ka rëndësi dhe merr peshë fjala dhe aksioni politik. Të gjithë qejfmbeturit nga lënia jashtë e listave për deputetë, me të drejtë apo pa të drejtë qofshin, janë duke kërkuar kthimin e tyre në politikë. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, duke parë kontekstin brenda Partisë Demokratike është grupimi politik nën logon e një partie të re. Sepse shumë pak, përveç historisë i lidhin tashmë disa nga emrat e rëndësishëm që kundërshtojnë Bashën me Partinë Demokratike që ka krejtësisht një fizionomi të re. Kjo është një e drejtë më se legjitime e tyre, nëse vërtet besojnë se mund të kontribuojnë ende për politikën shqiptare. Jo më kot, të gjitha emrat e rëndësishëm që kërkojnë dorëheqjen e Bashës, më shumë se sa një grupim politik janë individualitete që nuk përkojnë aspak me një rrymë reale brenda Partisë Demokratike. Individualitete, të cilët kërkojnë me të drejtë një garë të vërtetë për zgjedhjen e Kryetarit, por që askush nuk merr guximin të kandidojë kundër Bashës. Dhe kjo, jo për faktin se i mungon ambicia politike, por sepse askush prej tyre nuk arrin të mbledhë rreth vetes ide, sensibilitete apo njerëz që mund të konkurrojnë kryetarin aktual. Të gjithë duan garë brenda partisë, por askush nuk e merr përsipër atë. Askush nuk mund të kthejë një përgjigje, pasi gara brenda asaj partie por jo vetëm, ndodh si një konflikt midis personave dhe pushteteve të ndryshme dhe jo si një fraksion politik i cili ka idetë dhe vlerat më të besueshme për ta kthyer atë në pushtet. Fraksione të cilat krijohen jo në momentin e humbjes politike, por janë aty, brenda partisë, gjatë gjithë kohës dhe krijojnë alternativa konstante që në çdo moment kanë mundësinë për të marrë drejtimin e partisë. Sigurisht që fraksione politike brenda një partie nuk do të thotë konflikt i përhershëm brenda saj, por vlera kulturore dhe politike që përpunojnë ide në mënyrë të vazhdueshme.
Sigal